E mërkurë, 8 Maj, 2024

VIDEO/INTERVISTË, ZENDELI: TË HIQET 20 PËRQINDËSHI, KUSHTETUTA NUK HAPET ÇDO DITË

Në një intervistë ekskluzive për KDP, deputeti i Lëvizjes Besa, Fadil Zendeli, thotë se si subjekt politik dhe vetë ai si deputet, kanë deklaruar tashmë se do t’i përkrahin ndryshimet kushtetuese, por te ndryshimet kushtetuese, do ta parashtrojnë edhe çështjen e 20 përqindëshit, të nocionit që është në kushtetutë, ku gjuha shqipe mbulohet përmes nocionit 20 përqind. “Si Lëvizje Besa kemi deklaruar se në momentin që do të hapet kushtetuta, çështja e 20 përqindëshit duhet të hapet, për shkak se kushtetuta nuk hapet çdo ditë”, thotë ai.

Intervistoi: Puhiza Osmani

Ai thotë se Lëvizja Besa çështjen e eurointegrimeve e përkrah fuqishëm për shkak se vendi duhet të lëvizë në drejtimin e duhur. “Te partitë politike shqiptare nuk ka asnjë dilemë në rrugën integruese të vendit”, thotë Zendeli në intervistën për KDP-në.

Duke folur për momentin aktual politik, ekonomik dhe social, Zendeli thotë se situata është serioze, të gjitha parametrat, poret shoqërore, standardi i qytetarëve është vështirësuar. “Të gjitha parametrat ekonomik dhe politik tregojnë se jeta e qytetarit është më e vështirë, jeton më keq sot seç ka jetuar dje. Qytetari dëshiron që sot të jetojë më mire se dje dhe nesër më mirë se sot. Ne si qeverisje, si politikanë pa marrë parasysh a jemi në pozitë ose opozitë kemi përgjegjësi para problemeve shoqërore, kemi përgjegjësi para qytetarëve që gjërat t’i bëjmë më mirë sot sesa siç i kemi bërë dje”, thotë Zendeli.

Në aspektin ekonomik, ai thotë se ka mungesë të investimeve të jashtme, ka mungesë të investimeve kapitale që janë pjesë e buxhetit. “Zakonisht kemi problem me investimet kapitale, as gjysma e investimeve kapitale të planifikuara me buxhet nuk realizohen dhe gjithë kjo e vështirëson jetën ekonomike brenda vendit”, thotë ai.

Sipas tij, në aspektin politik, në aspektin institucional, si zakonisht janë problemet serioze me organet e jurisprudencës, me organet e drejtësisë. “Siç e shihni muajt e fundit kemi afera të njëpasnjëshme te këto institucione, ndërkohë që organet e jurisprudencës janë organe kuçe në funksionimin e institucioneve, në funksionim e drejtë të tyre në mbrojtjen e të drejtave të qytetarëve. Nëse këto nuk funksionojnë kemi çekuilibrim të institucioneve, kemi motiv më tepër për korrupsion, për krimin e organizuar dhe për shumë gjera devijante që shoqëria i ka”, thotë Zendeli.

Ai thotë se zgjedhjet e parakohshme do të ishin një mundësi e mirë që të kemi alternativa të reja, të kemi mundësi të reja që vendit disi të mund t’i japim shpresë.

Në lidhje me masat që duhet të ndërmerren për parandalimin e ikjes së të rinjve, ai thotë se këto masa janë shumë të qarta: vende të reja pune, investime të reja, kushte më të mira për punë, institucione kredibile, stabile dhe jo institucione që kanë çdo ditë afera të korrupsionit dhe krimit të organizuar, afera që nuk zbardhen kurrë.

Intervistën e plotë mund ta ndiqni në linkun e mëposhtëm:

 

Të fundit