E martë, 7 Maj, 2024

KOSOVA DO TË APLIKOJË PËR STATUSIN KANDIDAT, BRUKSELI I THOTË SE GJASAT I KA TË VOGLA

Qeveria e Kosovës planifikon që gjatë këtij viti të dorëzojë edhe kërkesën formale për anëtarësim në Bashkimin Evropian. Këtë e kishte thënë në fund të vitit të shkuar kryeministri Albin Kurti, ndërsa e ka përsëritur së fundi edhe zëvendëskryeministri i parë, Besnik Bislimi, në një postim në Twitter pas takimit me shefat e përfaqësive të vendeve të BE-së në Prishtinë, raporton REL, përcjell KDP.

Nuk është hera e parë që nga autoritetet e Kosovës paralajmërohet aplikimi për anëtarësim në BE, por Kosova nuk e ka bërë asnjëherë deri më tash këtë hap.

Kjo, sipas burimeve diplomatike, për shkak të “këshillave të miqve”, të cilët kanë tërhequr vërejtjen se një kërkesë e tillë nuk do të kishte gjasa të kalonte në Këshill për shkak se Kosova nuk është njohur nga të gjitha shtetet anëtare të BE-së e procesi i zgjerimit, në secilin hap, është proces ku vendimet merren me konsensusin e të gjitha vendeve anëtare.

Kështu, Kosova vazhdon të mbetet i vetmi shtet i rajonit të Ballkanit Perëndimor që nuk ka kërkuar formalisht anëtarësim në BE, ndërkohë që BE-ja përsërit se “Kosova ka perspektivë evropiane”.

Kësaj radhe në Bruksel nuk duan të përgjigjen në mënyrë direkte në pyetjet specifike se si do të veprojë BE-ja pasi Kosova ta dorëzojë formalisht kërkesën për anëtarësim. Por, burimet në institucionet e BE-së thonë se kjo është një çështje që i takon Kosovës, në njërën anë, dhe shteteve anëtare të BE-së, në anën tjetër. Me gjithë hezitimin që të flasin publikisht, disa bashkëbisedues të Radios Evropa e Lirë në Bruksel kanë thënë se “nuk shohin gjasa reale që kërkesa e Kosovës për anëtarësim të kalojë në Këshill”.

Nga Komisioni Evropian, organ ekzekutiv i BE-së që ka një rol për të analizuar dhe rekomanduar procesin e zgjerimit, por jo edhe të marrjes së vendimeve, po ashtu nuk kanë dashur të përgjigjen në pyetjen se si do të veprojnë në rast se Kosova aplikon për anëtarësim.

Në një përgjigje të dërguar në emër të Komisionit Evropian, Ana Pisonero, zëdhënëse për çështje të fqinjësisë dhe zgjerimit, ka thënë:

“Kosova ka një perspektivë të qartë evropiane. BE-j vazhdon ta mbështesë Kosovën që të afrohet me BE-në, dukë nisur përmes zbatimit të Marrëveshjes së Stabilizim-Asociimit BE-Kosovë, e cila hyri në fuqi në vitin 2016. Rrugëtimi evropian i Kosovës varet, po ashtu, nga normalizimi i raporteve me Serbinë”.

Në rastin e aplikimit të Kosovës për anëtarësim në BE do të jetë shumë më vështirë të tejkalohet vetoja e shteteve që nuk e kanë njohur, pasi ato që quhen “Kriteret e Kopenhagës” përmendin emërtimin “shtet”.

“Secili shtet evropian, i cili respekton vlerat e përmendura në nenin 2 dhe është i përkushtuar për t’i promovuar ato, mund të aplikojë për anëtarësim në union”, thuhet në kapitullin 49 të Traktatit të Bashkimit Evropian, që në rastin e zgjerimit janë të njohura si “Kriteret e Kopenhagës”.

Në rastin e Kosovës, diplomatët dyshojnë se nuk ka kushte formale për të marrë statusin e kandidatit pasi Kosova për BE-në nuk e përmbush kriterin të jetë “shtet”, për shkak se nuk është njohur si e tillë nga pesë vende anëtare. E vendimet në Këshill për statusin e kandidatit miratohen me unanimitet nga të gjitha shtetet.

Zakonisht kërkesa për anëtarësim nga ndonjë shtet që synon integrimin në BE i dorëzohet shtetit që ka kryesimin e radhës të BE-së. Nëse Kosova do ta bëjë këtë gjatë vitit 2022, atëherë ose duhet t’ia dorëzojë Francës deri në fund të muajit qershor, ose Çekisë, e cila e merr kryesimin e radhës të BE-së në gjysmën e dytë të këtij viti.

Pastaj, ai shtet konsultohet me vendet tjera anëtare dhe nëse ka pajtim, Këshilli i jep Komisionit Evropian detyrën që të përgatisë mendimin nëse janë përmbushur kushtet për status kandidati dhe nisje të negociatave të anëtarësimit. Pas mendimit të Komisionit dhe dhënien e pëlqimit nga Parlamenti Evropian, Këshilli vendos në secilin hap në procesin e anëtarësimit.

 

Të fundit