E enjte, 16 Maj, 2024

ÇFARË KA TË PËRBASHKËT MES PRESIDENTIT MALAZEZ, GJUKANOVIQ, DHE ZEQIRJA IBRAHIMIT TË VLEN-it?

Prokuroria në Podgoricë  ka hapur fundjavën e kaluar një lëndë kundër ish-Presidentit malazez, Milo Gjukanoviq, i cili në një intervistë për televizionin komercial AntenaM, duke komentuar arrestimet e fundit të ish-drejtuesve të policisë dhe prokurorisë së Malit të Zi, ka thënë se “ai që po e bën këtë që tash po bën, ai nuk e kupton se tashmë ka hapur një faqe të re të hakmarrjeve malazeze”, duke sjellur në kujtesë se “kjo nuk është karakteristike vetëm për bashkësitë shqiptare, me të cilat lidhet kryesisht gjakmarrja…në zemrën e Malit të zi, në nahinë e Katuneve, gjakmarrja midis disa familjeve të vjetra malazeze zgjat mbi 200 vjet”, – ka thënë Gjukanoviq:

“Kush nuk e di këtë, nuk e kupton se sa e rrezikshme është kur politika e vetme pas ardhjes në pushtet bëhet revanshizëm. Revanshizmi është vetëm emër politik për hakmarrjen. Kjo do të thotë se nuk ka vetëdije se duhet të tërhiqet një vijë nën praktikën malazeze të hakmarrjes. Ai që po bën këtë që po bën tani, ai nuk e kupton se tashmë ka nisur një faqe të re të hakmarrjeve malazeze. Dhe, gabon shumë nëse në ato pranga për të cilat vajton, në duart e njerëzve të tjerë, nuk i njeh prangat e veta nesër”, – ka thënë Gjukanoviq për median malazeze.

Për koincidencë, po javën e kaluar, një ndër eksponentët kryesorë të koalicionit opozitar VLEN, Zeqirja Ibrahimi, duke iu referuar Frontit Europian si “humbësit e votës shqiptare” e duke e akuzuar atë për kërcënim ndaj votuesve, ka paralajmëruar se të njëjtit, pas tetë majit, i presin – “prangat”:

“Po shkruaj që t’ju them – jepni zor sa të mundeni, përdoreni çdo metodë që e keni në dorë, veç një gjë mos harroni: për krejt juve jemi duke mbajtur evidencë. Ta dini se pas 8 majit pozicionet do të ndryshojnë dhe ju do të jeni në opozitë. Koalicioni VLEN tashmë e ka në tavolinë marrëveshjen për qeverinë e re. E pastaj, kur nuk do ta keni në dorë policinë, DAP-in (UJP), policinë financiare e inspektoratet, në duar do të keni vetëm pranga”, – ka shkruar Z. Ibrahimi në rrjetet sociale.

Dhe, ndërsa veprimi i autoriteteve gjyqësore malazeze mund të shihet si revanshizëm ndaj arkitektit të ri- pavarësisë së Malit të Zi, natyrisht si pjesë e luftës për konsolidimin e pushtetit të ri, herë pro-serb, herë pro-rus e herë pro-evropian, deklarata e Ibrahimit, hëpërhë, është e motivuar më shumë nga karshillëku i liderit të VMRO-DPMNE-së ndaj BDI-së e sidomos ndaj kreut të saj, sesa nga ndonjë rezultat në raundin e parë të Presidencialeve në të cilat kandidati i VLEN-it – humbi!

Të fundit