E premte, 3 Maj, 2024

“MODELET” E MENDËSIVE TË DEPLASUARA PËRBALLË MODELEVE EUROPANE

Në çfarë modeli kroat dhe modeli tjetër të pakicave mund t’i definosh shqiptarët, të cilët me regjistrimin e fundit  përbëjnë 30 përqind të popullsisë së përgjithshme në Maqedoninë e Veriut. Shqiptarët në Maqedoninë e Veriut janë një realitet i paanashkalueshëm shtetëror, kulturor dhe gjuhësor që në asnjë rast nuk mund të përpjesëtohen me teori pakicash kombëtare, siç po përpiqen subjekte të caktuara, që përmes “modelesh bizare politike” t’i definojnë  në suaza të koncepteve të tyre monoetnike. Për këtë shkak, pa mendjemadhësi, pa krijuar dramacitete të panevojshme dhe pa rënë në situata konfliktualiteti të politikës ditore, është koha që përfundimisht të hiqet definimi nënçmues “20 përqind” për shqiptarët, për të cilën gjë janë prononcuar pozitivisht disa herë edhe partitë relevante në bllokun politik maqedonas. Ky korrigjim do të krijonte kohezion shtetëror dhe shoqëror dhe përfundimisht do ta vendoste Maqedoninë e Veriut në suaza të paradigmës europiane të diversitetit etnik, kulturor dhe gjuhësor.

Shkruan: Bardhyl Zaimi

Maqedonia e Veriut përsëri ndodhet përpara një sprove tepër të rëndësishme në rrugën e integrimit në Bashkimin Europian. Siç dihet, tashmë, pas miratimit të propozimit francez, rruga e vazhdimit të bisedimeve për anëtarësim në BE kushtëzohet nga ndryshimet kushtetuese, gjegjësisht përfshirja e pakicës bullgare në kushtetutë. Maqedonia e Veriut deri në vjeshtë do të duhet t’i bëjë ndryshimet kushtetuese, ndërkohë që tashmë është hapur debati i brendshëm politik për rëndësinë e këtyre ndryshimeve që i sigurojnë vendit të ardhme europiane.

Partitë opozitare maqedonase tashmë kanë theksuar se janë kundër ndryshimeve kushtetuese, ndërkohë që partia më e madhe opozitare VMRO-DPMNE ka shfrytëzuar si “casus beli” politik plasimin e idesë që të arrihet konsensus  politik për modelin kroat, që realisht nënkupton konceptimin e shtetit njëanshmërisht si shtet i popullit maqedonas dhe pakicave tjera. Në këtë peizazh politik aktual, partitë politike shqiptare kanë kërkuar që në ndryshimet e kushtetuese bashkë me përfshirjen e pakicës bullgare së shqiptarëve të hiqet edhe definimi nënçmues për shqiptarët në kushtetutë, të hiqet pra definimi “ 20 përqind” që i nënkupton shqiptarët.

Pa u future në taktizimet e partive politike, që sigurisht kanë legjitimitetin e plotë të mbrojnë pozicionet e tyre politike, një shpjegim mbetet i domosdoshëm në këtë situate, sepse prek në gjithë trajektoren e organizimit dhe angazhimit politik të shqiptarëve të Maqedonisë së Veriut, të cilët gjatë tërë kohës kanë treguar racionalitet të jashtëzakonshëm në të gjitha ata situata të komplikuara, që e kanë përcaktuar të ardhmen europiane të Maqedonisë së Veriut.

Shqiptarët e Maqedonisë së Veriut gjithnjë kanë treguar një mirëkuptim mbi çështjet identitare që kanë tanguar bashkëqytetarët maqedonas, një solidarizim për të manifestuar atë çfarë përfaqësojnë, në asnjë rast pa u futur në këtë debat me tendenca për të përfituar nga situatat që janë përcjellë edhe me nebuloza politike dhe gjeostrategjike, gjegjësisht me ndikime nga jashtë, që në esencë gjithnjë e kanë zhvendosur fokusin nga problemet me të tjerët në një përplasje të brendshme me qytetarët.

Ka një shqisë kolektive te shqiptarët e Maqedonisë së Veriut, që asnjëherë nuk ka gabuar në perceptimin e këtyre situatave identitare të mbuluara me nebulozë politike. Fatkeqësisht, gjithë ky mirëkuptim dhe gjithë ky qëndrim korrekt kolektiv i shqiptarëve të Maqedonisë së Veriut, i subjekteve politike dhe i gjithë aktorëve tjerë relevantë është atakuar padrejtësisht nga mendje mesjetare të apasievizuara, që si zgjatime politike tashmë fatkeqësisht po valorizohen te gjithë opozita maqedonase në formën e propozimit bizar të modelit kroat, që është tërësisht në kundërshtim me realitetin multietnik, multigjuhësor dhe multikulturor të shtetit të Maqedonisë së Veriut.

Në çfarë modeli kroat dhe modeli tjetër të pakicave mund t’i definosh shqiptarët, të cilët me regjistrimin e fundit  përbjnë 30 përqind të popullsisë së përgjithshme në Maqedoninë e Veriut. Shqiptarët në Maqedoninë e Veriut janë një realitet i paanashkalueshëm shtetëror, kulturor dhe gjuhësor që në asnjë rast nuk mund të përpjestohen me teori pakicash kombëtare, siç po përpiqen subjekte të caktuara, që përmes “modelesh bizare politike” t’i definojnë  në suaza të koncepteve të tyre monoetnike. Për këtë shkak, pa mendjemadhësi, pa krjuar dramacitete të panevojshme dhe pa rënë në situata konfliktualiteti të politikës ditore, është koha që përfundimisht të hiqet definimi nënçmues “20 përqind” për shqiptarët, për të cilën gjë janë prononcuar pozitivisht disa herë edhe partitë relevante në bllokun politik maqedonas. Ky korrigjim do të krijonte kohezion shtetëror dhe shoqëror dhe përfundimisht do ta vendoste Maqedoninë e Veriut në suaza të paradigmës europiane të diversitetit etnik, kulturor dhe gjuhësor.

Çështja e kultivimit të lirshëm të identitetit kulturor dhe gjuhësor mbetet jetike si për maqedonasit, poashtu edhe për shqiptarët. Çdo atakim ndaj këtij vetëidentifikimi, realisht përbën atak ndaj identitetit të një kulture, gjuhe dhe kombi. Pikërisht, në suaza të këtij koncepti inkluziv, që përjashton dmonimin duhet të ngritet mirëkuptimi identitar, vetëidentifikimi dhe afirmimi i vlerave të përbashkëta europiane.

Përtej politikës ditore, përtej taktizimeve politike, krijimi i një suazë të vetëidentifikimit kulturor dhe gjuhësor mbetet një nga kryeshtyllat e një shteti modern që njeh shumëllojshmërinë kulturore dhe gjuhësore, por edhe gjithë pluralitetet e brendshme politike dhe shoqërore.

Maqedonasit nuk humbin asgjë nëse shqiptarët përfshihen në kushtetutë me emër dhe mbiemër, sepse të drejtat, barazia e tjetrit në asnjë rast nuk e nënkupton cenimin e të drejtave të tjetrit entitet. Të drejtat, barazia, vetëidintifikimi gjuhësor dhe kulturor janë vlera themelore të Evropës së diversitetit, vlera të shteteve modern që pretendojnë të jenë pjesë e BE-së.

 

 

Të fundit