Veriu i Kosovës është përfshirë të premten nga trazira të dhunshme. Serbë të kësaj pjese shtinë me armë e ua vënë flakën veturave të Policisë, gjatë përpjekjes për ta ndalur aksionin për t’ua mundësuar kryetarëve të rinj qasjen në objektet e komunave. Serbia lëvizi ushtrinë e ndërkombëtarët qortuan Kosovën për aksionin. Departamenti Amerikan i Shtetit dënoi ashpër veprimet e Qeverisë së Kosovës “për të hyrë me forcë në ndërtesat e komunave në veri të Kosovës”, duke nënvizuar se veprimet do të kenë pasoja në raportet Kosovë-SHBA: “Këto veprime kanë përshkallëzuar në mënyrë të mprehtë dhe të panevojshme tensionet, duke minuar përpjekjet tona për të ndihmuar në normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë dhe do të kenë pasoja për marrëdhëniet tona dypalëshe me Kosovën”, – ka deklaruar Sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken duke bërë të ditur se Qeveria e Kosovës i ndërmori këto veprime në kundërshtim me këshillat e Shteteve të Bashkuara dhe të partnerëve evropianë të Kosovës, njofton kdp.mk.
Komuniteti ndërkombëtar ka paralajmëruar pasoja për Kosovën, pas përplasjes së serbëve të veriut me policinë, e cila të premten realizoi aksionin për t’ua mundësuar qasjen në zyra kryetarëve të rinj të komunave Leposaviq, Zubin-Potok dhe Zveçan.
Veriu është përfshirë nga trazira, pasi serbë të kësaj pjese shtinë me armë, hedhën shok-bomba, ua vënë flakën veturave të Policisë dhe vunë barrikada në rrugë. Ata fillimisht u vendosën para objekteve të komunave dhe ndërmorën veprime, pasi policia intervenoi me gaz lotsjellës, në përpjekjen për ta mundësuar qasjen në objektet komunale.
Autoritetet raportuan për pesë policë të lënduar, EULEX-i raportoi se njësitet e tij në Zveçan u sulmuan, ndërkaq mediat serbe raportuan për dhjetëra qytetarë që kanë marrë lëndime.
Pas këtyre zhvillimeve, kanë reaguar autoritetet ndërkombëtare, e më së ashpri Shtetet e Bashkuara të Amerikës (SHBA).
Departamenti Amerikan i Shtetit (DASH), nëpërmjet një deklarate, ka shprehur qëndrimin se Qeveria e Kosovës ka marrë veprime kundër këshillave të SHBA-së dhe ka paralajmëruar pasoja në raportet mes të dyja shteteve.
Alarmi i SHBA-së
“Shtetet e Bashkuara të Amerikës dënojnë ashpër veprimet e Qeverisë së Kosovës për të hyrë me forcë në ndërtesat komunale në veri të Kosovës, veprime që ajo i ndërmori kundër këshillave të Shteteve të Bashkuara dhe partnerëve evropianë të Kosovës”, thuhet në deklaratën e DASH-it. “Këto veprime kanë përshkallëzuar në mënyrë të ashpër dhe të panevojshme tensionet, duke minuar përpjekjet tona për të ndihmuar në normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë dhe do të kenë pasoja për marrëdhëniet tona dypalëshe me Kosovën”.
Departamenti i Shteti i ka bërë thirrje kryeministrit Albin Kurti që ta ndryshojë kursin dhe “të gjitha palët të përmbahen nga çdo veprim i mëtejshëm që do t’i ndezë tensionet dhe do ta nxisë konfliktin”.
Përpara deklaratës, edhe vetë sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken, ka qortuar Qeverinë, së cilës ia ka faturuar përgjegjësinë për situatën e krijuar në veri.
“Dënojmë fuqishëm aksionet nga Qeveria e Kosovës që po i përshkallëzojnë tensionet në veri dhe po e rrisin pasigurinë. I bëjmë thirrje kryeministrit Albin Kurti t’i ndalë këto masa të dhunshme menjëherë dhe të rifokusohet në dialogun e lehtësuar nga BE-ja”, ka shkruar Blinkeni në Twitter.
Ambasadori amerikan në Prishtinë, Jeff Hovenier, një javë më parë pati thënë se çdo aktivitet kriminal kundër kryetarëve të rinj të komunave të veriut do të përballet me dënime të ashpra nga SHBA-ja, por të premten ishte i pari që e dënoi aksionin e Policisë për t’i çuar ata në zyre.
E, kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, ka thënë se ka në të njëjtin qëndrim me SHBA-në:
“A e ndihmon kjo që po ndodh në Kosovë procesin ku janë angazhuar të tërë miqtë e mëdhenj të Kosovës e të shqiptarëve, për normalizim dhe njohje të ndërsjellë mes Kosovës dhe Serbisë?! Me siguri jo, përderisa vetë miqtë tanë më të mëdhenj shprehen thellësisht të shqetësuar!”, ka shkruar ai në Twitter. “Unë bashkohem me ta në apelin për të mos ecur më tej në këtë shteg jo vetëm të rrezikshëm, po edhe krejt të panevojshëm sot, kur bota demokratike e ka vendosur në qendër të vëmendjes dialogun, normalizimin, njohjen e ndërsjellë mes Kosovës dhe Serbisë”.
Përgjigjja e Kosovës
Ministri i Punëve të Brendshme i Kosovës, Xhelal Sveçla, i është përgjigjur Departamentit Amerikan të Shtetit që i cilësoi si “të dhunshme” veprimet e Policisë së Kosovës. Sipas Sveçlës, me këtë reagim SHBA-ja po e inkurajon Milan Radojiçiqin, nënkryetar i Listës Serbe, që ndiqet nga autoritetet e Kosovës për implikim në vrasjen e politikanit serb, Oliver Ivanoviq. Radojiçiq ndodhet edhe në listën e zezë të SHBA-së.
“Etiketimi i veprimeve të ligjshme dhe të civilizuara të Policisë së Kosovës si ‘të dhunshme’ dhe operacionin e saj të zbatimit të ligjit si ‘dhunë’, është ‘ftesë’ për Milan Radojiçiqin e futur në listën e zezë të SHBA-së për t’i komanduar mashtruesit e tij që t’i sulmojnë policët e Kosovës”, ka deklaruar ministri Sveçla. “Të gjithë duhet të veprojnë me përgjegjësi. Çdo humbje jete duhet të parandalohet me kujdes maksimal. Zgjedhja e ekuilibruar e fjalëve në këtë situatë është thelbësore. Keqinterpretimi i realitetit mund të rezultojë me kosto njerëzore”.
Në Prishtinë ka munguar përgjigjja e përfaqësuesve më të lartë shtetërorë, në këto reagime të ndërkombëtarëve.
Por, presidentja Vjosa Osmani e ka arsyetuar aksionin në veri dhe ka rikujtuar se neni i dytë i Kushtetutës së Kosovës thekson se sovraniteti dhe integriteti territorial i Republikës është i pacenueshëm, i patjetërsueshëm dhe i pandashëm, prandaj ka thënë se mbrohet me të gjitha mjetet e përcaktuara me Kushtetutë dhe me ligj.
“Veprimet e Policisë së Kosovës ndaj strukturave ilegale e bandave kriminale të Vuçiqit janë legjitime, në realizim të detyrave të tyre kushtetuese dhe në mbrojtje të të gjithë qytetarëve, pa dallim”, ka shkruar presidentja Osmani në reagim.
Ajo megjithatë ka thënë se “qëndrueshmëria, jetëgjatësia dhe suksesi i këtyre veprimeve varen njëkohësisht edhe nga koordinimi me aleatët që ishin dhe mbeten garantues të sovranitetit dhe pavarësisë sonë”.
“Bashkë, jemi gjithnjë më të fortë!”, ka shkruar presidentja Osmani.
SHBA-ja, por edhe BE-ja dhe partnerë të tjerë ndërkombëtarë kanë mbështetur zgjedhjet e parakohshme lokale që i ka organizuar Kosova në veriun e banuar kryesisht me serbë, pas dorëheqjes së strukturave paraprake, me kërkesë të Listës Serbe – subjekt ky që mban lidhje të forta me Beogradin dhe që ka mbajtur pushtetin në veri deri në vendimin për dorëheqjen. Kjo parti bojkotoi zgjedhjet e parakohshme dhe nuk i njeh as kryetarët e rinj të zgjedhur, e të cilët janë të etnisë shqiptare. Kthimin në institucione e ka kushtëzuar me formimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe, për të cilin mekanizëm Kosova dhe Serbia ndodhen në proces negocimi në Bruksel.
Kërcënimi i BE-së
Bashkimi Evropian, që lehtëson dialogun mes Kosovës dhe Serbisë, ka dënuar tensionet e së premtes në veri dhe ka shprehur qëndrimin se më nuk do të pranojë “asnjë veprim të njëanshëm ose provokues”.
“Bashkimi Evropian dënon fuqishëm përplasjet në mes të Policisë së Kosovës dhe protestuesve në veri të Kosovës, të iniciuara nga përpjekja e kryetarëve të sapozgjedhur që të hyjnë në objektet komunale”, thuhet në reagim.
Ka dënuar edhe sulmet ndaj misionit të saj për sundimin e ligjit në Kosovë, EULEX, por nuk i ka bërë përgjegjës serbët për këtë sulm.
“I dënojmë fuqishëm sulmet ndaj patrullave të misionit civil të BE-së në Kosovë, EULEX-it”, thuhet në reagim. “EULEX duhet të lejohet ta kryejë mandatin e tij paqësisht”.
BE-ja u ka bërë thirrje të gjitha palëve për të ndërmarrë veprime në funksion të shtensionimit të situatës dhe të rivendosjes së qetësisë, menjëherë.
“BE-ja s’do të pranojë asnjë veprim të mëtejmë të njëanshëm apo provokues dhe ruajtja e paqes dhe siguria në terren duhet të jenë prioritet”, thuhet në reagimin e BE-së.
Kryetarët e rinj të komunave në veri janë përmbajtur nga prononcimet të premten dhe nuk kanë treguar nëse do të insistojnë t’i kryejnë detyrat në objektet e komunave përkatëse, edhe nëse serbët vazhdojnë ta kundërshtojnë këtë nëpërmjet bllokimit të dyerve.
Vetëm kryetari i Mitrovicës Veriore ka dhënë betimin në ndërtesën e Komunës, ndërkaq për t’i shmangur tensionet e paralajmëruara nga serbët, kryetari i Zveçanit, ai i Zubin-Potokut dhe kryetari i Leposaviqit një ditë më parë janë betuar në objekte në pronësi të komunave, që ndodhen në fshatra të banuara kryesisht me shqiptarë.
BE-ja pati mbështetur zgjedhjet e parakohshme lokale dhe pati shprehur zhgënjimin në Listën Serbe për bojkotimin e procesit. Por, bashkë me reagimin për situatën e krijuar në veri, ka theksuar se këto zgjedhje “nuk ofrojnë zgjidhje politike afatgjate për komunat e përfshira”.
“Një zgjidhje e tillë mund të gjendet vetëm përmes dialogut të vërtetë ndërmjet të gjitha palëve kryesore të interesit, që përfshijnë Kosovën, Serbinë dhe komunitetin serb të Kosovës – nën lehtësimin e BE-së”, thuhet në reagim.
Shtetet më të fuqishme që e mbështesin Kosovën, pesëshja e QUINT-it, Franca, Italia, Gjermania, Mbretëria e Bashkuar dhe SHBA-ja, nëpërmjet ambasadorëve të akredituar në Prishtinë, u kanë bërë thirrje autoriteteve të Kosovës të “zmbrapsen menjëherë”.
“Ne dënojmë vendimin e Kosovës që të detyrojnë hyrjen në objektet komunale në veri të Kosovës, pavarësisht thirrjes sonë për përmbajtje. U bëjmë thirrje autoriteteve të Kosovës që të zmbrapsen menjëherë dhe të depërshkallëzojnë e të koordinohen ngushtë me EULEX-in dhe KFOR-in”, thuhet në reagimin e QUINT-it.
Loja me ushtri
Po ashtu, QUINT-i ka shprehur shqetësim nga vendimi i Serbisë që ta ngritë nivelin e gatishmërisë së Forcave të Armatosura në kufirin e Kosovës.
“U bëjmë thirrje të gjitha palëve për përmbajtje maksimale, duke shmangur retorikën nxitëse”, thuhet në reagim.
Pas tensioneve në veri, presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, e ka firmosur dokumentin me të cilin e ka urdhëruar ushtrinë që ta ngrejë në nivelin më të lartë gatishmërinë luftarake. Sipas raportimit të mediave në Serbi, Vuçiq, i cili është edhe komandant suprem i ushtrisë serbe, ka urdhëruar forcat që të lëvizin urgjentisht në drejtim të kufirit me Kosovën. E ministri i Mbrojtjes, Millosh Vuçeviq, situatën në veri të Kosovës e ka përshkruar si dramatike, ndërsa ka bërë të ditur se dikasteri që ai udhëheq do ta zbatojë urdhrin e Vuçiqit.
KFOR-i ka mandat t’ia sigurojë kufijtë Kosovës dhe ka prezencë më të shtuar në veri.
Kryeministri Albin Kurti ka realizuar një takim me komandantin e KFOR-it, Angelo Michele Ristuccia, të cilit i ka thënë se objektet e komunës janë pronë e Republikës dhe se Policia e Kosovës është angazhuar që kryetarëve të komunave veriore t’u mundësohet hyrja në vendin e punës.
“Liria e lëvizjes, sundimi i ligjit, siguria dhe mbrojtja, për të gjithë qytetarët, pa dallim të bindjeve politike a prejardhjes, përkatësisë etnike apo fetare, në Republikën e Kosovës është prioritet dhe interes i të gjithëve. Institucionet e sigurisë duhet të bashkëpunojnë që të garantojnë një ambient të sigurt e të qetë për të gjithë”, thuhet në njoftimin e Qeverisë, të lëshuar pas këtij takimi. “Kryeministri Kurti theksoi se kryetarët e komunave, të zgjedhur nga zgjedhjet e lira dhe demokratike, duhet t’i ushtrojnë detyrat dhe përgjegjësitë e tyre, për të ofruar shërbime publike cilësore për të gjithë qytetarët, pa pengesa”.
Sipas njoftimit të Qeverisë, kryeministri Kurti e ka njoftuar komandantin Ristuccia se Policia e Kosovës është angazhuar që sipas detyrës zyrtare t’ua mundësojë këtyre kryetarëve hyrjen në vendin e tyre të punës prej nga ata duhet dhe do t’iu shërbejnë të gjithë qytetarëve pa dallim e pa diskriminim.
Ndërkaq, situatën në veri KFOR-i e ka cilësuar tej mase të rrezikshme.
Në një komunikatë për media në mbrëmje, ky mision ushtarak ka dënuar “veprimet e njëanshme” dhe ka bërë thirrje për përmbajtje:
“KFOR-i është duke e monitoruar me kujdes situatën në komunat në veri të Kosovës, ku një seri përplasjesh janë shkaktuar nga hyrja me forcë e kryetarëve të sapozgjedhur në ndërtesat e komunave. Kjo është tej mase e rrezikshme për procesin e normalizimin dhe rrezikon përshkallëzim të mëtejmë të tensioneve. KFOR-i dënon me vendosmëri këto veprime të njëanshme dhe u bën thirrje të gjitha palëve që të përmbahen nga dhuna që mund ta kërcënojë sigurinë në Kosovë”, thuhet në komunikatën e KFOR-it. “Koordinimi midis të gjithë akterëve është thelbësor për ta shmangur përshkallëzimin e mëtejmë”.
Në komunikatë theksohet se prioritet i parë i KFOR-it mbetet sigurimi i një mjedisi të sigurt, në përputhje me mandatin e Këshillit të Sigurimit të OKB-së.
Kosova është çliruar nga Serbia në qershorin e 1999-s, pas ndërhyrjes ushtarake të NATO-s. Pas kapitullimit të Serbisë, serbë nga shumë vende të Kosovës janë koncentruar në veri, rajon në të cilin Beogradi zyrtar vazhdon të ketë ndikim dhe t’i mbajë ilegalisht disa nga strukturat e veta, të cilat vazhdimisht kanë ndërmarrë veprime kundër rendit kushtetues të Kosovës./koha.net/