E hënë, 13 Maj, 2024

TRI DIMENSIONET E TRANSFORMIMIT URGJENT TË SISTEMIT UNIVERSITAR

1. Riorientimi me kërkesat e tregut të sotëm shqiptar, ballkanik dhe europian! Krahas degëve që bëjnë përpjekje disi në këtë drejtim, shoh drejtime studimesh nëpër Shqipëri, në bachelor dhe në master, që janë për të ardhur keq! Të zësh kokën me duar! Ku krushka, ku mushka!

2. Riorientimi në raport me arritjet e sotme të shkencës. Krahas pedagogëve që përpiqen të mbahen së paku në nivelin e shkencave të këtyre tridhjetë a pesëdhjetë vjetëve të fundit, shoh tekste, programe, a të shprehuri në publik që mbajnë një aromë të vjetëruar shekullore! Mendësia staliniste bën kërdinë akoma në kuadrin epistemologjik të arsyetimeve me pretendime shkencore.

3. Kombinimi dhe integrimi ndërdisplinor i shkencave me njëra-tjetrën sepse sot drejtimet e studimeve universitare krahas arritjeve vazhdojnë të jenë të mbyllura dhe të ndara institucionalisht nga njëra-tjetra, si të burgosurit në qelitë ku vuante dënimin Konti i Monte Kristos!

Filozofia jashtë kombinimit dhe hapjes ta zëmë me shkencat natyrore dhe etike është pa bukë, sociologjia jashtë hapjes ndaj statistikës dhe matematikës mbetet si vejushë e turpshme, psikologjia jashtë psikanalizës komunikative, mbetet në kufijtë e predikimit pedant, etj, etj.

Kjo kërkon një ristrukturim të mënyrës së organizimit të mësimeve, degëve, departamenteve, të pedagogjisë universitare, etj., që pak a shumë janë si në vitin 1945, si në kohën e Stalinit, datojnë hera-herës mendësi të tetëdhjetë ditëve më parë!

Futet studenti në një drejtim studimesh si Konti Monte Kristos në qeli, dhe mbahet i mbyllur atje vetëm me ndonjë dritare me hekura në cep të murit sa për të parë pak qiell jashtë!

I merret fryma!

Pozitivizmi, iluminizmi, esencializmi, stalinizmi, aristotelizmi dogmatik, euklidizmi si logjikë arsyetimi e kthyer në mënyrë universale të menduari, determinizmi klasicist, racionalizmi mekanicist, hedhin valle në kulturën tonë universitare duke i mbyllur asaj tapën e shishes ku duan ta ndryjnë!

Por, këta nuk kanë dashur të pranojnë asnjë ndryshim të ligjit idiot dhe shkatërrimtar të arsimit të lartë, duke i vënë shkelmin gjithçkaje, jo të hapin veshët të dëgjojnë se kanë asfiksuar edhe përmbajtjen e tij duke e mbyllur brenda kazermave institucionale të shekullit të kaluar!

Vijnë, kakarisin, bëjnë glasa mbi kokën e studentëve dhe pedagogëve dhe ikin në kotece të tjera pa kthyer kokën pas! Gjithmonë me një kakakakakaka, që shoqëron glasëbërjen se për vezë as bëhet fjalë!/CNA.AK

Të fundit