E shtunë, 27 Prill, 2024

NJË “MARRËVESHJE E OHRIT” PËR PAJTIMIN PRISHTINË-BEOGRAD? ANALISTËT: ËSHTË E MUNDUR

Në një prononcim për kdp.mk, profesori universitar, Rrahman Paçarizi, thekson se hapi i dytë i negociatave në Ohër, mes kryeministrit të Kosovës Albin Kurtit dhe presidentit të Serbisë Aleksandër Vuçiçit, nuk do të shënojë ndonjë ndryshim të madh, kurse analisti Seladin Xhezairi, në një intervistë për emisionin “Ballkan Update” ka theksuar se pala kosovare dhe ajo serbe janë të detyruara që të firmosin marrëveshjen për planin franko gjerman.

Shkruan: Enis Shaqiri 

Më 18 mars 2023, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti dhe presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, do të takohen sërish nën ndërmjetësimin e BE-së, në Ohër.

Lajmin e ka konfirmuar edhe i dërguari i BE-së në këtë dialog, Mirosllav Lajçak, pas një takimi me zëvendëskryeministrin për Çështje Evropiane të Maqedonisë së Veriut, Bojan Mariçiq.

Ndërkaq, zyra e Bashkimit Evropian ka bërë të ditur agjendën e takimeve të 18 marsit që do të mbahen në Ohër. Atje do të jetë i pranishëm edhe Përfaqësuesi i Lartë i BE-së, Josep Borell bashkë me emisarin e BE-së për dialogun, Miroslav Lajcak.

Borell dhe Lajçak fillimisht do të mbajnë takime të ndara me Kurtin dhe Vuçiqin, e që më pas do të pasohet me një takim të nivelit të lartë trepalësh.

Siç edhe mësohet takimi do të fokusohet në finalizimin e Aneksit të Implementimit të Marrëveshjes që çon në rrugën drejt normalizimit të raporteve Kosovë- Serbi.

“Të shtunën më 18 mars, Përfaqësuesi i Lartë/Zëvendëspresidenti Josep Borrell do të thërrasë një takim të nivelit të lartë të dialogut Beograd-Prishtinë në Ohër, Maqedoni e Veriut. Presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiç dhe kryeministri i Kosovë, Albin Kurti konfirmuan pjesëmarrjen e tyre. Përfaqësuesi i Lartë dhe Përfaqësuesi Special i BE-së Miroslav Lajçak do të zhvillojnë takime të veçanta me liderët, pasuar nga një takim i përbashkët trepalësh. Takimi do të fokusohet në finalizimin e Aneksit Zbatues të Marrëveshjes së BE-së për rrugën drejt normalizimit të marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë”, thuhet në deklaratën e publikuar nga BE.

Mirëpo a do të jetë i suksesshëm propozimi “gjermano-francez” i cili u publikua si qëndrim i BE-së në fund të shkurtit 2023. për kompromis mes Kosovës dhe Serbisë, apo do të jetë dështimi i radhës?

Në një prononcim për kdp.mk, profesori universitar, Rrahman Paçarizi, thekson se hapi i dytë i negociatave në Ohër, mes kryeministrit të Kosovës Albin Kurtit dhe presidentit të Serbisë Aleksandër Vuçiçit, nuk do të shënojë ndonjë ndryshim të madh, që do të ndikojë në mënyrë të konsiderueshme në vendimin përfundimtar. Sipas tij, përfaqësuesit e lartë të Bashkimit Evropian (BE) kanë bërë përpjekje që edhe simbolikisht 18 marsin të shënohet si ditë e përfundimit të armiqësive ndërmjet Kosovës dhe Sërbisë.

Paçarizi: Kurti dhe Vuçiq, partizanë të qëndrimeve të forta

Takimi i Ohrit nuk besoj se do të shënojë ndonjë përparim substancial, ndonëse ndërmjetësuesit europianë kanë bërë përpjekje që edhe simbolikisht ta shënojnë 18 marsin si ditë e përfundimit të armiqësive ndërmjet Kosovës dhe Sërbisë. Arsyet për dyshime janë të shumta, por përveç mungesës së vullnetit të sinqertë për t’iu qasur një faze të re të marrëdhënieve Kosovë-Sërbi, palët kanë përpara një dokument në vija tepër të përgjithshme, i cili do kohë, mund dhe ekspertizë për t’u zbërthyer. Gjithashtu dokumenti ka aq shumë ambiguitete sa palët as vetë nuk e kanë të qartë se për çfarë janë dakorduar e çfarë do të bëjnë në Ohër, edhe pse ndërmjetësuesi Lajçak është shprehur i kënaqur nga takimi i tij në Prishtinë”, thotë ai.

Ndër të tjera, Paçarizi thotë se pengesat për normalizimin mes Kosovës dhe Serbisë janë e kaluara e kryeministrit Kurti dhe presidentit Vuçiq, të cilët sipas tij, njihen si partizanë të qëndrimeve të forta, të cilat i shkelin rrugës, por jo deri në masën e vetëflijimit politik.

Ai për fund thotë se formati i takimit, vendi i takimit dhe niveli i përfaqësimit ndërkombëtar që do të duhej të ishte garant i marrëveshjes nuk jep shpresa se takimi do të rezultojë i suksesshëm.

Kujtojmë se takimi i lartë përmendur mes Kosovës dhe Serbisë që do të mbahet në Ohër, është caktuar të jetë në përvjetorin e nënshkrimit të Marrëveshjes së Rambujesë. Nuk dihet ende nëse kjo është rastësi ose jo. Njëzet e katër vjet më parë, në po të njejtën datë, pra më 18 mars, është nënshkruar Marrëveshja e Rambujesë, dështimi i së cilës i hapi rrugë bombardimeve të NATO-s

Xhezairi: Marrëveshja Kosovë-Serbi, rruga drejt normalizimit të marrëdhënieve s’do të jetë e lehtë

Nga ana tjetër, analisti Seladin Xhezairi, në një intervistë për emisionin “Ballkan Update” ka theksuar se pala kosovare dhe ajo serbe janë të detyruara që të firmosin marrëveshjen për planin franko gjerman, për të cilën u dakordësuan gjatë takimit të mbajtur me 27 shkurt në Bruksel.

Pavarësisht marrëveshjes, Xhezairi ka shtuar se rruga drejt normalizimit të marrëdhënieve mes dy vendeve do të jetë e vështirë.

Burime nga qeveria e Maqedonisë së Veriut më lanë të kuptoj se përgatitjet po bëhen intensive që krerët e dy shteteve dhe të dërguarit euro-amerikan të mirëpriten në Ohër me 18 të këtij muaji. Atëherë kemi për të parë se ku qëndron deklarimi hë për hë verbal i të dyja palëve me qëllim të vënies në jetë të kësaj marrëveshje. Pas takimit në Bruksel, si Vuçiç dhe Kurti lanë të kuptohet se rruga e normalizimit të plotë të marrëdhënieve nuk do të jetë aq e kollajshme”, ka thënë Xhezairi.

Pse në Ohër?

Sipas analistit Xhezairi, ndërkombëtarët zgjodhën Ohrin “për të dëshmuar atë që kur Evropa dhe SHBA janë unike, siç ishin në vënien në jetë të Marrëveshjes së Ohrit në 2001, të njëjtën do ta bëjnë për të dytën herë edhe në rastin e Kosovës dhe Serbisë, e detyrimit të të dyja palëve që të normalizojnë marrëdhëniet e tyre.”

Të njëjtin mendim e ka ndarë edhe Ministri i Jashtëm i Maqedonisë së Veriut, Bujar Osmani. Ai për mbajtjen e takimit në Ohër ka thënë se plani franko-gjerman mund të marrë formën përfundimtare në Ohër dhe se caktimi për takimi në këtë qytet ka simbolikën për shkak të suksesit të Marrëveshjes së Ohrit

“Fakti që tani është bërë përparim serioz në Bruksel, fakti që ky progres mund të marrë formën e tij përfundimtare në Ohër, para se gjithash, e ka simbolikën e vet për shkak të suksesit të Marrëveshjes së Ohrit, e cila ofron një model. për zgjidhjen e çështjeve etnike dhe është njohje e Maqedonisë së Veriut”, ka thënë ai.

Ndryshe, burimet diplomatike të Nova TV theksojnë se kryediplomati i BE-së, Josep Borell, e sheh se Maqedonisë Veriore duhet t’i jepet njohja si partner strategjik si dhe për sukseset me Marrëveshjen e Prespës dhe Ohrit, të cilat BE-ja i vlerëson si shembuj për zgjidhje të mosmarrëveshjeve.

Ndërsa kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, gjatë Forumit Ekonomik Delphi, të mbajtur në Shkup javë më parë, ka treguar arsyet e tij se pse BE-ja zgjodhi Maqedoninë e Veriut për takimin e ardhshëm me Vuçiqin. Sipas tij, si një ndër elementet që mund të ketë ndikuar në përzgjedhjen e këtij vendi është se më 9 qershor të vitit 1999 është nënshkruar marrëveshja e Kumanovës më të cilin akt kapitulloi edhe Jugosllavia e Millosheviqit dhe hyrja e forcave të NATO-s.

Mos të harrojmë se më 9 qershor të vitit 1999 në Kumanovë u nënshkrua kapitullimi i Jugosllavisë së Millosheviqit dhe hyrja e forcave të NATO-s. Mendoj se këto elemente simbolike të Maqedonisë së Veriut ishim të rëndësishme për Përfaqësuesin e Lartë të BE-së, Josep Borrell, që të na ftoj në Maqedoni për takimin e radhës të nivelit të lartë,” ka thënë Kurti.

Takimi i fundit Kurti-Vuçiq u mbajt më 27 shkurt në Bruksel. Kurti dhe Vuçiq zyrtarisht pranuan propozimin e Bashkimit Evropian për normalizmin e marrëdhënieve mes dy vendeve. Ndërkohë, siç mësohet, presidenti serb, Aleksandar Vuçiq, ka përjashtuar kategorikisht mundësinë e nënshkrimit të një marrëveshje për të njohur ‘de jure apo de facto’ Kosovën, transmeton Beta.

Nuk do të jem unë ai që do ta nënshkruaj pavarësinë e Kosovës, më vjen turp të shkoj nëpër Serbi dhe të justifikohem para askujt. Nuk ka dorëzim, ne nuk do ta njohim pavarësinë e Kosovës as de facto, as de jure, por ne duam paqe me shqiptarët, duam marrëdhënie të mira”, ka thënë Vuçiq

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

Të fundit