E shtunë, 18 Maj, 2024

KREDITË E SHPEJTA, QYTETARËT NË KTHETRAT E “FADEXHINJVE TË LIGJSHËM”

Zëvendës Avokati i Popullit i ka cilësuar kreditë e shpejta si “fajdexhinj të ligjshëm”, ndërkohë që ka bërë të ditur se kamatat arrijnë deri në 100 për qind. Ai ka folur edhe për presione dhe kërcënime ndaj shfrytëzuesve të kredive të shpejta. Ekspertë të ekonomisë theksojnë se është fakt i pakontestueshëm që marrja e kredive të shpejta ka marrë një hov kohët e fundit. Ata thonë se kjo vjen për shkak të pasojave nga pandemia, por edhe për shkak të rritjes enorme të çmimeve. Sipas tyre, shteti duhet të jetë më rigoroz në këtë drejtim, dhe këta institucione financiare jobankare, që japin kredi të shpejta, të njëjtat të mos i japin vetëm me letërnjoftime, por të kenë një bazë më të qëndrueshme për kthim të së njëjtës, përndryshe në fund sërish pësojnë qytetarët.

Shkruan: Eljesa Dervishi

Zëvendës Avokati i Popullit, Jovan Adonovski, ka deklaruar se një nga problemet më të mëdha për kategoritë e ndjeshme të qytetarëve janë kreditë e shpejta. Andonovski, për Radio Evropa e Lirë, foli për ankesat e qytetarëve dhe çfarë kurthesh juridike fshihen gjatë premtimeve përmes telefonit se për gjysmë ore mund të kërkojnë dhe t’u mbërrijnë para të shpejta.

“Qytetarët ankohen se kamata arrin edhe deri në 50 apo 100% të shumës së përgjithshme që kanë marrë si kredi. Kemi një situatë ku një qytetar erdhi në zyrën time, i cili për 30.000 euro duhet të kthej 60.000 euro. Sipas meje, bëhet fjalë për fajdexhinj të ligjshëm, kurse fajdet ndalohen me ligj. Fatkeqësisht si institucion nuk kemi kompetenca ndaj subjekteve private, por Ministria e Financave duhet të bëjë mbikëqyrjen e punës së tyre”, u shpreh Zëvendës Avokati i Popullit, Jovan Adonovski.

Ai gjithashtu tha se qytetarët të cilët janë shfrytëzues të kredive të shpejta, përballen edhe me kërcënime dhe presione.

Arben Halili, ekspert i ekonomisë, në një prononcim për KDP thotë se marrja e kredive të shpejta është fakt i pakontestueshëm dhe ka marrë një hov të shpejt kohët e fundit. E gjithë kjo është si rezultat i gjendjes gjithnjë e më të rënduar financiare të qytetarëve, për shkak të pasojave post-covid apo edhe rritja e çmimeve enorme, respektivisht inflacioni dyshifror.

“Është fakt i pakontestueshëm që marrja e kredive të shpejta ka marrë një hov të shpejtë kohët e fundit. Kjo është ofertë e cila realizohet përmes bankave komerciale, por në fakt edhe institucionet e tjera financiare të cilat janë prezente në çdo vend, kanë bërë të mundur që këto kredi të aprovohen më lehtë. E gjithë kjo është si rezultat i gjendjes gjithnjë e më të rënduar financiare të qytetarëve, veçanërisht për shkak të pasojave post-covid por edhe rritja enorme e çmimeve, respektivisht inflacioni dyshifror. Këta institucione financiare, duke parë nevojën në rritje për mjete financiare, janë duke e shfrytëzuar me mjeshtëri dhënien e kredive të shpejta, kundrejt një norme interesi më të lartë, thotë eksperti i ekonomisë, Arben Halili.

Halili thotë se fatkeqësisht përvoja jonë qoftë dhe në bazë ditore e punës, na bën të kuptojmë, që këto fonde ndoshta në moment ua lehtësojnë situatën qytetarëve, por kur vjen periudha e kthimit me anuitete mujore, kuptojmë, që të njëjtën e kanë të vështirë. “Dhe i gjithë ky proces pastaj bartet tek përmbaruesit, të cilët edhe më tepër ua vështirësojnë jetën qytetarëve, duke u kërkuar shpesh dyfishin e kostos së kthimit. Prandaj, mendoj që shteti duhet të jetë më rigoroz në këtë drejtim, dhe këta institucione financiare jobankare, që japin kredi të shpejta, të njëjtat të mos i japin vetëm me letërnjoftime, por të kenë një bazë më të qëndrueshme për kthim të së njëjtës, përndryshe në fund sërish pësojnë qytetarët.

 

Të fundit