E hënë, 20 Maj, 2024

MAQEDONIA E VERIUT VOTON NË ZGJEDHJE TË DYFISHTA: DERI NË ORËN 13 VOTUAN 25 PËR QIND E QYTETARËVE

Qytetarët e Maqedonisë së Veriut po votojnë që nga mëngjesi i së mërkurës për t’i zgjedhur presidentin dhe Parlamentin e ri të vendit në zgjedhje të dyfishta, njofton KDP.MK.

Vendvotimet u hapën në orën 7:00, dhe dalja në zgjedhjet presidenciale deri në orën 13:00 ka arritur në 23.95 për qind nga gjithsej 1.8 milion qytetarë me të drejtë vote.

Kurse, për zgjedhjet parlamentare kanë votuar 25.84 për qind e trupit votues, sipas të dhënave të Komisionit Shtetëror të Zgjedhjeve (KSHZ).

Ministria e Punëve të Brendshme ka njoftuar për mbarëvajtje të procesit zgjedhor. Sipas MPB-së, procesi zgjedhor po zhvillohet në mënyrë të qetë, dhe pa probleme.

Sipas informacioneve që posedoj, të gjitha qendrat e votimit janë të hapura dhe qytetarët mund ta ushtrojnë të drejtën e tyre për të votuar në një atmosferë paqësore, të drejtë dhe demokratike”, ka deklaruar Ministri i Punëve të Brendshme, Pançe Toshkovski.

Në anën tjetër, Komisioni Shtetëror i Zgjedhjeve (KSHZ) njoftoi se janë regjistruar qindra parregullsi zgjedhore.

Deri në këtë moment në KSHZ janë dorëzuar gjithsej 313 kundërshtime për mbrojtjen e të drejtës zgjedhore. Prej tyre, 105 kundërshtime janë miratuar dhe zgjedhësve u është mundësuar ta realizojnë të drejtën e tyre të votës”, raportoi KSHZ-ja.

Komisioni theksoi që 9 kundërshtime janë hedhur poshtë si të parregullta, ndërsa 40 janë refuzuar, derisa tjerat janë në përpunim.

Aktiv është edhe numri i telefonit pa pagesë 0800 555 44, ku qytetarët e interesuar mund të bëjnë pyetje apo të denoncojnë parregullsitë në Komisionin Shtetëror të Zgjedhjeve”, raportoi Komisioni.

Prokuroria Themelore Publike e RMV-së, poashtu njoftoi se ka filluar hetimi i disa rasteve për disa parregullsi zgjedhore që kanë ndodhur deri më tani.

Gjatë ditës së djeshme, tashmë kemi informuar, se pas padisë në PTHP Veles, në lidhje me dyshimet për shitblerje të votave dhe gjetjen e armëve dhe municionit, është formuar lëndë në PTHP Veles për dy persona.

Njoftime për dyshimet për shitblerje të votave janë pranuar edhe në Ohër dhe Kriva Pallankë, ndërsa deri në këtë moment për këto ngjarje nuk është paraqitur kallëzim penal deri te prokuroritë përgjegjëse” njoftoi Prokuroria.

Procesi zgjedhor po zhvillohet në 3.480 vendvotime, ndërsa mbarëvajtja e tyre monitorohet nga 1.300 vëzhgues vendorë dhe 860 të huaj.

Misioni i ODIHR-së do të shpallë rezultatet fillestare të vëzhgimit ditën e enjte. Ne do t’i shqyrtojmë rezultatet e tjera kur ato vijnë nga i gjithë vendi dhe më pas do të nxjerrim përfundimet tona bazuar në vëzhgimet e dhëna nga vëzhguesit tanë të shumtë“, ka deklaruar shefja e misionit të ODIHR-së, Jilian Stirk.

Rreth 1.8 milion shtetas të Maqedonisë së Veriut kanë të drejtë vote në këto dy palë zgjedhje: në zgjedhjet parlamentare, dhe rundin e dytë të zgjedhjeve presidenciale.

Votuesit për zgjedhjet parlamentare mund të votojnë duke rrethuar një nga numrat rendorë përpara 17 listave të kandidatëve për deputetë. Lista e kandidatëve për deputetë ka koalicioni për të ardhmen evropiane të udhëhequr nga LSDM, koalicionin e Fronti Evropian të udhëhequr nga BDI, koalicioni “Maqedonia juaj” e VMRO-DPMNE-së, koalicioni nga blloku opozitar shqiptar “Vlen”, koalicioni i udhëhequr nga GROM, partia politike e Majta, dhe parti të tjera.

Për raundin e dytë të zgjedhjeve presidenciale do të mund të votohen dy kandidatë:  Gordana Siljanovksa- Davkova nga VMRO-DPMNE, e cila fitoi 363.000 vota në raundin e parë, dhe presidenti aktual, Stevo Pendarovski nga LSDM, i cili mori 180 mijë vota.

Për të zgjedhur presidentin e ri të shtetit, duhet të marrin pjesë në votime rreth 40 për qind e qytetarëve apo 750.000 votues, që nënkupton në zgjedhje të dalin edhe votuesit e kandidatëve që u eliminuan në rundin e parë.

Kujtojmë se nëse zgjedhjet presidenciale dështojnë, atëherë mandati partisë fituese të zgjedhjeve parlamentare do t’ia ndajë kryetari në detyrë i Kuvendit, Jovan Mitrevski, dhe më pas të nisin procedurat për zgjedhje të reja presidenciale.

Kushtetuta e RMV-së, neni 81 thotë:

• Presidenti i shtetit në rast të pamundësisë që ta ushtrojë funksionin, Presidentin e Republikës e zëvendëson Kryetari i Kuvendit.

• Në qoftë se në rrethin e dytë të votimit asnjëri nga kandidatët nuk e ka fituar shumicën e nevojshme të votave, përsëritet e tërë procedura zgjedhore.

• Në rast të vdekjes, dorëheqjes, pamundësisë së përhershme që ta ushtrojë funksionin ose pushimit të mandatit sipas fuqisë së Kushtetutës, deri në zgjedhjen e Presidentit të ri të Republikës, funksionin e Presidentit të Republikës e ushtron Kryetari i Kuvendit.

Zgjedhjet zhvillohen me lista të mbyllura, sipas sistemit proporcional në gjashtë njësi zgjedhore dhe, në çdonjërën prej tyre, zgjidhen nga 20 deputetë.

Parlamenti i Maqedonisë së Veriut i ka 120 ulëse, ndërsa këto palë zgjedhje, janë zgjedhjet e para të dyfishta që mbahen në vend.

Parlamenti i ri i Maqedonisë së Veriut duhet të konstituohet brenda 21 ditëve nga shpallja e rezultatit përfundimtar të zgjedhjeve nga Komisioni Shtetëror i Zgjedhjeve.

Zgjedhjet e të 8 majit janë të 11-at që nga shpallja e pavarësisë së vendit dhe zgjedhjet e shtata presidenciale në përgjithësi.

Të fundit