E enjte, 25 Prill, 2024

DOKUMENTAR: SHOQËRIA CIVILE MOTOR I ZHVILLIMIT TË RAJONIT

Në një dokumentar të KDP-së, përfaqësues të organizatave joqeveritare theksojnë se roli i shoqërisë civile mbetet çelës për një aktivizëm më të madh qytetar, por edhe për përfshirje sociale. Ata gjithashtu theksojnë se ky rol mbetet vendimtar në procesin e demokratizimit dhe zhvillimit të rajonit, në promovimin e diversitetit si dhe në ofrimin e zgjidhjeve për shumë probleme që tangojnë qytetarët. Përfshirja dhe angazhimi i të rinjve gjithashtu mbetet një dimension i rëndësishëm në punën e shoqërisë civile.   

Shoqëria civile përfaqëson një koncept të gjerë të pjesëmarrjes së individit për të zgjeruar dhe konsoliduar liritë dhe të drejtat e njeriut. Kontributi i organizatave qytetare kap dimensionet thelbësore të kultivimit të një shoqërie të hapur, solidare dhe humane.  Shoqëria civile gjithashtu ofron një protagonizëm qenësor për tolerancë dhe mirëkuptim, që janë vlerat bazë të demokracisë. Roli i shoqërisë për demokratizimin dhe zhvillimin e rajonit mbetet vendimtar.

Përfaqësues të shoqërisë civile theksojnë se roli i shoqërisë mbetet çelës për një aktivizëm më të madh qytetar, por edhe për përfshirje sociale.

Sreten Kocevski nga Instituti për Zhvillim të Bashkësisë thotë se shoqatat kanë luajtur një rol kryesor edhe sot akoma e kanë këtë rol, për t’iu ndihmuar qytetarëve. “Punojmë në arsimin joformal, përfshirjen sociale, shëndetësi dhe në të gjitha ato sfera ku mendojmë se mund të japim kontributin tonë”, thotë ai.

Ndërkohë, Arianit Xhaferi nga Eco Guerilla thotë se shoqëria civile ka një rol shumë të rëndësishëm në demokratizimin e vendit, jo vetëm të një qyteti, rajoni, por një shteti të tërë, për shkak se ndodh shpeshherë, ndodh rëndom që autoritetet e vendit, qofshin ato lokale, qofshin qendrore, d.m.th qoftë qeveria lokale, qoftë qeveria qendrore nuk janë mjaftueshëm të informuar me problemet e qytetarëve, nuk janë mjaftueshëm afër këtyre problemeve dhe shpeshherë nuk kanë ide si t’i zgjidhin këto probleme.

“Prandaj shoqëria civile është e rëndësishme në këtë aspekt që jo vetëm t’i identifikojë problemet dhe rrethanat që lidhen me ato problem, por poashtu here pas here në bazë të komunikimeve, kontakteve që kemi me qytetarët të ofrojmë zgjidhje sipas nevojave të tyre”, thotë Xhaferi.

Ai gjithashtu thotë se dituria që ekziston në shoqërinë civile shpeshherë mbetet e papërdorur mjaftueshëm dhe si rezultat i kësaj problemet sa vijnë e thellohen dhe nuk po zgjidhen. Sipas tij, qeveria dhe komunat sa herë që bien ngushtë e kërkojnë ndihmën e shoqërisë civile sa për të thënë, sa për të dalë në media të thonë se autoritetet po komunikojnë me sektorin civil.

Orhan Ceka nga Instituti Alternativa Liberale thotë se koncepti bazë i demokracisë është që të ketë një diversitet. “ Të ketë mendime të ndryshme, të ketë mundësi secili qytetar ta shpreh mendimin tonë ashtu siç e kemi, me bindjen që e kemi ne pa ia ndaluar tjetrit ose pa ia privuar tjetrit të ketë dhe të shfaq mendimin e vetë. Si organizatë kemi vendosur fokusin në punën me të rinjtë, për shkak se jemi në Tetovë, kemi tetë shkolla të mesme, dy universitete, dhe kur filluam ishim edhe ne të rinj, kështu që kishte logjikë të fillojmë me angazhimin e të rinjve, me rritjen e kapacitetit të të rinjve në aspekt të qytetarisë, në aspketin e angazhimit në komunitet”, thotë Ceka.

Sipas tij. është shumë e rëndësishme që ne të punojmë drejt një bashkëjetese ndërmjet individëve të cilët vijnë nga grupe të ndryshme etnike.

Ky dokumentar është prodhuar në kuadër të projektit të mbështetur nga NED. 

Dokumentarin e plotë mund ta ndiqni në linkun e mëposhtëm:

 

Të fundit