E martë, 7 Maj, 2024

KALKULIMET PËR NJË SHUMICË TË ZGJERUAR

Në ditët në vazhdim shumë nga dilemat do të qartësohen dhe do të mund të ndërtohen pritshmëri më reale për zhvillimin e skenës politike në vend. Për gjëra të tjera, siç është një koalicion i mundshëm parazgjedhor mes BDI-së dhe ASH-së në zgjedhjet e ardhshme parlamentare, do duhet të presim të paktën edhe disa muaj për t’u kristalizuar interesat dhe argumentet partiake për një veprim të tillë.  

Shkruan: Sefer Selimi Jr.

Ditëve të fundit po konkretizohet ajo që përflitej për më tepër se dy muaj, zgjerimi i shumicës qeverisëse me Aleancën për Shqiptarët. Në fillim, kjo dukej si diçka e pamundur nisur nga fakti që ASH-ja për 5 vite me radhë ka qenë kritikues i vrazhdë i pushtetit, e posaçërisht partnerit shqiptar Bashkimit Demokratik për Integrim, megjithatë në politikë 2+2 nuk bëjnë gjithmonë 4. Nëse duam të analizojmë se si mund të bëhet i mundur një koalicion i tillë eventual gjithmonë duhet nisur nga konteksti politik në të cilin gjendet shteti dhe interesat e partive politike, dhe pastaj është e lehtë të dekonstruktuohen argumentet dhe forma me të cilën arsyetohen veprimet politike.

Maqedonia e Veriut, e bllokuar për më shumë vite nga veto e pengesa të ndryshme nga faktorë të jashtëm në rrugëtimin e saj drejt Bashkimit Evropian, sot gjendet para momentit për ta bllokuar veten me kryeneçësinë e partisë më të madhe opozitare maqedonase VMRO-DPMNE. I gjithë presioni i bërë mbi BE-në për mosmbajtjen e fjalës dhe humbjen e kredibilitetit tani është në oborrin tonë, dhe nëse dikush do ta bllokoj shtetin në hapjen e kapitujve negociues dhe me këtë fillimin e plotë të negociatave për anëtarësim, fajtori nuk mund më të kërkohet jashtë por tek partitë tona. Nisur nga ky fakt, është e lehtë të krijohet argumenti i zgjerimit të shumicës duke përdorur momentin kritik për perspektivën evropiane të vendit, por në fakt përfshirja eventuale e ASH-së në qeveri ka të bëj kryekëput me interesa të ngushta të partive qeverisëse dhe dinamikave të tyre të brendshme.

BDI e gjendur para një fraksionimi të mundshëm serioz ka nevojë për të kompenzuar votat e deputetëve që nuk mundet t’i merr më për të mirëqena. Gjithashtu, duke parë veprimin e ‘’grupit të zjarrit’’ që zbriti në bazë për të shpjeguar arsyet e veprimit të tyre, lideri i partisë i ndjekur nga ‘’grupi i funksionarëve’’ u ngut ta bëj të njëjtën gjë me qëllimin e vetëm për të kontrolluar narracionin brenda mbështetësve, por edhe me publikun e gjerë, e që në fakt po nxjerr sheshit dështimet e veta 20 vjeçare. Sllogani ‘’Bashkë për BE’’ është i ngutur jo vetëm se ska të bëj aspak me atë që flitet në këto takime por edhe për faktin që po shndërrohet në mekanizëm të rrezikshëm që tenton ta monopolizoj procesin e integrimit si e drejtë ekzkluzive e këtij grupi dhe të akuzojë e etiketojë gjithkënd tjetër që nuk i bindet kësaj vije dhe që kritikon ato në ‘’element pro-rus’’ apo si pengues të procesit evropian.

LSDM-ja si udhëheqëse e koalicionit qeveritar ka mungesë të kuorumit brenda parlamentit dhe shumica e ligjeve, mes tyre mjaft të rëndësishme në agjendat partiake, kanë ngelur korridoreve të parlamentit dhe janë subjekt i shantazhimeve të ulëta, shpesh herë edhe nga deputet të përvetshëm për interesa mjaft të vogla e personale, posaçërisht nga partitë më të vogla të koalicionit. Me zgjerimin e shumicës, pesha dhe mundësia e shantazhit gjithsesi që do të zvogëlohet por edhe miratimi i ligjeve do të fitoj në dinamikë, që do të mundësoj përmbushjen e disa prej premtimeve të ngelura dhe parapërgatitjen për fushatën e ardhshme zgjedhore. Ndërkaq, BDI-ja e Ali Ahmetit do që të blej sa më shumë kohë për të eliminuar apo për ta zbutur grupin e të pakënaqurve. Partneri tjetër shqiptar në koalicion, Aleternativa, ka problemet e veta brendapartiake dhe në rast të braktisjes së koalicionit është mjaft e mundur që pjesa më e madhe e deputetëve të tyre mos e ndjekin vendimin e partisë dhe të vazhdojnë të mbështesin shumicën qeverisëse.

Nga ana tjetër, Aleanca për Shqiptarët ka interesat e veta dhe me një kryesi dhe lidership të ri që siç duket kalkulimet partiake i bën me qasje të re pragmatike, të nisur nga ideja se veprimi politik duhet bërë duke marr përgjegjësi dhe jo nga komoditeti i opozitës kritikuese. Gjithsesi se pushteti është një mekanizëm konsolidues dhe duke pasur përvojën e duhur në opozitë me koalicione që i kushtuan shumë vota – kjo qasje jo pa rreziqe të theksuara, mund të jetë një formulë e suksesshme për të rikthyer votuesit që i humbi në ciklin e fundit të zgjedhjeve lokale.

Lëvizja BESA, e cila tani i gëzohet faktit që do të jetë parti e vetme opozitare tek shqiptarët shpreson në rritjen e trupit votues, por në këtë kalkulim të tyre dy faktor mund të jenë vendimtar: 1) bashkërendimi me VMRO-DPMNE-në  dhe 2) mentaliteti lokal i partisë. Sa i takon të parës, veprimin dhe bashkërendimin opozitar me VMRO-DPMNE-në kjo parti duket se nuk e ka kompleks, por në sytë e votuesve shqiptar VMRO-DPMNE është si mbetje nukleare dhe gjithkush që i afrohet do të kontaminohet, ashtu siç i ndodhi edhe vetë Aleancës për Shqiptarët. Sa i përket pjesës së dytë, me pushtetin lokal në Tetovë kjo lëvizje është lëshuar në mikro-menaxhim duke u marrë madje edhe me pastruesit e shkollave periferike, ndërkaq që është izoluar brenda mureve burokratike të Komunës së Tetovës. Dalja nga ky mentalitet është shumë e vështirë, posaçërisht kur ke mungesë të potencialit njerëzor dhe financiar, siç ishte rasti me RDK-në e Rufi Osmanit.

Ditët në vazhdim shumë nga dilemat do të qartësohen dhe do të mund të ndërtohen pritshmëri më reale për zhvillimin e skenës politike në vend. Për gjëra të tjera, siç është një koalicion i mundshëm parazgjedhor mes BDI-së dhe ASH-së në zgjedhjet e ardhshme parlamentare, do duhet të presim të paktën edhe disa muaj për t’u kristalizuar interesat dhe argumentet partiake për një veprim të tillë.

Të fundit