E hënë, 20 Maj, 2024

FËMIJËT NË “TERRIN” E IDENTITETIT GJENETIK

Në RMV ende nuk kemi procedura gjyqësore rreth shqyrtimit të identitetit gjenetik, por duke i shikuar kontradiktat ligjore, moszbatimin e konventave të ratifikuara si dhe mosnjohjen e mjaftueshme të së drejtës ndërkombëtare nga gjyqësori, nuk është për t’u habitur që në një të ardhme të afërt mund të gjendemi edhe para Gjykatës Evropiane për të Drejtat e Njeriut. Kjo për arsye se edhe fëmijët e vendit tonë gëzojnë mbrojtjen e të drejtës në jetën private dhe familjare si dhe të drejtën për një stabilitet psikologjik sa i përket identitetit të tyre.  Pavarësisht çmimit jetësor, asnjë fëmijë nuk duhet të diskriminohet. E drejta në identitetin gjenetik duhet të vendoset si koncept në Ligjin për Familjen

Shkruan: Doc. dr Arta Selmani-Bakiu

 A cenohen të drejtat e fëmijëve nga subjektet tjera të së drejtës? I njohur është fakti se, fëmijët janë qenia më e dashur në çdo familje, pavarësisht se a janë fëmijë martesorë, jashtëmartesorë, të adoptuar apo janë fëmijë të ngjizur me ndihmën e donatorëve. Çdo fëmijë ka të drejtë të jetojë në familje, dhe gjithnjë nën respektimin e interesit të tij më të lartë të gëzojë përkujdesjen nga të dy prindërit. Megjithatë, jo të gjithë fëmijët rriten me të dy prindërit, disa rriten me njërin prind, tjerët rriten nga prindërit juridik duke mos e kuptuar asnjëherë se kush janë prindërit e tyre biologjik. Marrëdhënia prindërore mund të themelohet në tri mënyra: biologjike, juridike (adoptimi) dhe përmes metodave të fekondimit artificial. Andaj, në të drejtën familjare bashkëkohore konceptit të përkujdesjes prindërore i jepet përparësi ndaj lidhjes biologjike si bazë juridike për konstituimin e prindërisë. Gjithsesi, ky koncept i prindërisë është vendosur duke u bazuar në interesin më të lartë të fëmijës, dhe interesi i fëmijës është të rritet dhe të jetojë në mjedis familjar stabil dhe të shëndetshëm, pavarësisht se a është ose jo gjenetikisht i lidhur me prindërit dhe në këtë drejtim asgjë nuk është diskutabile. Mirëpo, problemi paraqitet në situatat kur këto fëmijë duan dhe ndjejnë nevojën të zbulojnë të vërtetën rreth rrënjëve gjenetike.

E drejta për njohjen e prejardhjes gjenetike është e apostrofuar në kuadër të të drejtës për identitet personal dhe si e tillë duhet të jetë e pacenueshme. Kjo e drejtë nuk diskutohet në situatat kur fëmija është i lindur në bashkësi martesore, për shkak se nga momenti i lindjes, nëna dhe babai janë të njohur, përveç në situatat kur edhe në bashkësinë martesore prindëria biologjike dhe ajo juridike nuk përputhen, andaj në këtë rast vijnë në shprehje procedurat rreth vërtetimit/ kundërshtimit të atësisë/amësisë. Megjithatë, kërkimi i së vërtetës gjenetike mund të iniciohet nga fëmijët jashtëmartesorë, fëmijët e adoptuar si dhe fëmijët e lindur përmes metodave të reproduktimit artificial me material gjenetik të donuar. Në këto situata statusi biologjik i fëmijës nuk përputhet me statusin e tij ligjor, kjo për arsye se fëmija nuk është i lidhur gjenetikisht me prindërit të cilët përkujdesen për të. E drejta e fëmijës për të njohur prejardhjen e tij gjenetike lidhet me faktin e njohjes së prindërve biologjik si dhe të drejtën për të krijuar dhe mbajtur marrëdhënie familjare me ta. Nevoja për të kuptuar origjinën gjenetike, tërheq edhe informacionet lidhur me historinë mjekësore mbi sëmundjet eventuale gjenetike dhe trashëguese, si dhe parandalimin e  marrëdhënieve të incestit midis të afërmve gjinor.

Si trajtohet kjo e drejtë në legjislacionin e RMV-së? Në vendin tonë vazhdon të mbetet aktuale fshehja e së vërtetës fëmijëve të adoptuar dhe fëmijëve të marrë “bir në shpirt”, e cila traditë pritet t’iu përcillet edhe fëmijëve të ngjizur me ndihmën e materialeve gjenetike të donuara. Në rrethet tona familjare, për çiftet të cilët nuk kanë mundur të bëhen prindër në rrugë natyrore, marrja e fëmijës nga anëtarët e familjes i quajtur si “bir në shpirt”, ka qenë një nga mënyrat më të favorizuara për themelim të prindërisë. Dinjiteti familjar si dhe ruajtja e stabilitetit në marrëdhëniet prindërore, janë arsye që i shtyjnë prindërit juridik t’ia fshehin të vërtetën fëmijës i cili gjenetikisht nuk është i lidhur me ta. Kjo mënyrë e fshehjes së vërtetës me shumë xhelozi ruhet nga familjet tona. Përvojat flasin që, gjithnjë në situatat kur fëmija e kupton të vërtetën, shkaktohen turbulenca si në gjendjen e tij emotive, poashtu edhe në marrëdhëniet me prindërit. Ruajtja e sekreteve familjare rreth prejardhjes gjenetike ndihmohet edhe nga dispozitat e Ligjit për Familjen. Dinamika e ndryshimeve shoqërore në kushtet e globalizimit gjithsesi ka ndikuar edhe në ridefinimin e instituteve nga e drejta familjare. Edhe përkundër ndryshimeve në strukturën shoqërore dhe atë familjare, Ligji për Familjen ende i ruan institutet familjare tradicionale. Ndërlidhur me këtë, neni 75 i Ligjit për Familjen, fëmijëve të adoptuar dhe fëmijëve të ngjizur me ndonjërën nga metodat e reproduktimit artificial ua cënon të drejtën e inicimit të procedurës rreth vërtetimit/kundërshtimit të amësisë/atësisë. Nga vet teksti i ligjit qartazi mund të konstatohet se dispozitat ligjore mbrojnë anonimitetin e prindërve biologjik si dhe anonimitetin e donatorëve të materialeve gjenetike (kjo e drejtë garantohet edhe me Ligjin për Fekondim të Asistuar Biomjekësor). Sipas Ligjit për Familjen,  pas themelimit të adoptimit të plotë në Librin amzë të të lindurve, si prindër të fëmijës regjistrohen adoptuesit, ndërsa si vend i lindjes së fëmijës shënohet vendi të cilin me marrëveshje e caktojnë adoptuesit. Pra, juridikisht adoptuesit konsiderohen prindër të të adoptuarit që nga lindja e tij. Nga ana tjetër, me vet faktin se të dhënat për adoptimet e themeluara janë sekret zyrtar, fëmijës i mohohet e drejta që të informohet për identitetin e prindërve biologjik. Mirëpo, duhet ditur se, cenimi i të drejtës për t’u informuar rreth origjinës biologjike është në kundërshtim me nenin 7 parag.1 të Konventës për të Drejtat e Fëmijës. Njohja e identiteti gjenetik nën prizmën e respektimit të jetës private dhe asaj familjare garantohet edhe me nenin 8 të Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut. Konventa këto të ratifikuara edhe nga RMV. E drejta rreth kërkimit të së vërtetës gjenetike, hap edhe një situatë tjerë diskutabile, e ajo është konflikti që paraqitet midis interesave të fëmijës dhe donatorit. Pra, parimi mbi të drejtën e njohjes së prejardhjes gjenetike, përplaset me të drejtën e anonimitetit të donatorit të materialit gjenetik në rastin e fekondimit alogjen (shfrytëzimi i materialeve gjenetike ose embrioneve të donuara). Andaj, në të drejtën komparative, ende mbetet e pazgjidhur çështja se cilës të drejtë duhet t’i jepet përparësi, veçanërisht në situatat kur prindërit biologjik që kanë dhënë fëmijën në adoptim dëshirojnë të ngelen anonim. Dëshirës për (mos) ushtrimin e përgjegjësisë prindërore në të shumtën e rasteve i jepet përparësi ndaj të vërtetës rreth prejardhjes gjenetike. Ky aspekt veçanërisht vjen në shprehje në situatat e mbrojtjes së anonimitetit gjatë lindjes, vërtetimit dhe kundërshtimit të atësisë jashtëmartesore, metodave të ndryshme të reproduktimit artificial si dhe gjatë adoptimit. Prandaj, procedurat gjyqësore të cilat do të urdhëronin vërtetimin e prindërisë gjenetike përmes analizave të ADN-së nga njëri aspekt do të cenonin ruajtjen e privatësisë dhe anonimitetit, ndërkaq nga ana tjetër do të ndihmonin që fëmija të kuptoj të vërtetën rreth prejardhjes gjenetike. Ashtu siç është sqaruar edhe më lartë, në vendin tonë, fëmijët e adoptuar janë të penguar juridikisht të kuptojnë të vërtetën rreth familjes së origjinës. Zakonisht, kureshtja për të vërtetën fillon nga mosha e adoleshencës, e të cilën mund ta kuptojnë nga të afërmit ose miqtë. Për këto situata, ekzistojnë edhe grupe të mbyllura në rrjetet sociale si opsione teknologjike për të ardhur deri tek e vërteta, siç janë fb grupet: “Bioloski roditeli i deca” (Prindërit dhe fëmijët biologjik), “Posvoeni deca” (Fëmijët e adoptuar), “Potraga za bioloski roditeli, dete, brat, sestra” (Në kërkim të prindërve biologjik, fëmijës, vëllaut, motrës). Këto metoda të kërkimit të së vërtetës shpesh mund të shoqërohen me shumë keqkuptime dhe dezinformata.

Në praktikën juridike të Gjykatës Evropiane për të Drejtat e Njeriut ka shumë raste të shqyrtuara mbi të drejtën e fëmijës për të njohur origjinën e tij. Gati në të gjitha rastet gjyqësore, kjo Gjykatë mbron qëndrimin se neni 8 i Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut garanton edhe të drejtën në identitetin personal. Detajet lidhur me identitetin dhe interesin e një personi për marrjen e informatave të nevojshme për zbulimin e të vërtetës lidhur me aspektet e rëndësishme të identitetit familjar, siç është p.sh identiteti i prindërit (rasti Odièvre kundër Francës) kanë rol të rëndësishëm për zhvillimin e personalitetit. Lindja dhe rrethanat rreth lindjes janë elemente të rëndësishme për jetën private të fëmijës. Të dhënat mbi aspektet personale nga fëmijëria si dhe nga e kaluara mund të shërbejnë si burim i rëndësishëm i informatave lidhur me historinë e jetës private (rasti Gaskin kundër Britanisë së Madhe), prandaj pamundësia e fëmijës që të ketë qasje deri tek informatat personale relevante, paraqet shkeljen e të drejtës së njohjes së identitetit personal të garantuar me nenin 8 të Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut.

Në RMV ende nuk kemi procedura gjyqësore rreth shqyrtimit të identitetit gjenetik, por duke i shikuar kontradiktat ligjore, moszbatimin e konventave të ratifikuara si dhe mosnjohjen e mjaftueshme të së drejtës ndërkombëtare nga gjyqësori, nuk është për t’u habitur që në një të ardhme të afërt mund të gjendemi edhe para Gjykatës Evropiane për të Drejtat e Njeriut. Kjo për arsye se edhe fëmijët e vendit tonë gëzojnë mbrojtjen e të drejtës në jetën private dhe familjare si dhe të drejtën për një stabilitet psikologjik sa i përket identitetit të tyre.

Pavarësisht çmimit jetësor, asnjë fëmijë nuk duhet të diskriminohet. E drejta në identitetin gjenetik duhet të vendoset si koncept në Ligjin për Familjen si dhe Ligjin për Fekondim të Asistuar Biomjekësor, gjithnjë duke i dhënë prioritet interesit më të lartë të fëmijëve të ngjizur me materiale gjenetike të donuara, në raport me prindërit biologjik dhe donatorët. Njohja e identitetit gjenetik në asnjë mënyrë nuk cenon prindërinë juridike e as atë biologjike. Prindëria juridike dhe ajo biologjike dallojnë vetëm nga vula gjenetike, çdo dashuri, e drejtë dhe obligim prindëror është e njejtë në të dyja rastet, kjo për arsye se kujdesi dhe mirërritja e një fëmije janë prioriteti të cilit prindërit i kushtojnë vëmendje.

E vërteta shpesh mund të jetë shumë e vështirë mirëpo është më e vlefshme se sa të jetuarit në një gënjeshtër të bukur. Konsideroj që tani e kemi më të qartë përgjigjen e pyetjes së parashtruar në fillim të këtij shkrimi.

*Kjo analizë është prodhuar në kuadër të projektit të mbështetur nga NED. Qëndrimet e shprehura në këtë tekst janë ekskluzivisht të autores.

 

 

 

Të fundit