E premte, 17 Maj, 2024

ESCOBAR: PRESIM QË SERBIA E KOSOVA TË ZBATOJNË ATË QË E PRANUAN NË BRUKSEL

I dërguari amerikan për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar e cilësoi të martën hap të rëndësishëm pajtimin e djeshëm të Kosovës dhe Serbisë me propozimin evropian për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet tyre. Zoti Escobar tha në një takim on-line me gazetarë se pas pajtimit të një natë me parë palët duhet të fillojnë menjëherë diskutimet për zbatimin e propozimit evropian, por edhe përmbushjen e marrëveshjeve të deritashme, përfshirë edhe atë për Bashkësinë e komunave me shumicë serbe në Kosovë.

“Qëndrimi ynë është se ajo marrëveshje është ndërkombëtare, ligjërisht e detyrueshme që duhet të zbatohet. Kjo kërkesë është në marrëveshjet e Brukselit, në këtë marrëveshje, në qëndrimet e Këshillit Evropian dhe është pjesë e politikës amerikane”, – tha zoti Escobar, duke nënvizuar se Asociacioni duhet të zbatohet asisoj që të paraqesë fitore për të dyja palët, por që nuk bie ndesh me kushtetutën e Kosovës dhe funksionalitetin e saj.

“Jam i bindur qe me këtë marrëveshje bazë, me pajtimin e djeshëm Kosova e ka kuptuar që kjo duhet të përmbyllet. Nuk dua të vendos afate kohore, mirëpo dua të them se diskutimi duhet të nisë menjëherë”, – tha ai.

Zoti Escobar tha se, sikurse transmeton kdp.mk, njoftimin e Zërit të Amerikës, marrëveshja bazike për të cilën palët u pajtuan dje, vendos kushtet për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet tyre duke shfaqur besimin se marrëveshja do të zbatohet.

“Shpresoj shumë dhe pritjet tona janë të larta për këtë marrëveshje. Ajo që është e re është jo vetëm serioziteti i të dyja qeverive por edhe partnerëve evropiane që kjo të ndodhë në hijen e një prek krizave më të mëdha që Evropa ka parë që nga Lufta e Dytë Botërore”, – tha zoti Escobar.

Udhëheqësit e Kosovës dhe Serbisë u pajtuan të hënën për një marrëveshje të mbështetur nga Perëndimi për normalizimin e marrëdhënieve, por nuk pati nënshkrim dokumenti për shkak të mospajtimeve për zbatimin e saj, që do të kërkojë me shumë bisedime.

Në propozim nuk përfshihet njohja e ndërsjellë, ndonëse kërkohet që palët të respektojnë pavarësinë, sovranitetin dhe tërësinë tokësore të njëra-tjetrës.

“Propozimi evropian nuk është për njohjen reciproke, por për normalizim. Pse ne e mbështesim këtë propozim tani, nuk nënkupton se ne nuk besojmë në idenë që për të qenë një rajon i shëndetshëm të gjitha shtetet e Ballkanit Perëndimor duhet ta njohin njëri tjetrin”, – tha zoti Escobar.

Zëri i Amerikës njofton, po ashtu, se i dërguari amerikan, nuk i është përgjigjur pyetjes konkrete se cilat pengesa mund të paraqitjen gjatë procesit të zbatimit të asaj për të cilën dy palët kanë rënë dakord:

“Ka edhe (pengesa) administrative dhe politike. Nuk dua të flas paraprakisht për diskutimet e ardhshme, por marrëveshja bazë për të cilën të dyja palët ranë dakord jep udhëzime për zbatimin dhe normalizimin e marrëdhënieve. Sinqerisht, ka pengesa, por ka edhe mundësi, dhe më mbanë shpresa se do të gjejmë një mekanizëm për të zbatuar gjithçka – përfshirë edhe Bashkimin e Komunave Serbe, si dhe do të tejkalohen edhe vështirësitë e mëhershme lidhur me targat, diplomat dhe dokumentet personale”- ka thënë i dërguari i posaçëm amerikan për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar.

 

Të fundit