E diel, 19 Maj, 2024

LOJA NË FUSHË ZVICËR – SERBI, PËRSËRI NDAHET OPINIONI DHE MEDIAT NË MAQEDONI!

Shkruan: SEFER TAHIRI

Mediat në Maqedoninë e Veriut, edhe njëherë dëshmuan se janë të ndara në linja etnike, edhe kur nuk bëhet fjalë për ndonjë çështje që lidhet me relacionet ndëretnike mes maqedonasve dhe shqiptarëve. Një rezultat i këtillë del nga analiza e përmbajtjeve mediatike mbi ndeshjen futbollistike midis Zvicrës dhe Serbisë në Kampionatin Botëror në Katar të vitit 2022. Cili ishte narrativi i përdorur në media mbi përballjen, e cila mori dimensione historike – etnike?

 

“Ishte ndeshje e dy ekipeve në të cilën luajtën tri. Rivaliteti mes Zvicrës dhe Serbisë për kohë të gjatë ka përfshirë edhe Kosovën”. Ky ishte ndoshta përshkrimi më i saktë dhe më real, që gazeta e njohur spanjolle Marca ia bëri ndeshjes midis kombëtares së Zvicrës dhe Serbisë në Kampionatin Botëror në futboll që sivjet mbahet në Katar, e cila nuk ishte thjesht një përballje sportive, por ishte më shumë se kjo. Ishte edhe “luftë” politike mes lojtarëve të Serbisë në njërën anë dhe lojtarëve shqiptarë: Granit Xhaka, kapiten i kombëtares zvicerane dhe Xherdan Shaqiri, sulmuesi i Zvicrës, që etnikisht është shqiptar.

“Zvicra dhe Serbia e ndiejnë peshën e historisë”

Gazeta Koha nga Shkupi më 2 dhjetor transmeton një shkrim të botuar nga gazeta britanike The Guardian me titull “Zvicra dhe Serbia e ndiejnë peshën e historisë përpara përplasjes së madhe”.

“Pikat e ndezjes ishin sinjalizuar mirë. Kur Serbia dhe Zvicra u takuan në Kaliningrad në Rusi 2018, ishte e qartë që në fillim se askush nuk do të shuhej në heshtje. Vendimi i Xherdan Shaqirit për të treguar vendin e lindjes me një flamur të Kosovës të qepur në këpucët e tij sportive kishte nxehur situatën, dhe kur Granit Xhaka festoi golin e barazimit duke formuar një shqiponjë shqiptare me duar, tensionet veçse u ndezën. Të dy lojtarët e përsëritën gjestin kur Shaqiri shënoi një gol të fitores dramatike në minutën e fundit, duke siguruar kualifikimin në raundin tjetër dhe akuzat ishin të gjata, të zhurmshme dhe përfunduan me gjoba të shumta nga FIFA “, shkruan gazeta britanike.

Edhe loja nuk ka kaluar pa tensione, në të cilat pjesëmarrës kanë qenë lojtarët serb në njërën anë dhe Granit Xhaka në anën tjetër, pasi Shaqiri ishte më i rezervuar, edhe pse pas golit të parë nuk harroi t’i tregojë publikut se cili është mbiemri i tij, i shënuar në fanellë”.

Xhaka, gjatë ndeshjes tensionuese, në një moment u afrua te bankina e Serbisë, ndërsa nuk ka munguar as kontakti i drejtpërdrejtë me lojtarët serb. Madje, në një rast, revoltën e tij ndaj futbollistëve serb e shprehu me sharje ndaj tyre.

Mediat maqedonase: Xhaka me Jasharin provokoi serbët

Pas ndeshjes, Xhaka veshi fanellën e kolegut të tij në kombëtaren e Zvicrës, Ardon Jashari, me prejardhje nga Kumanova.

Veshja e kësaj fanelle, ngjashëm si në mediat serbe, edhe në një pjesë të mediave maqedonase është interpretuar si provokim i pastër politik, pasi sipas tyre fanella ishte porosi për serbët, meqë mbiemri Jashari asocon tek njëri nga themeluesit e ish Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Adem Jashari!

Konotacioni i këtillë në disa media maqedonase, i inspiruar nga mediat serbe, flet qartë se sporti në Ballkan nuk mund të çlirohet nga politika.

Portali “Republika” raportonte me titullin “Zvicerani shqiptar e madhëronte themeluesin e UÇK-së, Adem Jashari“.

Në këtë shkrim të shkurtër thuhet se “Kapiteni i Zvicrës, Granit Xhaka edhe pas ndeshjes me Serbinë vazhdoi me provokimet e turpshme – pas ndeshjes, fanellën e ndërroi me atë që mban numrin 26 me mbiemrin Jashari”. Më pas kumtohet një histori e shkurtër me tone neutrale e Adem Jasharit, si themelues i UÇK-së.

Portali sportiv “Derbi”, pas ndeshjes publikoi shkrimin me titull “Xhaka i provokoi serbët me fanellë kundërthënëse, pastaj porositi se ia ka kushtuar një lojtari me rrënjë maqedonase“. Ky portal shkruante se “Pas fundit të ndeshjes, Xhaka veshi fanellën, në të cilën shkruante Jashari dhe e theksonte këtë mbiemër, e cila për serbët është simbol i Adem Jasharit famëkeq, themelues i formacionit terrorist Ushtria Çlirimtare e Kosovës”. Edhe pse portal sportiv, ish UÇK-në e Kosovës, e cilëson në stilin e mediave që zakonisht promovojnë retorikë radikale etno-nacionaliste serbe.

Ndërsa, portali “Plusinfo”, më 5 dhjetor publikoi titullin bombastik “Zviceranët e sulmuan Xhakën, mjaft më e kanë nga ai: Ishte dhe mbetet provokues, e dinte se çfatë do të thotë Jashari për serbët“.

“Është ngritur pluhur i madh për sjelljen e Granit Xhakës në ndeshjen midis Serbisë dhe Zvicrës në Kampionatin Botëror në Katar. Lojtari me përvojë hyri në konflikt me “shqiponjat”, ndërsa pas ndeshjes kremtonte me fanellën në të cilën shkruante “Jashari”, i cili sipas shumë njerëzve është referencë e qartë për Adem Jasharin, terrorist dhe njëri nga liderët e UÇK-së, i cili u vra në vitin 1998 në fshatin Prekaz i poshtëm”, komenton “Plusinfo”.

Ky portal, që deklarohet se respekton standardet profesionale dhe normat etike të parashikuara me Kodin Etik të Gazetarëve të Maqedonisë së Veriut, duke mos marrë parasysh aspak specifikat etnike të vendit dhe sensibilitetin raportues, etiketon njërin nga drejtuesit e ish-Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, i cili së bashku me 58 anëtarë të familjes së tij është vrarë duke mbrojtur shtëpinë e tij!

“Plusinfo”, duke dashur të tregojë se shumë media zvicerane kanë dënuar gjestin e Xhakës, citon vetëm portalin Nojer Ciriher Cajtung, i cili ka publikuar shkrimin me titull “Xhaka ka qenë dhe mbetet provokator”, por në të nuk i ka dhënë asnjë konotacion negativ veprimit të Xhakës dhe kontekstualizimit të tij me figurën e Adem Jasharit.

Sipas portalit “Plusinfo” ky shkrim gjoja ka shkaktuar shumë reagime, ndërsa theksohet se portali “Koha ditore” ka reaguar me mllef, duke komentuar se autori i shkrimit është gazetar sportiv, që nuk di asgjë për historinë e konfliktit në Kosovë dhe për Adem Jasharin. Por, analiza e përmbajtjes, tregon se “Koha ditore” në fakt citon gazetën zvicerane Blick, e cila në shkrim përdor mestitullin “Adem Jashari: Hero në Kosovë”.  Kjo gazetë ka shpjeguar se Jashari është hero kombëtar në Kosovë dhe ishte bashkëthemelues i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës në luftën ndaj Serbisë dhe një nga protagonistët në rrugën e Kosovës drejt pavarësisë. Është theksuar se edhe Aeroporti i Prishtinës mban emrin Adem Jashari – transmetonte “Koha ditore”.

Tutje, sipas “Kohës ditore”, mediat zvicerane kanë shkruar për familjen e Xhakës. Babai i tij, Ragipi, qe arrestuar gjatë protestave në vitet e 80-ta dhe ishte torturuar në burgjet e ish-Jugosllavisë. Kur ishte liruar, kishte shkuar drejt Zvicrës, ku u lind i biri Graniti më 1992.

Disa portale në gjuhën maqedonase, pikërisht tek keqtrajtimi i babait të Granit Xhakës, e shihnin dëshirën e madhe për fitore kundër Serbisë. Portali “Pressingtv” shkrimin e tij e publikoi me titullin “Babai i Xhakës ka qenë rob në burgun e Beogradit, ja pse aq e urren Serbinë“. Në këtë shkrim thuhet: “Shumë pak e dinë pse tek ai ka kaq shumë urrejtje ndaj Serbisë dhe gjithçka që është serbe. Babai i Granitit, Ragip Xhaka ishte njëri nga disidentët separatist shqiptarë në vitin 1980 dhe midis shqiptarëve të parë që kishte brohoritur “Republika e Kosovës”.

E njëjta përmbajtje u transmetua edhe në lajmin e portalit “Infomax”, i cili mbante titullin “Pse Xhaka aq e urren Serbinë? Babai i tij ka vuajtur burg për ekstremizëm në Beograd“.

Edhe portali sportiv “Makfudbal” përdor narrativin e njëjtë, si dy portalet e përmendur rreth raportit të Xhakës me Serbinë. Në shkrimin me titull “Granit Xhaka i “urren” serbët, për shkak se babai i tij ka qenë i burgosur politik në ish Jugosllavi” thuhet: “Në vitin 1986, Ragip Xhaka (babai i Granitit) ishte i burgosur politik në ish Jugosllavi. Ai u burgos si student 22 vjeçar në Universitetin e Prishtinës, ndërsa regjimi serb e dënoi me gjashtë vite burg, publikoi Xhaka në Instagram”.

Dy portalet maqedonase “Pressingtv” dhe “Republika”, pas debaklit të Zvicrës me Portugalinë (6:1 për portugezët), duke përmendur fanellën me mbiemrin Jashari iu “hakmorën” Xhakës me titujt:

Mediat shqiptare me tone triumfuese pas fitores së Zvicrës ndaj Serbisë

Për dallim nga mediat maqedonase, mediat në gjuhën shqipe në rajon dhe në Maqedoninë e Veriut kanë raportuar për këtë ndeshje duke përdorur narrativin triumfues, natyrisht jo shumë për fitoren e Zvicrës, por për disfatën e Serbisë. Fitoren e Zvicrës kryekëput ua atribuojnë dy lojtarëve shqiptarë, Xhaka dhe Shaqiri.

Portali “Zhurnal” raportoi me titullin “Xhaka e Shaqiri me shokë e “rrënojnë” prapë Serbinë, shkojnë në të tetën e finales së Kupës së Botës“. Në këtë shkrim thuhej “Nuk kishte si të mungonte edhe një shqiptar në listën e realizuesve. Ishte Xherdan Shaqiri që realizoi golin e parë në ndeshje në minutën e 20-të të ndeshjes, duke heshtur tifozët serbë që e vërshëllenin sa herë prekte topin”.

Portali “Inaonline” raportoi me titullin “Zvicra mposht serbët, Shaqiri, Xhaka dhe Embolo shkëlqejnë.” Në lajmin e publikuar theksohet se Zvicra ka mposhtur Serbinë me rezultatin 3:2, duke i dërguar në shtëpi serbët. Në këtë ndeshje kanë shkëlqyer dy futbollistët shqiptarë, Xherdan Shaqiri dhe Granit Xhaka.

Ndërkohë “Aromë shqiptare në Botëror/ Shaqiri-Xhaka i presin “biletën” për në shtëpi Serbisë“, ka qenë titulli i portalit “Opinion.mk”, i cili pavarësisht titullit me konotacion etnik, ka përdorur tonalitet raportues, i cili ka qenë krejtësisht neutral.

Portali “Ditari” ka raportuar me titullin “Xhaka tërbon serbët, përplaset ashpër me Vlahoviç dhe Mitroviç, sherr në fushë.” Në raport thuhet “Pas një rasti të Serbisë brenda zonës, ku Mitroviq ka pretenduar për penallti, por gjyqtari nuk ka qenë në të njëjtin mendim. Kjo ka sjellë tension në bankinën serbe. Në polemikë është përfshirë është edhe Xhaka i cili ka bërë një gjest fyes ndaj Vllahoviqit që ndodhej në stolin e Serbisë. Reagimi i Xhakës ishte një përgjigje për gjestin e turpshëm të Vllahoviq në pjesën e parë i cili preku organet gjenitale pas golit të shënuar. Ka mjaftuar ky reagim i Xhakës drejt stolit serb, për të shkaktuar një përplasje mes palëve.”

Në mediat shqiptare, rëndësi dhe hapësirë e mjaftueshme u është dhënë edhe thirrjeve antishqiptare të tifozëve serb. Televizioni Top Channel, raportoi me titullin “Vritini, vritini shqiptarët!”/ Pas incidentit me Xhakën në fushë tifozët serbë shpërthejnë në kore raciste“. Në raport thuhet: “Me gjithë masat e marra, incidentet në fushë në ndeshjen mes Serbisë dhe Zvicrës ishin dukshëm të pashmangshme. Në minutën e katërt shtesë një sherr masiv u regjistrua në fushë, me protagonist Granit Xhakën. Kaq mjaftoi që tifozët serbë të thërrisnin në kor, ‘Vritini, vritini shqiptarët!’, ashtu sikundër duket edhe në videon e siguruar për Top Channel, nga korrespondenti ynë atje”.

Ndërsa portali i TV Abcnews ka shkuar një hap më tej, duke shtruar dilemën se a mund të bashkëjetohet me serbët. Në shkrimin me titull “Vrite vrite shqiptarin!” Shovinizmi serb nxjerr kokën në Katar, a bashkëjetohet me këta njerëz?!” thuhet: “Përballja mes Serbisë dhe Zvicrës u duk më shumë si një fushë-betejë, sesa një fushë futbolli. Ngacmimet verbale dhe provokimet fizike gjatë lojës nuk munguan nga futbollistët serb, të cilët nuk i lanë në asnjë moment të qetë, 2 shqiptarët e Zvicrës, Granit Xhakën dhe Xherdan Shaqirin. Mirëpo acarimet nuk do të përfundonin me kaq. Në video dëgjohet qartë një grup tifozësh, të cilët në kor bërtasin “vrite, vrite shqiptarin”, duke ia zbehur bukurinë asaj ndeshjeje spektakolare futbolli.”

Fjalori i Stojkoviqit, racist për mediat shqiptare, mediat maqedonase ishin neutrale

Gjatë ndeshjes, pas golit të dytë të Serbisë, trajneri serb, Dragan Stojkoviq – Piksi, i ekzaltuar i shau lojtarët shqiptarë. Mediat shqiptare kanë raportuar duke e dënuar këtë gjest, ndërsa Stojkoviqin e cilësuan racist, madje duke ia kujtuar publikut faktin se Stojkoviq kishte bërë ushtrinë në Prishtinë në vitin 1980!

Transmetimi i informacionit mbi sharjen, u bë me shtesën se përgjigjen e mori në terren nga futbollistët me prejardhje etnike shqiptare.

Portalet kryesisht raportuan, duke shprehur kundërshtimin ndaj kësaj sjelljeje josportive. Për ilustrim përmendim disa prej tyre:

Portali “Botasot” në shkrimin me titull “Ky është viti kur të dhanë bukë në Kosovë, ti i shave me nënë shqiptarët…“, ka transmetuar një qëndrim të Kemajl Gocës, i cili shkruante “Bukëpërmbysi! Ky është Dragan Stojkoviqi – Piksi, seleksionues i Serbisë. Dragan Stojkoviqi nga Nishi, që shërbimin ushtarak e kreu në Prishtinë, në Republikën e Kosovës në vitet e 80-ta. Viti kur të dhanë bukë në Kosovë, ti i shave me nënë shqiptarët! Marre të koftë”!

Portalet në gjuhën maqedonase, informacionin për sharjen e trajnerit serb e kanë përcjellë me tone neutrale dhe korrekte, me përjashtim të një portali, i cili e ka përcjellë tekstualisht sharjen e cila nënën shqiptare, në gjuhën maqedonase e quan “shiptare” (termi shiptar i përdorur në gjuhët sllave është fyes për shqiptarët).

Mediat shqipe “poshtërojnë” Zana Avdiun, mediat maqedonase e viktimizojnë

Në shkrimin e portalit “Pacensurë” me titull “Veprimin e Xhakës e quajti “akt rrugaçi”, Zana Avdiu merr lëvdata në Serbi” thuhet se “Në përkrahje të deklaratave të Avdiut doli edhe mediumi serb “Telegraf.rs”, i cili i kushtoi artikull të veçantë rreth kërcënimeve që mori ajo. Një gazetare në Kosovë kërcënohet me vdekje pasi dënoi sjelljen e turpshme të Xhakës në ndeshjen kundër Serbisë – thuhet në titullin e artikullit të portalit serb”, transmeton portali Pacensurë.

Ndërsa portali “Tetovasot” raportoi me titull goditës dhe me tone që ndërlidhin futbollin me krenarinë kombëtare, edhe pse Xhaka luan për Zvicrën. “I kundërvihet një djali me gjak shqiptari që na bën krenarë”, babai i Granit Xhakës replika ndaj Zana Avdiut“. Në fakt, portali ka përcjellë reagimin e Ragip Xhakës, babait të Granit Xhakës ndaj analistes Zana Avdiu, e cila sharjen e Xhakës ndaj lojtarëve serb, e ka quajtur veprim prej rrugaçi. “I kundërvihet një djali që është gjak shqiptari, që na bën të gjithë shqiptarëve krenarë. I thotë Granitit rrugaç. Po më vjen keq që një femër me shkrujt atë fjalë. Më së pari të ma tregojë mua fjalën rrugaç. Ndoshta prej efektit mundet me ndodh. Asnjë fjalë nuk e dëgjova për thirrjet e Serbisë”, transmeton Tetovasot.

Portali i TV Alsat, por edhe shumë portale tjera që kopjojnë lajmet e mediave kombëtare, transmetuan deklaratën e babait të Granit Xhakës me titullin “Babai i Xhakës i reagon ashpër Zana Avdiut”.

Ndërsa portali “Ditari.mk”, duke cituar babanë e Xhakës, ka raportuar me titullin “Ragip Xhaka: Zana Avdiu mbron tezat serbe, ajo s’din çka është sporti e as krenaria shqiptare.”

Ndërkohë, narrativi i mediave maqedonase ka qenë se qëndrimi i Zana Avdiut, e cila dënoi gjestin e Xhakës, është vënie në mbrojtje të futbollistëve serb:

PortalI MKD transmeton qëndrimin e avokatit të Zana Avdiut, i cili u bën thirrje sidomos personaliteteve publike, që të mos e drejtojnë gishtin drejt klientes së tij, sepse në atë mënyrë shtohen kërcënimet.

Përfundime

Narrativi i përdorur në raportimin mediatik para, gjatë dhe pas përballjes midis ekipeve të Zvicrës dhe Serbisë, dëshmoi se sporti në Ballkan, pra edhe në Maqedoninë e Veriut, sikur e ka patjetër të marrë ngjyrime politike dhe etnocentrike. Madje, edhe kur nuk përballen drejtpërdrejt ekipet shqiptare dhe serbe apo maqedonase dhe kur nuk luajnë drejtpërdrejt kombëtaret e Ballkanit, politizimi etnik është i pashmangshëm.

Ka mjaftuar që Zvicra, për të cilën luajnë disa shqiptarë të përballet me Serbinë, që të ndizen gjakrat e nxehtë ballkanik, që këtë përballje e shikuan me dioptrinë etnike, e cila në sfond kishte historinë e së kaluarës së luftërave në Ballkan, sidomos atë më të renë, në Kosovë në vitin 1999.

Mediat në gjuhën shqipe dhe ato në gjuhën maqedonase, kanë qenë të ndara gjatë raportimit dhe sidomos në procesin e interpretimit të përballjes mes ekipeve të dy vendeve. Mediat shqipe, veshjen e fanellës me mbiemrin Jashari, e kanë cilësuar si akt krenarie dhe patriotik, ndërsa një pjesë e mediave maqedonase e kanë quajtur provokim me motive historike bashkëkohore ndaj serbëve.

Divergjencat narrative mediatike janë vërejtur edhe gjatë trajtimit të sjelljes së trajnerit serb, Dragan Stojkoviq dhe deklaratës së analistes nga Kosova, Zana Avdiu ndaj veprimit të Granit Xhakës.

Ky stil dhe retorikë e raportimit, tregon se në Ballkan duhet të bëhet edhe më shumë që opinioni publik, por edhe media, ta trajtojë sportin si veprimtari që bashkon dhe jo që ndan dhe të raportojë me më shumë kujdes duke iu shmangur retorikës nxitëse.

Sidomos sporti është veprimtari e cila krijon ura komunikimi dhe interkulturalizmi dhe nuk duhet të trajtohet si diçka që doemos ndërlidhet me historinë e përgjakshme të Ballkanit, asaj të kaluarës më të largët e sidomos historisë së re, pas viteve 90-ta, e cila si “shpatë e Damokleut” ende rrezikon të ardhmen e popujve që jetojnë në këtë pjesë të Evropës.

(Autori është profesor universitar në lëmine e gazetarisë dhe komunikimeve publike)

—-

Instituti për Media dhe Analitikë IMA jo çdoherë pajtohet me qëndrimet e dhëna në shkrimet dhe analizat autoriale, mirëpo e vlerëson lartë kontributin e secilit autor dhe kontributin e ekspertëve mediatik për zhvillimin e një debati të argumentuar me vështrime të ndryshme për të avancuar gjendjen në hapësirën mediatike në Maqedoninë e Veriut

Të fundit