E premte, 26 Prill, 2024

DISKURSET E BUNKERIZIMIT PATETIK

Një gjë mbetet e sigurt që përmes këtyre diskurseve patetike vetëm mund të zgjatet agonia shoqërore dhe në asnjë rast nuk do të mund të hyjmë në interpretime paradigmash moderne që zbërthejnë dhe kahëzojnë shoqërinë shqiptare drejt vlerave të mirëqena. Bunkerizimet patetike do të na mbajnë edhe gjatë kohë në dimensione viktimizuese, në një lloj hapësire publike të dominuar nga zhurma bjerrakohëse protagonistësh sezonalë.

Shkruan: Bardhyl Zaimi

Shkrimet në hapësirën publike imponojnë qasjen deontologjike dhe për më tepër analizojnë dhe afishojnë interesin e pëgjithshèm që determinohet nga më tepēr aktorë të jetës demokratike. Ato përfaqësojnë një lloj vetëdije racionale mbi realitetet e shumta dhe një lloj interpretimi që gjithnjë ka parasysh një kompleksitet faktorësh të shumtë brenda pluralitetit politik, shoqëror, kulturor dhe social. E vërteta si idealitet njerēzor, por nganjëherë edhe si klishe e paravendosur në këto shkrime shihet brenda këtij kompleksiteti që pērfshin një gamë të gjerë antagonizmash, besimesh, preferencash që në të shumtën e rasteve ndërlidhet me fuqinë e pushtetit si shfaqje me shumë futyra. Perceptimi konvencional, i klishetizuar, miltant dhe përfitues zakonisht bërtet vetëm për një të vërtetë të painterprerieshme që në shumicën e rasteve vjen si dalldi dogme ideologjike, si fiksim dhe gati gjithnjë si artikulim thellësisht egocentrik botêformimesh të njëanshme.

Ju mund ta merrni me mend se sa e vështirë është të jesh i pranishëm në hapēsirën publike dhe në të njëjtën kohë të shkruash përtej skemave të paravendosura që e kanë absolutizuar të vërtetën deri në dogma të gërditshme argumentimesh sterile. Ju mund ta merrni me mend se sa të trishta mund të jenë goditjet brutale përmes këtyre optikave të ngurta asgjësuese, sidomos kur ndërlidhen me interese personale dhe me rebelime egocentrike që shiten si interes i përgjithshëm apo si bunker mendime vërtetësie absolute. Të mos flasim kur vijnë si sharje, ofendime dhe synim zhbërjesh plebeje nga rojtarë moralesh të paqena që zakonisht “mendojnë” vetëm nëpërmjet algoritmit të thjeshtëzuar binar bardh e zi.
Hapësira publike shqiptare është larg debatit të mirëqenë, është larg mendimit kritik argumentues, larg procedimeve durimtare që ananalizojnë, larg leximit kritik kreativ që vë gishtin në plagët shqiptare dhe që jep udhë zgjidhjesh racionale. Hapësira publike tërësisht duket se është në dimensione pamendimi, në dimensione reagimesh çasti qê më tepër shpërfaqen si diskurse mllefi dhe inatesh, pa arritur që të thellohen në esencën e vertetë të probleme. Kjo ndodh për shkak të mosleximit, të mosnjohjes dhe të mungesës totale të përgjegjësisë profesionale. Ndodh edhe për shkak të një dëshire nganjeherë të pacipë për protagonizëm tërësisht egocentrik qê nuk e njeh sheshin e altruizmit njerëzor që pranë në dije, përkorje dhe mëlcim humanizmi.
Sëkëndejmi, tashmë gjatë kohë sheshi i mendimit mbetet i bunkerizuar dhe i përtharë në diskurse joproduktive që nuk arrijnë të artikulojnë shfaqjet e realiteteve të reja që kërkojnë interpretime tjera teorish moderne. Është një lloj ngujimi që stimulohet nga mendje të robëruara, të cilat nuk duan që të prishet paqa e ” përjetshme” qê vjen si diskurs dhe logjikë supremacie injorante.
Një gjë mbetet e sigurt që përmes këtyre diskurseve patetike vetëm mund të zgjatet agonia shoqërore dhe në asnjë rast nuk do të mund të hyjmë në interpretime paradigmash moderne që zbërthejnë dhe kahëzojnë drejt vlerave të mirëqena shoqërinë shqiptare. Bunkerizimet patetike do të na mbajnë edhe gjatë kohë në dimensione viktimizuese, në një lloj hapësire publike të dominuar nga zhurma bjerrakohëse protagonistësh sezonal.

Është koha që në sheshin e mendimit publik të zë vendin dija, racionaliteti, ndjeshmëria kritike kreative dhe mbi të gjitha një procedim durimtar mbi plagët shqiptare që ka kohë që presin shërim nëpërmjet zgjidhjesh të pērgjegjshme.

 

Të fundit