E mërkurë, 24 Prill, 2024

PËR MAQEDONINË, ALI AHMETIN DHE BDI-në

Burime të KDP-së thonë se kryeministri Dimitar Kovaçevski, deri në fundjavë do të fusë në procedurë parlamentare riformatimin e kabinetit të tij qeverisës i përforcuar me përfaqësues të Aleancës për Shqiptarët, ndërkohë që akoma nuk dihet nëse Alternativa do të mbetet apo jo në radhët e mazhorancës, njësoj sikurse nuk përjashtohet mundësia që shumica parlamentare të përforcohet edhe me ndonjë deputet tjetër, deri tash – me statusin e opozitarit!

Shkruan: Seladin XHEZAIRI

“Besimi në gënjeshtra është vajtim për të kaluarën”!

Nuk e di se nga e kam marrë dhe kush e ka shkruar  fjalinë e sipërcituar, ama kujtoj se si e tillë përkon me zhvillim-përplasjet aktuale në skenën politike të Maqedonisë së Veriut: Rreth (mos)zbatimit të Traktatit të miqësisë me Bullgarinë (që kushtëzon çuarjen përpara të negociatave për aderim me të drejta të plota në BE); ndryshimeve kushtetuese për përfshirjen e bullgarëve, kroatëve dhe malazezëve në të (pse jo dhe për heqjen e “20-përqindëshit” diskriminues për shqiptarët) dhe, si kapak i gjithë kësaj, ndërtimin e koalicionit evropian me bazë të gjerë (lexo: maqedono-shqiptar) i cili do të dilte me listë të përbashkët në zgjedhjet parlamentare të radhës!

Përtej modestisë, po e them me plotë gojë se në epiqendër të këtyre zhvillimeve me del kreu i integristëve, Ali Ahmeti i cili në takimet publike me anëtarë e simpatizantë të BDI-së në fushëgropën e Pollogut, ditëve që lamë pas, të thuash nuk u mor më shumë me të ashtuquajturin “grup i zjarrit” sesa me promovimin e  “frontit për Evropë”. Duket se Ahmeti, i cili “shinjellin” e komandantit  e zëvendësoi me atë të liderit të shqiptarëve në Maqedoni ( BDI nën drejtimin e tij  deri tani doli fituese e të gjitha cikleve zgjedhore parlamentare që nga viti 2002), sa vinë e më shumë po imponohet si një politikan që tenton të bind edhe maqedonasit, po edhe shqiptarët, si dy popuj të vegjël, se nuk e kanë të përbashkët vetëm gjeografinë ku gjallojnë, por edhe historinë! U mor vesh, nuk është se edhe ai s’është i vetëdijshëm se krijimi i aleancës evropiane është punë prej sizifi, po të merren parasysh edhe sondazhet e fundit për atë se, ta zëmë, kë duan e kë urrejnë më së shumti, si maqedonasit, ashtu edhe shqiptarët! Në funksion të tejkalimit të dallimeve, Ahmeti edhe hapi derën e zgjerimit partiak të “bllokut” shqiptar në koalicionin qeverisës me socialdemokratët maqedonas të Dimitar Kovaçevskit. Mbase, i bindur se “tani është momenti” që të kapërcehet Rubikoni i mosbesimit për të çuar përpara procesin e integrimit të shtetit në familjen evropiane. Mënyra se si po komunikon me publikun e bën Ali Ahmetin politikanin më të guximshëm në vend i cili nuk denjon t’i vë pikat mbi I edhe për çështjet më të ndjeshme. Si për të provuar thënien e sipërcituar se: “Besimi në gënjeshtra është vajtim për të kaluarën”!

Natyrisht se nëse i doli boja nismës së ish-kryeministrit Zoran Zaev për “një shoqëri për të gjithë”( lexo: me largimin e Besës, apo edhe tinëz-afrimi me të djathtën maqedonase), Ahmeti nuk është se s’është i vetëdijshëm se investimi kaq i madh për krijimin e “frontit evropian” kërkon dhe sakrifica. Personalisht, i besoj se vetëm hyrja në Bashkimin Evropian mund ta ndalë valën e përshkuljes së njerëzve. Gjithçka tjetër ishte, është e do të mbetet, shitje mjegulle, në këtë mjegullnajë që të gjithëve po na e zë frymën!

Të fundit