E hënë, 29 Prill, 2024

KALENDARI I PRITJEVE DHE KUPTIMEVE NJERËZORE

Por, ne jemi qenie njerëzore dhe brenda këtij kuadri të zymtë dhe me shumë të panjohura vendosim shpresën, këtë copë qielli të dëlirë që mban zgjuar fluturimet përtej humnerës. Përballë të paparashikueshmes dhe kalendareve deprimuese politike, ne edhe njëherë dëshpërimisht ngritemi për ta pohuar ekzistencën tonë edhe nê partiturat e vitit që po vjen. Mbase si personazhe situatash absurde, mbase të mishëruar në fatin e Sizifit, por gjithnjë kêmbëngulës në kërkimin e kuptimeve më njerëzore në kalandarin e vitit që po vjen, në kalendarin politik dhe social.

Shkruan: Bardhyl Zaimi

Ngadalë po e lëmë pas një vit të lodhur, një vit pandemik që mori me vete shumë jetë njerëzish. Shkelëm në këtë vit të lodhur me trishtimet e pandemisë, me shpresën se do të jetë më i mirë. Gjithë ne u ngujuam në gjëmën globale, e cila na kishte pushtuar me një frikë të thellë që nga 2019, që nga momenti kur armiku i padukshëm pishtoi jetën tonë.
Në kohën kur gjithçka kishte ndryshuar krisja ontologjike, krisja e beftë e qenies sonë na bëri të kuptojmë se sa e brishtë është jeta njerëzore. Gjithë ai progres njerëzor u shtang përballë një kanosjeje të llahtarshme që vinte nga e paparashikueshmja, nga misteri i natyrës që po e atakonte racionalitetin njerëzor, atë shkëlqim progresi që tashmë po dhridhej për një përgjigje.
Dhe kjo gjëmë u shpërnda edhe në ketë vit që po lëmë pas, duke i përkulur jetën njerëzore në një përkorje trishtuese. Sidoqoftë njerëzimi nuk u dorëzua, shkenca ndërkohë po bente betejën me armikun e padukshëm. Pas një punë emergjente në heshtje bota shkencore po i falte njerëzimit dritën e shpresës. Pikërisht në këtë vit bota shkencore i dha njerëzimit vaksinën, shpresën për t’u përballur me sa ma pak pasoja me armikun e padukshëm dhe këmbëngulës.
Gjëma e madhe nuk përfundoi me kaq. Valë të reja të pandemisë do të merrnin edhe shumë jetë njerëzor. Një shpartallim social do ta përshkojë edhe humnerën e përhershme të ekzistencës sonë, humnerën e improvizimeve dhe të papëgjegjësisë njerëzore. Pasojat do të jenë tragjike në spitalin modular nê Tetovë, ku u këputên jeta njerëzish në flakën e një tragjedie që edhe sot e kësaj dite mbetet pa një përgjigje nga institucionet. Një dhimbje trishtuese qê do të mbetet përjetësisht në kujtesën e gjithsecilit.
Nën hijen mortore të pandemisë kalendari politik dhe social vazhdoi me ripërsëritjet e veta, me vrimat e zeza të qeverisjes dhe me shpartallimin social të shumë familjeve qê po kërkonin format e mbijetesës në një habitus politik dhe social që ndodhej para kolapsit. Politika vazhdoi me avazin e vjetër të lojërave oborrtare, ndërkohë që konstantat e dëshpërimit kishin prodhuar në moment tjetër politik që rezultoi me tronditje në qeveri me dorëheqje të kryeminstrit dhe me një formatim tjetër qeveritar që pritet të formësohet në fillim të vitit qê po vjen, i cili gjithashtu pritet të jetë me shumë tê panjohura në dimensionin politik.

Gjersa politika vazhdon me avazin e ripërsëritjeve kalendari i ekzistencës sonë do të vazhdojë të shënoj tronditje të zakonshme që destabilizojnë jetët tona deri në pasiguri të llahtarshme. Gjithë ne jemi përballë ankthit të madh të pritjes qê për shumëçka do të varet nga koordinatat politike, të cilat shpeshherë vendosen kuturu nga politikat improvizuese.

Por, ne jemi qenie njerëzore dhe brenda këtij kuadri të zymtë dhe me shumë të panjohura vendosim shpresën, këtë copë qielli të dëlirë që mban zgjuar fluturimet përtej humnerës. Përballë të paparashikueshmes dhe kalendareve deprimuese politike, ne edhe njëherë dëshpërimisht ngritemi për ta pohuar ekzistencën tonë edhe nê partiturat e vitit që po vjen. Mbase si personazhe situatash absurde, mbase të mishëruar në fatin e Sizifit, por gjithnjë kêmbëngulës në kërkimin e kuptimeve më njerëzore në kalandarin e vitit që po vjen, në kalendarin politik dhe social.

Urojmë që ky vit të jetë më i bardhë dhe me përkushtime politike që mundësojnë jetë të dinjitetshme për gjithsecilin!

Të fundit