E diel, 5 Maj, 2024

GRATË-SHTYLLA TË HARMONISË DHE NDËRVEPRIMIT

Arbana Pasholli: “Jemi nëna, bashkëshorte, vajza, motra, shoqe, jemi shtylla të harmonisë dhe ndërveprimit në familje, por njëkohësisht jemi edhe profesioniste në fusha të ndryshme. Gratë kanë gjithmonë një tendencë më të theksuar për të përcjell vlera, për të qenë modele të sjelljes korrekte dhe të matura në veprime, të përkushtuara të përhapin dije, të kujdesen dhe vlerësojnë dhe për të dhënë shembull veçanërisht për vajzat e reja dhe për të rinjtë në përgjithësi”

Shkruan: Gentuar Ismaili

Tradicionalisht 8 marsi nëpër botë shënohet me protesta dhe me aktivitete të tjera, kurse tek ne kjo ditë u shënua me marshe simbolike për ngritjen e vetëdijes sa i përket të drejtave të grave.

Disa organizata të shoqërisë civile mbajtën marsh paqësor, duke iu rikujtuar institucioneve që çështjet e grave nuk janë çështje të dorës së dytë.

Deputetja nga radhët e BDI-së, Arbana Pasholli, vuri në spikamë sakrificën e grave, ndërsa mes tjerash theksoi se gratë janë shtylla të harmonisë dhe të ndërveprimit në familje, por njëkohësisht profesioniste në fusha të ndryshme.

“Jemi nëna, bashkëshorte, vajza, motra, shoqe, jemi shtylla të harmonisë dhe ndërveprimit në familje, por njëkohësisht jemi edhe profesioniste në fusha të ndryshme. Gratë kanë gjithmonë një tendencë më të theksuar për të përcjell vlera, për të qenë modele të sjelljes korrekte dhe të matura në veprime, të përkushtuara të përhapin dije, të kujdesen dhe vlerësojnë dhe për të dhënë shembull veçanërisht për vajzat e reja dhe për të rinjtë në përgjithësi”, theksoi deputetja Pasholli.

Ndërkaq, ajo më tej shton se  në ditën ndërkombëtare të gruas shpreson që çdo vajzë dhe grua të guxojë të ëndërrojë dhe të luftojë për ëndrrat e saj.

“Një grua me guxim dhe ambicie për zhvillim profesional sfidon veten, por edhe mjedisin në të cilin jeton dhe unë besoj se suksesi i secilës prej nesh nuk është i rastësishëm. Është një përzierje vlerash, shumë përpjekje por edhe këmbëngulje për të kapërcyer sfidat si dhe mbështetje mbi të gjitha nga gratë e rëndësishme në jetën tonë”, theksoi deputetja Pasholli.

Dita ndërkombëtare e 8 marsit çdo vit nëpër vende të ndryshme shoqërohet me aktivitete të ndryshme simbolike, rikujton lëvizjen e parë të grave për të drejta të barabarta, por që paralelisht shënohet si festë.

Të fundit