E enjte, 2 Maj, 2024

PULSI EUROPIAN I NJË ASPIRATE HISTORIKE

Pikërisht në këto koordinata duhet të shihet edhe gjithë angazhimi i subjekteve politike shqiptare, gjithë sensi politik që duhet të interferojë me vlerat europiane. Është pjekuri politike, që pavarësisht betejave, subjektet politike shqiptare të ruajnë brenda vetes këtë konstantë orientimi politik dhe kulturor të afishuar me kohë edhe si vullnet demosi ndër shqiptarët. Sigurisht, subjektet politike shqiptare, në asnjë rast, pavarësisht nga dëshpërimet momentale që mund t’i kenë nuk duhet të lëshohen në ide politike kundërshtimesh të përkohshme, por duhet të ruajnë brenda vetes së tyre konstantat e angazhimit që tashmë janë sublimuar në idenë për barazi të plotë të shqiptarëve në Maqedoninë e Veriut. Padiskutim, qytetarët shqiptarë në të gjitha sondazhet relevante kanë shfaqur vullnetin e pakontestueshëm të orientimit europian, që realisht paraqet edhe konstantën e tyre identitare, që vjen si aspiratë historike.

Shkruan: Bardhyl Zaimi

Në Ballkanin e trazuar gjithmonë do të ketë kthesa historike dhe gjithmonë do të ketë një raport për t’u interpretuar me Europën. Në një kontekst të këtillë kthese historike ndodhet përsëri Ballkani sidomos pas luftës në Ukrainë, gjegjësisht pas agresionit brutal të Rusisë mbi populli ukrainas. Rirreshtimet gjeostrategjike tashmë po fillojnë të formësohen, ndërkohë që dy pika të nxehta në rajon, bisedimet mes Kosovës dhe Serbisë dhe ndryshimet kushtetuese në Maqedoninë e Veriut, siç duket brenda kohës do t’i japin kuptimin gjithë orientimit të rajonit në të ardhmen. Pikërisht, në këtë konstelacion të komplikuar shfaqen edhe dinamika tjera në jetën politike, por edhe lloje të ndryshme të protagonizmit politik që kërkojnë vëmendje politike. Sigurisht e gjithë kjo mbetet legjitime në kuadër të pluralizmit politik dhe të funksionimit të demokracisë, por me raste këto ide politike, kur afishohen pa i menduar mirë dhe mbase në një  kohë të gabuar mund të krijojnë huti dhe paralelizëm të paqenë. Analistë të vëmendshëm tashmë disa herë kanë theksuar se kjo është një kohë finalitetesh politike që kërkon mbi të gjitha dije, pjekuri, rreshtim i duhur dhe rezonancë me gjithë përpjekjen e Europës dhe botës perëndimore për ta rikonceptuar dhe riartikuluar vizionin e saj në raport me Rusinë, e cila po këmbëngulë që me brutalitetin e forcës të ruajë doktrina të së kaluarës që paraqesin kërcënim për gjithë sistemin e sigurisë ndërkombëtare.

Pikërisht në këto koordinata duhet të shihet edhe gjithë angazhimi i subjekteve politike shqiptare, gjithë sensi politik që interferon me vlerat europiane. Vlerësohet si pjekuri  dhe maturi, që pavarësisht betejave politike, subjektet politike shqiptare të ruajnë brenda vetes këtë konstantë orientimi politik dhe kulturor të afishuar me kohë edhe si vullnet demosi ndër shqiptarët. Sigurisht, subjektet politike shqiptare, në asnjë rast, pavarësisht nga dëshpërimet momentale që mund t’i kenë nuk duhet të lëshohen në ide politike kundërshtimesh të përkohshme, por duhet të ruajnë brenda vetes së tyre konstantat e angazhimit që tashmë janë sublimuar në idenë për barazi të plotë të shqiptarëve në Maqedoninë e Veriut. Padiskutim, qytetarët shqiptarë në të gjitha sondazhet relevante kanë shfaqur vullnetin e pakontestueshëm të orientimit europian, që realisht paraqet edhe konstantën e tyre identitare që vjen si aspiratë historike.

Sigurisht, në betejat politike do të kemi edhe përplasje konceptesh, dinamika politike identifikimesh partiake, varësisht nëse një parti është pushtet ose opozitë, që mbeten normale për jetën demokratike. Dhe, sigurisht, asnjë ide politike nuk mund të demonizohet. Por, kalimet nga një koncept në tjetrin gjithnjë duhet të jenë të natyrshme dhe pa sforcime dhe gjithnjë duke pasur parasysh kontekstet e caktuara gjerostrategjike dhe proceset politike që janë në epiqendër të faktorit ndërkombëtar, siç është në këtë rast procesi i dialogut mes Kosovës dhe Serbisë dhe ndryshimet kushtetuese në Maqedoninë e Veriut.

Siç po shihet tashmë, për shkak të luftës në Ukrainë dhe për shkak të shqetësimeve që Ballkani mund të jetë një poligon tjetër për bartje të destabiliteteve, kemi një impenjim shumë më të madh të faktorit ndërkombëtar në rajon për zgjidhjen apo finalzimin e disa çështjeve që do të hanin rrugën e integrimeve europiane vendeve të rajonit.

Në fakt, pavarësisht nga lajthitjet dhe mungesa që mund të kenë individë dhe grupe të caktuara, shifrat tregojnë se BE-ja ka qenë investuesi më i madh në vendet e rajonit dhe vazhdon të jetë me intensitet shumë më të madh. Me miliona euro BE ka investuar në projekte konkrete zhvillimore, në përforcimin e demokracisë, në luftën kundër korrupsionit dhe në hapjen e perspektivave të reja. Mbetet shumë e rëndësishme që qytetarët të jenë të informuar mbi këto investime, sepse angazhimi i BE-së në asnjë rast nuk është vetëm deklarativ, por përkundrazi shumë konkret dhe afatgjatë.

Pikërisht, duke pasur parasysh këtë angazhim të BE-së, duke pasur parasysh vlerat që po promovon dhe kultivon, rruga e vetme e të gjitha vendeve të Ballkanit mbetet ajo e integrimeve europane, që përfaqëson aspiratë historike dhe në të njëjtën kohë një ardhmëri të sigurt për gjithë vendet e Ballkanit. Shqiptarët në këtë kontekst, gjegjësisht subjektet politike që i përfaqësojnë ata, ndershmërisht dhe me shumë përkushtim duhet të kultivojnë politikisht këto konstanta afirmimesh europiane si qenësi politike dhe kulturore.

Dinamikat politike kanë kuptim vetëm brenda kësaj matrice orientimi, që e nënkupton BE-në, vlerat e saj, gjithë atë që përfaqëson sistem demokratik, dinjitet dhe liri. Çdo shmangie nga kjo premisë mund të krijojë huti dhe kaos orientimi.

 

 

 

Të fundit