E premte, 21 Qershor, 2024

ESCOBAR: MOZBATIMI I ASOCIACIONIT PAMUNDËSOI LOBIMIN AMERIKAN PËR KOSOVËN NË BE

I dërguari i deritashëm amerikan për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, tha të enjten se mungesa e mbështetjes së Kosovës për projekt propozimin evropian për Asociacionin, ka pamundësuar lobimin amerikan për proceset integruese të Kosovës, raporton Zëri i Amerikës, përcjell KDP.

Gjatë një interviste me Ilva Taren në Këshillin Atlantik, zoti Escobar tha se “do të duhej të këmbëngulej më shumë në themelimin e Asociacionit sesa në përpjekjet për t’i përafruar palët”, duke hedhur kritika ndaj Kosovës dhe Serbisë për mungesë të vullnetit politik.

“Asociacioni është absolutisht thelbësor që të interpretohet dhe zbatohet nga Kosova, është çështja më e vështirë. Duke qenë i tillë, ishte e rëndësishme që Kosova të jepte shenja të gatishmërisë për të trajtuar problemet e komunitetit pakicë serb brenda kufijve të saj. Kjo është shumë e rëndësishme dhe ka qenë shumë e vështirë”, tha zoti Escobar.

Ai theksoi se rruga e integrimit evropian të Kosovës është e lidhur ngushtë me përmbylljen e çështjes së Asociacionit.

“Në këndvështrimin amerikan, duke qenë se rruga e integrimit evropian të Kosovës përfshin pjesë të rëndësishme të këtij Asociacioni në secilin hap, ne besojmë se duke pranuar propozimin evropian, nëpërmjet një procesi evropian që është dialogu, në një marrëveshje të garantuar nga BE-ja, do t’i jepte palës amerikane një mundësi që të lobonte në vendet evropiane duke u thënë se Kosova ka plotësuar çdo kërkesë të Evropës dhe se rrjedhimisht njohjet e reja duhet të ndodhin. Por pa këtë hap ne nuk kishim material të mjaftueshëm për të punuar”, tha ai.

Mungesa e hapave drejt themelimit të Asociacionit të komunave me shumicë serbe, e la Kosovën jashtë agjendës së Këshillit të Ministrave, ndonëse në muajin prill ajo mori dritën jeshile nga Asambleja Parlamentare e Këshillit të Evropës për t’u anëtarësuar në këtë mekanizëm.

Por, vendet kryesore evropiane kushtëzuan votimin me hedhjen e hapave të parë drejt themelimit të Asociacionit, sipas një projekt statuti që në tetor të vitit të kaluar, diplomatët evropianë dhe amerikanë u dorëzuan Kosovës dhe Serbisë.

Qeveria e Kosovës i dërgoi të mërkurën një letër Këshillit të Evropës me zotimin për të hartuar një projekt statut të Asociacionit të komunave me shumicë serbe dhe për ta dërguar për interpretim në Gjykatën Kushtetuese deri në fund të muajit maj, ndonëse që më parë udhëheqësit kryesorë evropianë e kishin bërë të qartë se një mundësi e tillë nuk është “as e përshtatshme dhe as e zbatueshme”.

Një qëndrim të tillë, kishin shprehur në një letër të datës 15 maj, dërguar kryeministrit Kurti, presidenti francez Emmanuel Macron, kancelari gjerman Olaf Scholz dhe kryeministrja italiane Georgia Meloni.

Në përgjigjen e udhëheqësve evropianë, të cilën e ka parë Zëri i Amerikës, thuhet se masat e propozuara nuk trajtojnë nevojën urgjente për hapa vendimtarë drejt krijimit të Asociacionit dhe rrezikojnë të dëmtojnë më tej dialogun e lehtësuar nga BE-ja.

Të fundit