E shtunë, 20 Prill, 2024

PSE GABON VMRO-DPMNE KUR KËRKON MODELIN KROAT NË RMV?

Nëse Qeveria dëshiroi ta relativizonte përfshirjen edhe të bullgarëve etnik në kushtetutë, VMRO-DPMNE aty pa një temë tjetër – atë të gradacionit edhe më të theksuar midis etnive shtetformuese të Maqedonisë së Veriut, të cilat në preambulën e Kushtetutës së saj përmenden si “pjesë e popullit”.

Shkruan: Xhelal Neziri

Debati lidhur me ndryshimet kushtetuese ka tendenca të hapë tema të vjetra, politikisht të përdorshme, në Maqedoninë e Veriut. Obligimi për përfshirjen e bullgarëve etnikë në Kushtetutën e Maqedonisë së Veriut mund të rëndohet edhe me tema tjera, që do të preknin në themel Marrëveshjen e Ohrit. Nëse partitë opozitare shqiptare propozojnë që termi “20 për qind” të zëvendësohet me termin “shqipe/shqiptarë”, opozitarja maqedonase VMRO-DPMNE kërkoi modelin kroat të preambulës, ku shteti do të definohej jo si pronë e të gjithë shtetasve, por si e popullit maqedonas dhe e pakicave tjera.

Preambula e Kushtetutës kroate në fillim u përmend nga Qeveria, si shembull e hapjes së saj ndaj të gjitha etnive që jetojnë në Kroaci, përfshirë edhe ato me përqindje krejtësisht të parëndësishme. Pjesa ku përmenden pakicat thotë: “Duke u nisur nga faktet historike të paraqitura dhe parimet përgjithësisht të pranuara në botën moderne…, Republika e Kroacisë themelohet si shtet kombëtar i popullit kroat dhe shtet i pjesëtarëve të pakicave kombëtare autoktone: serbëve, çekëve, sllovakëve, italianëve, hungarezëve, hebrenjve, gjermanëve, austriakëve, ukrainasve, rusëve dhe të tjerë, të cilët janë shtetas të saj, të cilëve u garantohet barazia me qytetarët e kombësisë kroate dhe ushtrimi i të drejtave kombëtare në përputhje me normat demokratike të OUN dhe të vendeve të botës së lirë.”

Nëse Qeveria dëshiroi ta relativizonte përfshirjen edhe të bullgarëve etnik në kushtetutë, VMRO-DPMNE aty pa një temë tjetër – atë të gradacionit edhe më të theksuar midis etnive shtetformuese të Maqedonisë së Veriut, të cilat në preambulën e Kushtetutës së saj përmenden si “pjesë e popullit”. Pra, VMRO-DPMNE kërkon shtet ekskluziv të shumicës etnike maqedonase, ku pakicat tjera do të kishin një shkallë të caktuar të të drejtave etno-kulturore. Me këtë, partia e Hristijan Mickovskit tregon se nuk ka hequr dorë nga projektimi i Maqedonisë së Veriut si një shtëpi të popullit maqedonas, ku nga një dhomë me qera do të kishin edhe etnitë tjera më të vogla. Një koncept etnocentrik i dizajnimit të kombit politik modern, që u braktis pas Marrëveshjes së Ohrit të nënshkruar në vitin 2001.

Nëse ky koncept është treguar unifikues për kombin politik kroat, i njëjti është i pazbatueshëm në Maqedoninë e Veriut. Sipas regjistrimit të fundit, populli kroat përbën 91.63 për qind të popullësisë së përgjithshme, ndërkohë që etnia më e madhe janë serbët me 3.2 për qind. Njëzetenjë etni tjera që përmenden në preambulën e Kushtetutës kroate janë nën 1 për qind. Në Maqedoninë e Veriut populli maqedonas përbën 58.44 për qind të popullsisë, ndërkohë që etnia më e madhe janë shqiptarët me 24.3 për qind shtetas rezidentë. Mbi dhjetë etni tjera janë nën 4 për qind.

Shtetndërtimi nëpërmjet konstruimit të kombit në kuptimin politik,  duke lënë gati gjysmën e popullsisë si “qiraxhinj” në shtëpinë e përbashkët, ishte një gabim që u bë në vitet e 90-ta të shekullit të kaluar. Atëherë u vendos që shteti i një etnie të ngritët mbi realitetin shumetnik, gjë që solli përplasje të vazhdueshme politike që kulminuan me konfliktin e vitit 2001. Andaj, kërkesa e VMRO-DPMNE-së është kthim në vitet e mungesës së vizionit dhe përsëritje e gabimeve të njëjta me shpresë se do të japin rezultate tjera.

Kërkesa për heqjen e “20-përqindsëshit”, ndërkaq, ka mbetur e vetmja kauzë etnike për partitë shqiptare që assesi të kapin trendin e modernizimit. Deri më tani nuk ka pasur asnjë tentim për të hapur një debat konstruktiv, mbi një propozim konkret, që të binden shumica e deputetëve etnik maqedonas që të realizohet ky ndryshim. Tema e “20-përqindëshit” hapet përherë ku nismën e ndryshimeve kushtetuese e inicion një tjetër faktor. Ishte aktuale në vitin 2018, kur Greqia imponoi ndryshimet për të zbatuar Marrëveshjen e Prespës, dhe tash – kur Bullgaria kërkon që bullgarët etnik të bëhen pjesë e preambulës për të zbatuar Propozimin Francez. Viteve të fundit ka pasur disa momentume kur edhe LSDM edhe VMRO-DPMNE kanë thënë se janë të gatshme që të votojnë që termi “20 për qind” të zëvendësohet me “shqipe/shqiptarë”. Asnjëra nga partitë nuk i sfidoi me një propozim konkret, i cili do të futej në procedurë parlamentare si një projekt konsensual i të gjitha forcave relevante politike.

Ndryshimet kushtetuese në shtete me histori të përplasjeve politike dhe etnike janë si ndërhyrje kirurgjike mini-invazive, me fokus të qartë, me qëllim që të mos prodhohen komplikime shtesë. Tani këto ndryshime po imponohen nga Propozimi Francez, i miratuar vitin e kaluar nga parlamentet në Sofje dhe Shkup, që hoqi veton bullgare për nisjen e bisedimeve për anëtarësim në Bashkimin Evropian (BE). Miratimi i këtij dokumenti hapi rrugën vetëm për procesin e skriningut, pra të analizës se sa ligjet e vendit janë të harmonizuara me ato evropiane, por ky akt nuk e mënjanoi në tërësi rrezikun e rikthimit të vetos. Më konkretisht, vazhdimi i negociatave apo hapja e kapitujve të parë kushtëzohet me përfshirjen e bullgarëve etnikë në Kushtetutë. E për këtë kërkohen 80 nga 120 deputetë, gjë që qeveria aktuale nuk i ka. Kjo e bën VMRO-DPMNE-në faktor kyç nëse vendi do të arrijë të përmbushë obligimin kyç nga Propozimi Francez që të vazhdojë rrugën evropiane, ose do të rikthejë bllokadën bullgare.

Të fundit