E premte, 26 Prill, 2024

PROCESI I SKRININGUT – S’KA MË PUNËSIME PARTIAKE, VENDOSET SITEMI MERITOKRATIK

Shkruan: Puhiza Osmani

Skriningu (shqyrtimi), si fazë e parë e procesit të negociatave për integrim të Maqedonisë së Veriut në Bashkimin Evropian (BE), do të mundësojë funksionimin e një sistemi të punësimit në institucione në bazë të meritave, shprehet kryetarja e Komisionit Antikorrupsion Biljana Ivanovska. Procesi i skriningut i mundëson vendit tonë indikacione paraprakisht që të përgatitet për çështjet që mund të dalin gjatë negociatave. Profesori universitar Demush Bajrami shprehet se me skriningun Maqedonia e Veriut do të jetë e obliguar që t’i pranojë plotësisht aktet e BE-së për të qenë një anëtare e mirëfilltë. Të gjitha institucionet e politizuara do të fitojnë integritet dhe profesionalizëm të vërtetë gjë që deri më tani ka munguar.

Kryetarja e Komisionit Antikorrupsion, Biljana Ivanovska, u shpreh se procesi i skriningut do të mundësojë funksionimin e një sistemi të punësimit në institucione në bazë të meritave.

“Mendoj se do të jetë një pasqyrë e qartë e komponentëve në institucione dhe do të mundësojë funksionimin e sistemit të meritës, miratimin e ligjit për një strukturë të lartë drejtuese, që do të thotë se punësimi do të bëhet vetëm me meritë. Do të jetë një sistem vetëm për ata njerëz të kualifikuar që do të kontribuojnë realisht në përvetësimin e sistemit të vlerave, në mënyrë që struktura qeverisëse të mos ketë tregje partiake për të cilat ne jemi dëshmitarë çdo ditë. Nëse duam të kemi partneritet me një vend ku funksionon sistemi ligjor dhe sundimi i ligjit, ne duhet të mundësojmë që edhe vendi ynë të funksionojë në atë mënyrë. Pra, ligji për strukturën e lartë drejtuese duhet të mundësojë si fillim konkurrencë dhe pastaj përzgjedhjen e njerëzve cilësorë dhe të kualifikuar që do të drejtojnë institutet”, tha Ivanovska.

Profesori i Universitetit të Evropës Juglindore në Tetovë (UEJL), Demush Bajrami, u shpreh se procesi i skriningut për Maqedoninë e Veriut për anëtarësim në BE nënkupton miratimin e vlerave të tij si dhe përshtatjen e plotë të institucioneve të Maqedonisë drejt funksionimit me atë të institucioneve të Unionit.

“Procesi i skreningut na tregon se Maqedonia e Veriut do të jetë e obliguar që t’i pranojë plotësisht aktet e BE-së për të qenë një anëtare e mirëfilltë. Të gjitha institucionet e politizuara do të fitojnë integritet dhe profesionalizëm të vërtetë gjë që deri më tani ka munguar dhe ka qenë një nga problemet kryesore që është munduar të zgjidhi Komisioni për Antikorrupsion.

Ky proces i rishqyrtimi do të ndihmojë në indentifikimin e atyre faktorëve që ndikojnë në punësim, në krijimin e vendeve të reja të punës, si dhe do të indentifikojë ato kushte të punësimit që kanë qenë të paplotësuara.  Nga kjo valë e kontrollit politik Maqedonia do të jetë e detyruar të vendosi një legjislacion të ri që do të nxisë parandalimin dhe luftën kundër korrupsionit”, tha Bajrami.

Në artikullin e publikuar nga Drejtoria e Përgjithshme për Fqinjësinë dhe zgjerimin e Negociatave, theksohet se procesi i skriningut është realizuar nëpërmjet dy fazave, e para është faza shpjeguese nga ana e depertamenteve të Komisionit. Dhe faza e dytë është mundësia që i jepet çdo vendi anëtar që të tregoj para Komisionit gatishmërinë e përgatitjes së ligjeve dhe standardeve të kërkuara, të cilat më pas vlerësohen nga Komisioni dhe jepet rezultati.

Profesoresha Hava Mustafa nga UEJL u shpreh se procesi i parë dhe më i rëndësishmi për anëtarësimin e Maqedonisë në BE është procesi i shqyrtimit. Sipas saj, Maqedonia e veriut duhet të përgatitet në strukturimin e tregut të brendshëm, në lidhje me konkurrencën ekonomike dhe lidhjet fqinjësore, si dhe strukturimin e një qeverisjeje sa më të mirë.

“Unë jam e mendimit se Maqedonia e Veriut ka hapur një fazë të re në zhvillimin e marrëdhënieve me BE-në. Që Maqedonia të shkojë në rrugën drejt anëtarësimit i duhet ta rrisë intensitetin e përpjekjeve në luftën kundër korrupsionit, krimit të organizuar, t’i trajtojë sa më shpejt çështjet e pakicave, në rastin konkret të pakicës bullgare në vend dhe sundimit të ligjit. Besoj se me ndryshimet kushtetuese dhe nëse ka progres të mjaftueshëm për sjelljen e reformave të reja, brenda një periudhe jo shumë të gjatë besoj se do të arrihet një integrim më i ngushtë me Bashkimin Evropian. Jam e këtij mendimi sepse sa u përket kritereve politike Maqedonia e Veriut i ka vazhduar përpjekjet për të forcuar demokracinë në vend, megjithatë nevojitet më shumë vullnet politik nga ana e autoriteteve për  të përmirësuar më tej procesin zgjedhor në vend”, tha Mustafa.

 

 

 

 

 

 

 

 

Të fundit