E diel, 13 Tetor, 2024

SKRININGU DO T’I ZBULOJË RMV-SË “SËMUNDJE” TË REJA

Autor: Puhiza Osmani

Procesi i skriningut të ligjeve të Maqedonisë së veriut, si fazë e parë e negociatave për anëtarësim në Bashkimin Evropian (BE), mund të prodhojë obligime shtesë për vendin për shkak të defekteve që pritet t’i nxjerrë në sipërfaqe në sferën e arsimit, gjyqësorit dhe luftës ndaj korrupsionit. Por, ka edhe çështje tjera që mund të paraqiten si pengesa shtesë.

Adelina Marku, diplomate në Ministrinë e Punëve të Jashtme (MPJ) të Republikës së Maqedonisë së Veriut (RMV), u shpreh se harmonizimi i ligjeve të vendit me ato evropiane është një proces që po shkon shumë ngadalë për shkak të administratës shtetërore të pa reformuar dhe të sistemit gjyqësor me ndikime politike. Sipas saj, skriningu do t’i nxjerrë shumë punë vendit edhe për shkak të degradimit të cilësisë së arsimit, rritja e inflacionit si dhe defekte tjera që po shkakton agresioni rus ndaj Ukrainës.

Mosmarrëveshja me palën bullgare, thotë Marku, mund plotësisht ta ngadalësojë këtë proces.

“Instancat si rënia e nivelit të arsimit, sistemi gjyqësor jofunksional dhe mungesa e mjeteve për të luftuar nivelin e lartë të korrupsionit në shtet, dhe faktorë të ngjashëm do ta ngadalësojnë procesin e skriningut. Korrupsioni është faktori që e rrezikon më së shumti realizimin e këtij procesi, prandaj është defekti i parë që duhet zgjidhur, dhe lufta kundër tij është e lidhur me vullnetin institucional që do të thotë instrumentet e shtetit të kenë një bashkëpunim të ngushtë njëra me tjetrën gjë që neve na mungon”, thotë Marku.

Mirëpo, shton ajo, kjo nuk do të thotë se procesi duhet të vazhdojë të shihet si diçka e paarritshme. “Përkundrazi, duhet të shihet si synim dhe duhet investuar në vetëdijen institucionale për mangësitë dhe aty ku ka vetëdije aty krijohet edhe hapësire për përmirësim të situatës. Maqedonia e Veriut procesin e skriningut do të duhej ta harmonizonte me Shqipërinë me qëllimin që të dyja shtetet paralelisht të mundohen të bëhen anëtare të Bashkimit Evropian. Për këtë janë të nevojshme kontaktet sa më të afërta mes elitave politike por edhe kontaktet e afërta të institucioneve të cilat e bartin procesin e skriningut”, tha Marku.

Në krahasim me vendin tonë, Marku theksoi se Sërbia dhe Mali i Zi në lidhje me procesin e skriningut kanë pasur pengesat e tyre të veçanta, por në parim janë të ngjashme në të tre shtetet. Sipas saj, një nga kritikat që i bëhet regjionit është nevoja imediate për të zvogëluar numrin e punonjësve të administratës.

“Kemi probleme universale të përbashkëta të këtyre shteteve edhe Mali i Zi ka pasur problem me sistemin e gjyqësorit, respektimin e të drejtave të njeriut, sidomos gëzimin e të drejtave kulturore dhe sociale të komuniteteve më të vogla, si komuniteti rom, të cilat janë parësore për BE-në. Marrëveshja Kornizë e Ohrit e ka balancuar cilësinë e të drejtave të njeriut për Maqedoninë e Veriut para botës, por kemi dhe pengesa të tjera sepse ende nuk e kemi gjuhën shqipe si të drejtë kulturore të emëruar në Kushtetutë por e kemi si të drejtë kulturore të referuar përmes numrit”, deklaron Marku.

Pengesë tjetër e përbashkët, sipas saj, është edhe administrata shtetërore. “Në këtë aspekt duhet reduktuar numri i madh i punonjësve që shkaktojnë jofunksionalitet të administratës. Kjo ndodh sepse këtë lloj të administratës ne e kemi trashëguar nga ish Federata e Jugosllavisë, gjë që e ka pamundësuar iniciativën për të zhvilluar sektorin privat. Si pasojë e kësaj kemi një ikje masive të të rinjve që në të vërtetë duhej të ishin gjeneratorë të idesë evropiane dhe ideja evropiane nuk është asgjë më shumë se sigurimi i një tregu të lirë ekonomik, e cila do të mundësonte vende të reja të punës, gjë që do të minimizojë fokusin e të rinjve për punësim tek administrata”, thotë Marku.

Një nga problemet e Serbisë, thekson Marku, është se duhet të qartësojë pozicionet e saj me Kosovën, po ashtu ajo duhet të qartësojë diskursin e sajë politik nëse anon nga BE apo mbetet nën ndikimin rus.

“Pengesa tjetër është dualiteti i Serbisë ndaj tregjeve evropiane, pra hapjes së saj ndaj tregut kinez që paraqet konkurrencë për tregun evropian”, shton Marku.

Sa i përket Malit të Zi si pengesë të veçantë, sipas Markut, është ndikimi i Kishës. “Kisha Malaziase ende ballafaqohet me ndikimet e Kishës Serbe dhe kjo shkakton përçarje dhe grupacione në politikën e vendit të cilat ndikojnë në ngadalësimin e procesit të skriningut. Ndërsa për të ardhmen e vendit tonë mund të them se aty ku ka hapësire për vetëkritikë, ku ne jemi të vetëdijshëm për të gjitha këto mangësi aty ka hapësire edhe për korrigjim. Dhe nëse elitat politike  fokusohen në korrigjimin e këtyre mangësive kjo do të ndikoj që shteti jonë të fokusohet vërtet në reformimin e institucioneve shtetërore nga aspekti i të drejtave të njeriut, aspekti i zhvillimit social, si dhe aspekti i zhvillimit ekonomik”, tha Marku.

Adnan Cerimagic, analist me përvojë për BP-në në Iniciativën Evropiane të Stabilitetit, në një deklaratë për EWB thotë se pyetja kryesore për vitin 2023 është nëse shtetet e Ballkanit Perëndimor do të vazhdojnë të mbeten të mbërthyera në procesin e tyre të anëtarësimit në BE.

“Viti i kaluar kaloi duke diskutuar kushtet për disa nga vendet e Ballkanit Perëndimor që do t’i lejonin ato të ngjiteshin në një autobus që sipas meje nuk do të shkojë gjëkundi. Kishim rastin e Maqedonisë së Veriut dhe Shqipërisë për të hapur bisedimet e pranimit, si dhe Bosnjës dhe Hercegovinës t’i jepet një status i kandidatit. Megjithatë, në realitet ky autobus nuk është duke lëvizur dhe nuk do të shkojë askund në vitin 2023, nëse BE-ja nuk është e përgatitur të thotë se çfarë ka bërë në të gjitha rastet e mëparshme të suksesshme për zgjerimin e saj”, thotë Cerimagic.

Rezultate të dobëta të reformave për të gjithë rajonin e Ballkanit Perëndimor (BP), të cilat i atribuohen mungesës së angazhimit të qeverive vendore, kanë pamundësuar ecjen e shpejtë drejt integrimit në Bashkimin Evropian (BE). As BE-ja nuk ka dhënë ndonjë sinjal se është e gatshme të zgjerohet në të ardhmen e afërt.

Ritmi i negociatave varet nga shpejtësia e reformës dhe përpjekja e çdo vendi për t’iu afruar ligjeve të BE-së. Si Mali i Zi ashtu dhe Serbia vazhdojnë të përballen me krizën institucionale dhe kjo ka ndikuar që procesi i skriningut të ngelë në prapavijë. Ndërsa sa i përket vlerësimit të vitit të kaluar për Maqedoninë e Veriut dhe Shqipërinë, në ekzekutivin e BE-së u tha se të dyja vendet ishin mesatarisht të përgatitura dhe se kishin pasur njëfarë progresi. Megjithatë mbyllja e kapitujve mund të zgjasë disa vite, siç ka ndodhur me rastin e Serbisë apo Malit të Zi.

 

 

 

 

 

 

Të fundit