E premte, 3 Maj, 2024

SHUMICË E RE PARLAMENTARE ME VETËM NJË DEPUTET MË SHUMË!

Ndonëse shumica e re pritej të numëronte 69, minusi prej 4 deputetë përbëhet nga dy deputetë të BDI-së dhe një i pavarur, të cilët së bashku funksionojnë brenda fraksionit “Grupi i Zjarrit”, dhe një deputet i partisë DS. Ky riorganizim nuk siguroi një shumicë të fortë, por është mjaftueshëm i qëndrueshëm që kjo qeveri të përfundojë mandatin për herë të parë që nga viti 2006. Por ka edhe një pengesë ku qeveria mund të rrëzohet…

 

Shkruan: Xhelal Neziri

E formuar gjatë kulmit të pandemisë në vitin 2020, kjo përbërje qeveritare do të mbahet mend për ndryshimet e shpeshta të ministrave dhe partnerëve të koalicionit. Nga numri i përgjithshëm i anëtarëve (21), madje gjysma e tyre janë zëvendësuar për tre vjet, përfshirë edhe një kryeministër. Deri në fund të mandatit në vitin 2024 pritet të ndërrohet edhe kryeministri aktual, pasi në tre muajt e fundit pozita e parë në qeveri t’i kalojë BDI-së, sipas marrëveshjes për qeverisje që kjo parti ka me LSDM-në.

Në këtë trevjeçar ka pasur një “tollovi” para portave të qeverisë sa i përket hyrje-daljeve të partive politike. Në fillim të mandatit në vitin 2020, BESA ishte pjesë e qeverisë si partnere e koalicionit parazgjedhor të LSDM-së. Një vit më vonë, në 2021, BESA del nga qeveria për të hyrë në Alternativë. Pas më pak se dy vitesh Alternativa largohet nga qeveria për t’u futur Aleanca për Shqiptarët (ASH).

Të gjitha këto lëvizje vijnë në një periudhë skajshmërish të paqëndrueshme politike, në prag të Luftës së Tretë Botërore. Agresioni rus kundër Ukrainës pati një ndikim negativ jo vetëm në rrafshin  ekonomik, por edhe në situatën e brendshme politike në vendet e Evropës. Si anëtari më i ri i NATO-s, i cili u rreshtua fuqishëm pas Perëndimit, Maqedonia e Veriut sigurisht që nuk u kursye nga ndikimet e dëmshme. Këto ndikime të dëmshme pa dyshim kontribuuan në këtë rrjedhë të ngjarjeve brenda, ku politika nuk shihet si arenë e artikulimit të interesave të votuesve, por vetëm si një mënyrë për të marrë pushtet dhe para.

Ky tërmet i vazhdueshëm politik po ndodhte edhe në kohën kur problemi ndërmjet Kosovës dhe Serbisë po shtyhej drejt zgjidhjes. Beogradi dhe Prishtina u përballën me presion të ashpër ndërkombëtar për të arritur një marrëveshje, të propozuar nga Franca dhe Gjermania dhe të mbështetur nga BE dhe SHBA, për të “çmontuar” “bombën” e fundit në Ballkanin Perëndimor të trazuar. Ky presion i bëri palët të pranonin zgjidhje që në të kaluarën ishin materiali kryesor për ndërtimin e narrativave populiste në të dy vendet: Serbia duhet të njohë realisht Kosovën dhe Kosova duhet të krijojë një komunitet të komunave serbe.

Ky proces mund të bëhet temë apo material për subjektet politike jashtë Kosovës apo Serbisë. Pasi u gjet në opozitë, Alternativa doli me idenë e aplikimit e modelit të “bashkësisë së komunave” edhe për shqiptarët etnik në Maqedoninë e Veriut. Jo vetëm me këtë propozim, por vite me radhë po tërhiqet një paralele krejtësisht e gabuar mes të drejtave dhe përqindjes së serbëve etnikë në Kosovë me ato të shqiptarëve etnikë në Maqedoninë e Veriut. Të drejtat e serbëve etnikë në Kosovë janë rezultat i negociatave ndërmjet dy shteteve, të cilat nuk e njohin njëri-tjetrin, ndërsa të drejtat e shqiptarëve etnikë në Maqedoninë e Veriut janë epilog i një procesi të brendshëm politik me veçori që nuk krahasohen me vendet e tjera. Personalisht më habit tendenca për të kopjuar zgjidhje të këqija nga fqinjësia e për t’i shitur në vend si të mira. Më së miri do të ishte që Alternativa të kishte ofruar Marrëveshjen e Ohrit si zgjidhje për situatën e brendshme në Kosovë, por edhe në këtë rast kjo zgjidhje është e pazbatueshme atje për shkak të veçorive të kontestit Beograd-Prishtinë. Ndryshe nga Maqedonia Veriperëndimore, komunat me shumicë serbe etnike në veri të Kosovës janë gjeografikisht kompakte, pothuajse monoetnike dhe kanë tendenca separatiste të inkurajuara nga Beogradi. Ai realitet nuk është i pranishëm këtu, ku nga gjithsej 80 komuna, shqiptarët etnikë janë shumicë në 15, ndërsa në 19 janë mbi 20 për qind. Së fundmi, një model i tillë do ta anulonte Marrëveshjen Kornizë të Ohrit, ku thuhet qartë se nuk do të ketë zgjidhje territoriale për çështjet etnike. Me një fjalë, një ide e tillë është jashtë kohës dhe hapësirës pasi sot vendi është anëtar i NATO-s, dhe sfida kryesore është integrimi në BE.

Sidoqoftë, votimi i qeverisë së re tregoi se ajo mbështetet në një shumicë parlamentare prej 65 deputetësh. Një më shumë se shumica e mëparshme, ajo me Alternativën dhe pa Aleancën për Shqiptarët. E para doli me 4, e dyti hyri me 8 deputetë. Ndonëse shumica e re pritej të numëronte 69, minusi prej 4 deputetë përbëhet nga dy deputetë të BDI-së dhe një i pavarur, të cilët së bashku funksionojnë brenda fraksionit “Grupi i Zjarrit”, dhe një deputet i partisë DS. Ky riorganizim nuk siguroi një shumicë të fortë, por është mjaftueshëm i qëndrueshëm që kjo qeveri të përfundojë mandatin për herë të parë që nga viti 2006. Por ka edhe një pengesë ku qeveria mund të rrëzohet: ndryshimet kushtetuese për përfshirjen e bullgarëve etnikë në Kushtetutë, si detyrë e ndërmarrë vitin e kaluar me Propozimin francez, i cili hoqi veton për negociatat me BE.

Të fundit