E diel, 19 Maj, 2024

PARALAJMËRIMET PËR BOMBA “PËRDITSHMËRI” ALARMANTE

Edhe sot kanë vazhduar alarmet për bomba  nëpër shkollat e mesme dhe ato fillore, ndërkaq  prindërit në orët e para të mëngjesit kanë marrë mesazhe nga mësuesit për të marrë fëmijët nga shkolla. Ministri i Punëve të Brendshëm, Oliver Spasovskit, tha se po merren të gjitha masat e parapara me protokolle dhe se ekziston një shtab siç tha ai që vazhdimisht po punon për këtë çështje. Ndërkohë partia opozitare VMRO-DPMNE kërkon përgjegjësi nga Spasovski. Kreu i shtetit, Stevo Pendarovski, ka theksuar se për momentin nuk ka cenim të theksuar sa për t’u thirrur mbledhje të Këshillit të Sigurimit. Ekspertët nga ana tjetër theksojnë se paralajmërimet vijnë nga qendra që janë jashtë vendit dhe duhet një bashkëpunim i fortë për të bërë diçka konkrete.

Shkruan: Enis Shaqiri

Përshëndetje prindër të nderuar. Në shkollën tonë kanë lajmëruar alarm, mundësisht ejani dhe merreni nxënësit”, ky ishte njëri ndër mesazhet që prindërit herët në mëngjes kanë pranuar nga mësuesit e shkollës Ismail Qemali në Çair, ndërsa edhe nëpër shumë shkolla tjera të Shkupit kanë pranuar e-mail nëpërmjet të cilëve është kërcënuar për bombë.

Siç mësohet të gjitha alarmet janë false, por që kjo nuk e zvogëlon as panikun, e as ankthin, si dhe as zemërimin e qytetarëve, të cilët konsiderojnë se bëhet fjalë për gjymtim të plotë të sistemit arsimor, para së gjithash, e më pas funksionimit të institucioneve.

SPASOVSKI NË KOMUNIKIM ME INTERPOLIN DHE EUROPOLIN

Ministri i Punëve të Brendshëm, Oliver Spasovskit, tha se po merren të gjitha masat e parapara me protokolle dhe se ekziston një shtab siç tha ai që vazhdimisht po punon për këtë çështje.

Janë ndërmarr të gjitha masat, sektori policor me bashkëpunim ndërkombëtar është në komunikim të vazhdueshëm me Interpolin dhe Europolin dhe po punohet ne gjetjen e kërcënueseve. Unë pres që këto dita të mbahet Këshilli për Koordinimin e Shërbimeve Informative të Sigurisë, në të cilin do të duhet të shkëmbehen të gjitha të dhënat ndërmjet ASK-së, Agjencisë së zbulimit, Komiteti në luftën kundër terrorizmit me qëllim të marrim shumë masa jo vetëm për rastin konkret, por në përgjithësi”, tha ministri i Punëve të Brendshme, Oliver Spasovski.

VMRO DPMNE KËRKON PËRGJEGJËSI NGA SPASOVSKI

Nga ana tjetër partia opozitare VMRO-DPMNE, përveç përgjegjësisë nga Spasovski kërkon menjëherë që ky i fundit të paraqitet edhe në seancën e  Komisionit për Mbrojtje dhe Siguri të thirrur nga kjo parti.

Menjëherë në Kuvend, së bashku me kolegët tjerë, kam kërkuar seancë urgjente të Komisionit për mbrojtje dhe siguri, të cilës do t’i referohet ministri i Punëve të Brendshme, Oliver Spasovski. Spasovski është  më i thirruri për t’u marrë me problemin dhe përderisa është i pa aftë të japë dorëheqje dhe të kërkojë ndihmë nga miqtë tanë ndërkombëtarë”, thonë nga VMRO-DPMNE

PENDAROVSKI: NUK KA NEVOJË PËR MBLEDHJEN E KËSHILLIT TË SIGURISË

Ndërsa Kreu i shtetit Stevo Pendarovski, tha se për momentin nuk ka cenim të theksuar sa për t’u thirrur mbledhje të Këshillit të Sigurimit. Sipas tij, të gjitha organet kompetente maksimalisht janë angazhuar dhe nuk lejojnë asnjë shanse që dikush të vendos ndonjë mjet shpërthyes në shkolla

Jam në komunikim të vazhdueshëm me Ministrinë e Brendshme. Deri më tani, nuk ka nevojë të ngrihet në një nivel të tillë. Nga ajo që di unë, autoritetet janë aktiv në lidhje me këto kërcënime. Janë dy aspekte – e drejta penale për shkak të stresit, panikut, frikës që shkaktojnë te fëmijët, prindërit, te të gjithë ne dhe kjo çështje shqyrtohet nga organet kompetente. Megjithatë, këto janë IP adresa që vijnë kryesisht nga jashtë dhe vështir të arritura”, tha Stevo Pendarovski.

EKSPERTËT: SULMET E TILLA KRYEHN NGA QENDRA JASHTË VENDIT

Ekspertë të fushës së Teknologjisë Informative thonë se edhe pas gjithë këtyre muajve, autoritetet nuk kanë një përgjigje konkrete për këto çështje, sepse është diçka shumë e vështirë për t’u zbuluar dhe vërtetuar, pasi që ka të bëjë kryesisht me rrjetet “WPN” dhe se nuk mund të merret një IP adresë saktësisht se nga vjen.

Nga atje theksojnë se sulme të tilla kryhen nga qendra që janë jashtë vendit dhe duhet një bashkëpunim i fortë për të bërë diçka konkrete.

Zbulimi i tyre nuk do të thotë gjithmonë se nevojiten vetëm aftësi dhe burime të teknologjisë informatike. Nëse autori ndodhet në një vend në det të hapur që mbron me çdo kusht privatësinë e përdoruesve të internetit, është pothuajse e pamundur të qasesh në ekspozimin e mëtejshëm, pavarësisht nëse autori është fizikisht i pranishëm në një vend të tillë ose i ka drejtuar disi gjurmët dhe trafiku i internetit kalon në një vend të tillë që mbron përdoruesit edhe kur bëhet fjalë për aktivitete kriminale që shkaktojnë një lloj dëmi material”, sqarojnë ekspertët e IT-së për “Factor”.

 

Të fundit