E mërkurë, 8 Maj, 2024

MBI ARSIMIN, PËRSËRI!

Shkruan: Azis K.Pollozhani

Duke shpaluar shkresat e mia një pasdite me shi, mu shfaq fjala ime që e pata mbajtur në cilësinë e Ministrit të Arsimit dhe Shkencës  para studentëve dhe pedagogëve me rastin e legalizimit të USHT, pas aprovimit të Ligjit për legalizimin e Universitetit Shtetëror të Tetovës.

Veç emocioneve që më ngjallën kujtimet për ato çaste, në mendje se ç`mu ngulit një mendim: a thua  ç‘duhet të shkruaj për arsimin tonë të lartë sot? Për besë u gjeta ngushtë?!

Prandaj vendosa  ta riafirmoj të njëjtin fjalim të para gati dy dekadave, për më shumë se një arsye!

………………………………………………………………………………………………………..

Të dashur studentë! Të nderuar pedagogë!

 

Fillimisht dua të shpreh kënaqësinë time, që sot ndodhem këtu bashkë me ju, në këtë solemnitet i cili padyshim për të gjithë ne paraqet një ngjarje të veçantë.

Me të drejtë jemi të lumtur sepse ne sot hapim vitin e ri akademik universitar, për t’iu uruar studentëve dhe pedagogëve një vit të mbarë dhe të suksesshëm shkollor.

Ndërkaq, gëzimi ynë është akoma më i madh nga vetë fakti që ky solemnitet po organizohet pikërisht këtu në mjediset e Universitetin e Tetovës, për ta shënuar këtë kurorëzim të përbashkët.

Por, për mua kjo ditë e sotshme është e veçantë edhe për një fakt tjetër, sepse më rikujton të gjitha ato momente të përshkruara me peripeci nga më të ndryshmet në rrugën e mundimshme të legalizimit të Universitetit të Tetovës.

Për të ardhur deri në këtë ditë, besoj se nuk është e tepërt të them se, përpos dëshirës hyjnore të gjeneratave të reja për arsimim dhe dije, duhej edhe pjekuria juaj akademike dhe besimi për të ardhmen, e ardhme kjo për të cilën kësaj here u pajtuam bashkë dhe vendosëm me guxim, që ate ta bëjmë më të mirë, më dinjitoze. Duke ia vënë shpatullat edhe institucionalisht kësaj ngrehine të popullit, ne e rrumbullakësuam këtë proces për të filluar një etapë të re tani më të garantuar atë me Ligjin për themelimin e Universitetit Shtetëror në Tetovë.

Pra, sot e këndej hapet një faqe e re e historisë së shkollimit universitar në Maqedoni dhe të shqiptarëve këtu në veçanti. Është e admirueshme por edhe e kuptueshme mënyra se si ju promovuat, shfaqët dhe realizuat interesin dhe nevojën tonë të përbashkët për arsimim. Ju bëtë atë që ishit të detyruar ta bënit. Forma dhjetëvjeçare e shprehjes së këtyre kërkesave, nuk dallon aspak nga angazhimet e çdo populli për të njejtin qëllim.

Arsimimi i popullit është e drejtë themelore universale e njeriut, në të mirë të njerëzimit, dhe e cila si e drejtë është e pakontestueshme, e barabartë me të drejtën për jetë.

Edhe forma e shprehur e kërkesës për arsimim dhe rezistenca e këtij institucioni, do të shënohet si fazë e rëndësishme dhe e respektuar në rrugën e zhvillimit arsimor si dhe të raporteve demokratike në funksion të realizimit dhe promovimit të së drejtës universale për arsim, e me këtë edhe të zhvillimit gjithpërfshirës shoqëror të vendit.

Prandaj le të më lejohet që të shpreh mirënjohjen dhe respektin tim të thellë për të gjithë ata që kotnribuan dhe që ishin pjesë e këtij procesi. Dhe të tillë janë disa gjenerata profesorë dhe studentë të cilët me guxim dhe sakrificë i kanë dhënë provimet më të rënda duke e vërtetuar virtytin e qëndresës dhe të mbijetimit të këtij universiteti në kushte veçanërisht të vështira.

Ne sot duhet të jemi të vetëdijshëm se gjendemi para një provimit edhe më të vështirë të këtij Universiteti Shtetëror, ky është domosdoshmëria e verifikimit dhe promovimit të kualitetit këtu si dhe të kredibilitgetit shkencor dhe të organizimit të procesit mësimor në përputhje me kërkesat e kohës të personifikuara dhe të mpleksura në të ashtuquajturin Proces reformues të Bolonjës.

Ndaj duhet të vlerësojmë se është koha që të thuhet dhe të veprohet fuqishëm dhe pa hamendje në drejtim të konsolidimit të këtij isntitucionit të bazuar mbi vlerat, principe dhe standarde akademike ndërkombëtarisht të pranueshme dhe krahasueshme. Sepse vetëm kështu, këtë tempull të dijes do ta ngritnim në nivelin e duhur dhe ta bëjmë të denjë për vendin e tij në proceset integruese akademiko-arsimore dhe shkencore. Vetëm kështu ky institucion mund të bëhet kreator dhe pararendës edhe i politikave tjera integruese në vend, rajon dhe më gjerë.

Që kjo të arrihet, shpresoj se të gjithë e kemi të qartë se ne sot na nevojiten diç më tepër se deklarata të bukura dhe përcaktime parimore – verbale. Pra, para së gjithash të gjithë ne duhet të jemi të bindur se për të krijuar një institucion të mbështetur mbi vlerat akademike, institucion që do të jetë në shërbim të qëllimeve për çka ia vlejti edhe të sakrifikohet, mbetet edhe shumë për tu bërë.

Ne sot më shumë se kurrë na nevojitet një institucion arsimor që do të na përgatisë ne dhe të gjithë shoqërinë për një të ardhme më të mirë, më të begatë dhe më të denjë Por për këtë duhet punuar me përkushtim akademik dhe përgjegjësi qytetare, si individuale poashtu edhe kolektive. Duhet dëshmuar përgjegjësi dhe ndjenjë adekuate për domosdoshmërinë e ndërtimin e këtij institucioni në përputhje me nevojat e zhvillimit ekonomiko-shoqëror të vendit, por edhe duke ngelë gjithmonë i hapur për të gjithë dhe për çdo vlerë pozitive. I hapur dhe i gatshëm për bashkëpunim me të gjitha institucionet e arsimit të lartë në vend, rajon dhe më gjerë dhe i aftë dhe kompetent që të vihet në funksion të interesit publik në këto fusha. Dhe kjo e fundit sa është e rëndësishme të theksohet po aq është e vështirë të realizohet. E vështirë si për kompleksitetin gjithnjë e më të madh të interesit publik që si ngelet shumë kohë për përshtatje në rrjedhat e fuqishme globalizuese, integruese, teknologjike si edhe  për tendencat tradicionale të kohës që aktualisht dominojnë në rrjedhat universitare.

Tendenca këto që sipas filozofit Edgar Moren, i cili duke u marrë me reformat universitare në  botë, konstaton se “zhvillimi i demokracisë gjithëpërfshirëse është i mundur vetëm me riorganizimin e dijes që do të kishte për pasojë edhe reformimin e të menduarit, si nevojë imanente historike”. Sot në botë, sipas mendimit të po të njëjtit filozof, “ ne jemi viktima të dy tendencave të bazuara mbi mendjen e mbyllur – nga njëra anë kemi tendencën tekniko-burokratike të shkencës me pasoja parcializimi, duke përjashtuar dimensionin human, dhe nga ana tjetër kemi mendimin edhe më të mbyllur, i orientuar nga  ekskluziviteti etnik fetar dhe politik, i cili ka për pasojë vetizolimin dhe fragmentarizmin e dijes dhe planetit”. Prandaj sipas Morenit, mision i secilit universitet në botë është që  “si të rimendoj dhe harmonizoj kompleksitetin e raporteve njerëzore dhe nevojave të tyre  duke mbështetur diversitetin dhe duke u ballafaquar me sfidat e mileniumit të ri”.

Jemi të bindur se është Universitet, vendi ku do të gjinden rrugë dhe forma të tejkalimit të të gjitha sfidave si ato lokale, rajonale dhe globale, duke iu vënë  kështu më së miri  në shërbim gjeneratave të ardhshme, mirëqenjes dhe progresit të përgjishëm të njerëzimit.

 

Të fundit