E shtunë, 27 Prill, 2024

KONFERENCA E PARË NDËRQEVERITARE, FILLIMI ZYRTAR I BISEDIMEVE ME BE-në

Maqedonia e Veriut përfundimisht sot zyrtarisht do të mbajë Konferencën e parë ndërqeveritare me Bashkimin Evropian. Këtij momenti i ka paraprirë miratimi i propozimit francez në parlament, ndërsa më pas nënshkrimi i protokollit mes Shkupit dhe Sofjes. Ndërkohë ka vazhdar përplasjet dhe akuzat mes pozitës dhe opozitës. Opozita ka theksuar se Maqedonia e Veriut sapo e ka filluar asimilimin sipas modelit bullgar. Sipas LSDM-së Republika e Maqedonisë së Veriut fillon negociatat për anëtarësim në BE me një formulim të qartë për gjuhën maqedonase. “Nesër fillon dialogu me BE-në përmes konferencës së parë ndërqeveritare që do të mbahet në Bruksel. Po hapen perspektiva të reja për shtetin, mundësi të reja për prosperitet për qytetarët”, kanë theksuar nga kjo parti.


Shkruan: Enis Shaqiri

Pas miratimit të “propozimit francez”, Maqedonia e Veriut, sot zyrtarisht do të mbajë Konferencën e parë Ndërqeveritare me Bashkimin Evropian, ndërsa pas kësaj, nis verifikimi, i cili do të zgjasë një vit e gjysmë. Ndërkaq, pas përfundimit të këtij procesi është planifikuar edhe konferenca e radhës ndërqeveritare, e cila do të finalizojë fazën e hapjes së negociatave për anëtarësim në Unionin Evropian.

Këtë e bëri të ditur Ministri i Punëve të Jashtme Bujar Osmani,i cili shtoi se “të martën ekspertët e BE-së, do të hyjnë në institucionet tona, ku nga e marta do të fillojnë të numërohen ditët deri në anëtarësimin e vendit”.

Mes tjerash Ministri Osmani, ka prezantuar edhe protokollin bilateral, të nënshkruar në Sofje, mes tij dhe ministres bullgare Teodora Gençovska. Sipas tij, me nënshkrimin e këtij protokolli RMV ka fituar tre pozicione të rëndësishme.

Kemi fituar gjuhë të pastër, çështjet historike të mos jenë kusht për fillimin e bisedimeve dhe ato të fillojnë menjëherë, ndërsa Bullgaria fiton mbajtjen e konferencës së dytë pas ndryshimeve kushtetuese”, tha Osmani.

Ndryshe, protokolli i publikuar përbëhet nga 20 faqe dhe tre pika rënditëse. Në të parën dhe të dytën shqyrtohen bashkëpunimet mes dy vendeve siç janë bashkëpunimi në fushën e ekonomisë, në fushën e bujqësisë, në fushën e financave, dhe të transportit, në fushën e komunikimit mes dy vendeve, si dhe programit Vjetor të Grupit të Punës “Bashkëpunimi Evropian Tranzicioni i Gjelbër dhe Transformimi Dixhital, Sundimi i Ligjit.“Mes tjerash vijojnë, tranzicioni i gjelbër, mbrojtja e mjedisit. Bashkëpunimi në fushën e shërbimeve postare. Grupi i punës ndërsektorial për turizmin, kulturën, shkencën dhe arsimin, rininë dhe sport etj.

Ndërsa pas pikës së tretë përfshihen masat më kryesore që duhen marrë përpara Konferencës Ndërqeveritare për të përfunduar fazën e hapjes së negociatave të anëtarësimit në BE. Këtu bëjnë pjesë gjuha e urrejtjes, rehabilitimi i viktimave në periudhën komuniste dhe pjesa e historisë.
Kujtojmë që ky protokoll është i themeluar në bazë të nenit 12 të Traktatit për miqësi, fqinjësi të mirë dhe bashkëpunim ndërmjet Republikës së Maqedonisë së Veriut dhe Republikës së Bullgarisë.

Nga ana tjetër opozita thekson se Maqedonia e Veriut, sapo e ka filluar asimilimin sipas modelit bullgar.

Me nënshkrimin e Protokollit të djeshëm mes Maqedonisë dhe Bullgarisë edhe zyrtarisht, çështjet bilaterale mes dy shteteve u bënë kusht në negociatat e Maqedonisë me Bashkimin Evropian. Ndryshimi i librave, ndryshimi i historisë, mosnjohja e gjuhës dhe identitetit maqedonas, si dhe fshirja e kulturës janë tradhtitë të cilat i nënshkroi dje Bujar Osmani në emër të tradhtarit Dimitar Kovaçevski”, thonë nga VMRO-DPMNE

Sipas tyre, Maqedonia e Veriut nuk do të përparojë në negociatat me BE-në, pa bullgarizim dhe asimilim, dhe se VMRO-DPMNE do të punojë në mënyrë aktive në këtë proces përmes bllokimit të plotë të ndryshimeve kushtetuese, si dhe përmirësimin dhe heqjen e pjesëve të dëmshme nga korniza negociuese dhe Protokolli.

Në ndërkohë, nga LSDM nënvizojnë se negociatat me BE-në, po fillojnë me gjuhë dhe identitet maqedonas të mbrojtur.

Republika e Maqedonisë së Veriut fillon negociatat për anëtarësim në BE me një formulim të qartë për gjuhën maqedonase. Nesër fillon dialogu me BE-në përmes konferencës së parë ndërqeveritare që do të mbahet në Bruksel. Po hapen perspektiva të reja për shtetin, mundësi të reja për prosperitet për qytetarët. Kot Mickoski përhap manipulime për gjuhën maqedonase, i tremb qytetarët me asimilim dhe bullgarizim”, thonë nga LSDM.

Kreu i Bashkimi Demokratik për Integrim,  Ali Ahmeti, kapërcimin e mosmarrëveshjeve mes Shkupit dhe Sofjes, si dhe hapjen e procesit të integrimit evropian të RMV-së , e ka quajtur si një moment historik për qytetarët e vendit.
Lideri i integristëve për Zërin e Amerikës, tha se pretendimet se autoritetet e vendit kanë bërë lëshime për sa i takon gjuhës, historisë dhe identitetit maqedonas, janë të pajustifikuara.

Mendoj se opozita u përfshi nga një valë emocionesh, nga një valë folklorizmi, thënë më shkurt pati një tendencë për manipulim të masave, gjoja se po humbet identiteti kombëtar maqedonas, po humbet gjuha maqedonase, po asimilohet kombi maqedonas me atë të bullgar. Të gjitha këto ishin më tepër për politika ditore dhe për t’u shtuar pikë partive të tyre, sesa diçka substanciale që kishte në gjithë këtë fushatë, apo gjithë këtë propagandë që e bënë dhe kjo më në fund u pa, edhe masat në përgjithësi e kuptuan që e tërë kjo bëhet vetëm e vetëm për të përmirësuar pozicionin e tyre politik në shoqëri, sesa diçka thelbësore në gjithë këtë aktivitet që ata e bënë”, ka thënë Ahmeti.

Të fundit