E mërkurë, 8 Maj, 2024

PARTITË SHQIPTARE NË “UDHËKRYQIN” E MODELEVE ZGJEDHORE

Ndërkohë që është riaktualizuar debati mbi ndryshimin e mundshëm të modelit zgjedhor partitë shqiptare tashmë kanë shprehur qëndrimet e tyre. ASH është shprehur për modelin me tetë njësi zgjedhore, i cili do të shmangte pabarazinë e votës. Nga BDI theksojnë se janë për modelin me njësi zgjedhore me kusht që të ketë prag zgjedhor prej 5 për qind për të pasur stabilitet politik. Njësoj për një njësi zgjedhore janë shprehur nga Alternativa, por me një prag prej 2 për qind si dhe me të drejtë vote në formë elektronike edhe për qytetarët jorezidentë. Ndërkohë, Lëvizja Besa është shprehur më herët së është për modelin me tre njësi zgjedhore.

Shkruan: Enis Shaqiri

Që nga viti 2002, Maqedonia e Veriut ka përzgjedhur sistemin zgjedhor proporcional me gjashtë njësi të votimit, me synimin për të garantuar përfaqësimin e barabartë të qytetarëve në Parlament, si nga aspekti rajonal, ashtu edhe nga ai etnik. Ky model kishte si synim krijimin e një demokracie funksionale.
Mirëpo së fundmi, partitë e vogla janë bashkuar rreth idesë që vendi të jetë me një njësi zgjedhore, si dhe me një sistem proporcional, pa prag zgjedhor. Ky propozim aktualisht është në proces që nga marsi i vitit 2021, por nuk është vënë ende në rend të ditës. Në mars të vitit 2022, Komisioni për Sistemin Politik dhe Marrëdhënie Ndër-Komuniteteve filloi një diskutim mbi këtë propozim dhe dha miratimin e tij për hapat e ardhshëm, duke propozuar që Parlamenti të zhvillojë një debat publik në të cilin të përfshihen të gjitha palët. Megjithatë, deri më sot, ky debat nuk është realizuar.

Nisma për të rikthyer këtë çështje në rend dite erdhi pasi u formua grupi punues që synonte të harmonizojë ndryshimet në Kodin Zgjedhor, përpara zgjedhjeve presidenciale dhe parlamentare. Por pas mbledhjes së parë të këtij grupi, u dëgjuan mesazhe që ndryshimi i modelit zgjedhor nuk konsiderohej si prioritet.

Modeli zgjedhor nuk është prioriteti ynë”, u shpreh ministri i Drejtësisë, Krenar Lloga, duke shpjeguar se detyra e parë është futja e rekomandimeve të OSBE/ODIHR dhe detyra e dytë është hartimi i kodit të ri zgjedhor.

Lidhur me këtë proces,  KDP.MK ka bashkëbiseduar me përfaqësues të partive nga blloku politik shqiptar në RMV për të parë se a janë pro apo kundër modelit me një njësi zgjedhore.

ASH: NDARJA NË TETË NJËSI ZGJEDHORE DO TË SHMANGTE PROBLEMET E BARAZISË SË VOTËS

Nga Aleanca për Shqiptarët, për KDP.MK theksojnë se e vetmja ndarje në përputhje me ligjin, si dhe e bazuar në kritere shkencore është ndarja në 8 njësi zgjedhore. Ky përcaktim, sipas tyre, do të shmangte problemet e barazisë së votës, pasi numri i deputetëve në secilën njësi zgjedhore nuk do të ishte i caktuar paraprakisht, por do të ndahej në mënyrë proporcionale sipas numrit të votuesve në secilën njësi.

Aleanca për Shqiptarët pjesën e listave të hapura e ka edhe ne programin zgjedhor dhe çdo herë në mënyrë kategorike në çdo paraqitje të saj është angazhuar për listat e hapura. Për sa i përket numrit të njësive zgjedhore ne qëndrojmë në propozimin tonë se e vetmja ndarje bazuar edhe shkencërisht është ndarja në 8 njësi zgjedhore konform ligjit për ndarjen e shtetit në 8 rajone zhvillimore. Në këtë mënyrë do të evitohej problemi i barazisë së votës, sepse nunri i deputetëve në çdo njësi zgjedhore nuk do jetë fiks, por ndarja do të bëhet proporcionalisht në bazë të numrit të votuesve në çdo njësi. Mbetemi të hapur për diskutim për vendosjen e pragut minimal në këto 8 njësi zgjedhore. Një njësi zgjedhore vjen në shprehje vetëm me modelin e 30% vendeve të garantuara në Parlament për shqiptarët konform regjistrimit të fundit të popullsisë,” theksojnë nga ASH.

BDI: PO SISTEMIT ME NJË NJËSI ZGJEDHORE, POR ME PRAG PREJ PESË PËRQIND

Arbër Ademi nga radhët e Bashkimi Demokratik për Integrim për KDP.MK thekson se BDI kërkon që të ketë një prag prej 5% në mënyrë që kjo zgjidhje ligjore të jetë në funksion të stabilitetit politik dhe mos të ketë destabilitet politik.

Kërkojmë që të ketë një prag prej 5% në mënyrë që ajo zgjidhje ligjore të jetë në funksion të stabilitetit politik, si dhe mos të ketë destabilitet politik, se ajo nuk shkon në favor të askujt. BDI siç e dini më herët është shprehur se modeli aktual zgjedhor me gjashtë njësi përfaqëson realitetin heterogjen të shoqërisë, por të jemi të vetëdijshëm se asnjë model nuk është ideal, i cili do të krijojë institucione funksionale, do të ofrojë stabilitet politik dhe përfaqësim real të strukturës heterogjene të shoqërisë. Tash po e bëjmë hapin e parë, po i themi po sistemit me një njësi zgjedhore, por me 5% prag. Jo më larg, në Republikën e Kosovës kemi një model të tillë, pra në qoftë se përcaktohemi me një njësi zgjedhore me model proporcional është tejet e logjikshme dhe e rrugës që të kemi edhe prag”, thotë Ademi.

ALTERNATIVA: NJË ZONË E VETME ZGJEDHORE, POR ME PRAG PREJ DY PËRQIND

Nga Alternativa propozojnë transformimin e Maqedonisë së Veriut në një zone të vetme zgjedhore, me një prag zgjedhor prej 2%, si dhe me mundësinë që në zgjedhjet e ardhshme, edhe qytetarët jorezidentë të kenë të drejtën e votës përmes votimit elektronik.

Alternativa propozon që Maqedonia e Veriut të shndërrohet në një zonë zgjedhore me prag zgjedhor prej 2% dhe me mundësi që në zgjedhje, përmes votimit elektronik, edhe qytetarët tanë jorezidentë ta shprehin vullnetin e tyre politik”, thonë nga Alternativa.

LËVIZJA BESA PËR MODELIN ME TRE NJËSI ZGJEDHORE

Ndërsa nga Lëvizja Besa, deri në mbyllje të këtij shkrimi, nuk arritëm të marrim një përgjigje konkrete.
Por, kohë më parë, gjatë debatit rreth idesë që vendi të jetë një njësi zgjedhore, Lëvizja Besa u prononcua se nuk mbështet model me një njësi zgjedhore, por me tre njësi zgjedhore. Sipas tyre, duhet të bëhet bashkim i njësisë së parë dhe të dytë, të tretë dhe të katërt dhe të pesë dhe të gjashtë.

“Kufijtë administrativ të realizimit të zgjedhjeve janë dhe kjo shumë lehtë mund të realizohet, mundësohet që një numër më i madh i deputetëve të zgjidhet në kuadër të një njësie zgjedhore, në këtë rast do të zgjidheshin 40 deputetë në një njësi. Kjo do të ishte komfor asaj që është Republika e Maqedonisë së Veriut, komfor asaj që është aspekti etnik dhe social i këtij vendi”, ka theksuar në shkurt të vitit të kaluar Fadil Zendeli nga Lëvizja Besa.

Kujtojmë se në dhjetë vitet e fundit, është vënë re një numër i madh i ndryshimeve në Kodin Zgjedhor, mirëpo pa ndonjë debat publik.

Konkretisht, janë bërë 32 ndryshime në Kodin Zgjedhor: 22 ndryshime dhe shtesa në Kodin Zgjedhor, 4 ndryshime janë bërë në bazë të vendimeve të Gjykatës Kushtetuese, dy ndryshime janë rezultat i zgjatjes së afatit për mbajtjen e zgjedhjeve dhe 4 ndryshime janë bërë për shkak të korrigjimeve teknike të neneve të caktuara në rregullore.

Të fundit