E hënë, 6 Maj, 2024

KAMBERI: BEOGRADI NË SHQIPËRI SHEH SHQIPTARË, NË KOSOVË – “SHIPTARI”

Deputeti i listës “Alternativa Demokratike Shqiptare-Lugina e Bashkuar” në Kuvendin e Serbisë, Shaip Kamberi, beson se shqiptarët në Serbi shihen si faktor përçarës, të padëshirueshëm dhe ndërhyrës. Ai shton se Qeveria e Serbisë ka qëndrim tjetër ndaj shqiptarëve në Shqipëri, ndryshe ndaj shqiptarëve të Kosovës dhe tjetër ndaj shqiptarëve të Luginës së Preshevës. “Në Shqipëri janë shqiptarë, ndërsa në Kosovë janë shiptarë – kjo është një përpjekje për copëtimin e një kombi që ka të njëjtën kulturë. Shqiptarët edhe në Shqipëri,edhe Mal të Zi, edhe në Kosovë, edhe Maqedoninë e Veriut janë pjesëtarë të të njëjtit popull,”-  transmeton KDP-ja deklaratën e Kamberit për televizionin e pavarur serb N1.

‘E ardhmja e popujve tanë është në bashkëpunim, por a është e mundur nëse (presidenti serb Aleksandar) Vuçiq njeh gjysmën e kombit shqiptar dhe gjysmën jo. Ne kërkuam që Ballkani i Hapur të jetë jo vetëm një nismë ekonomike, por edhe një nismë që duhet të shtrihet edhe në të drejtat e njeriut. Është e pamundur të ndërtohen marrëdhënie të mira me Shqipërinë, ndërsa marrëdhëniet me Kosovën dhe Luginën e Preshevës janë kështu siç janë”.

Ai ka shtuar se e gjithë nisma e Ballkanit të Hapur duhet të karakterizohet nga marrëdhënie të fqinjësisë së mirë në Ballkanin Perëndimor dhe duhet të nënkuptojë edhe respektimin e pakicave.

I pyetur nëse sheh dikë nga opozita serbe me të cilët do të bashkëpunonte, Kamberi përgjigjet: “Sigurisht do të shohim dikë që ka një program të qartë, për ta futur realisht Serbinë në BE, jo të ulet në tri karrige – Kinë, Rusi, BE, që do të përjashtojë pabarazinë, dhe të ketë qëndrim të qartë ndaj pozitës së pakicave kombëtare”. Mirëpo, për tej kësaj, ai pranon se aktualisht ka akull në komunikim: “Nuk kam pasur rast të pi kafe me asnjë lider opozitar”, thotë Kamberi, dhe i pyetur “pse” ai përgjigjet: “Ndoshta ngaqë shqiptarët në këtë vend konsiderohen si përçarës dheas ata nuk guxojnë të takohen me ne, sepse do të marrin epitetin e bashkëpunimit me shiptarët vetëm për të shkatërruar Serbinë’.

“Pas këtij emisioni do të shihni reagimet e tabloideve, se si televizioni i Gjilasit promovon heroin e ri. Ky është një qëndrim për shkak të të cilit ndoshta edhe opozita aktuale po ngruon të bashkëpunojë me ne”, thekson ai dhe shton se është absolutisht i vetëdijshëm se “pa demokratizimin e Serbisë, ne (shqiptarët) nuk do të mund të realizojmë të drejtat tona”.

I pyetur se përse kundërshton ndryshim-plotësimet në Ligjin mbi Bazat e Sistemit Arsimor dhe Edukativ, i cili parasheh që nga një shtatori i vitit të ardhshëm në shkollat serbe të këndohet himni serb “Perëndia e Drejtësisë”, kur edhe ai është shtetas i këtij vendi, dhe ky do të duhej të ishte edhe himni i tij, Kamberi thotë se është problematike sjellja e shtetit ndaj komunitetit shqiptar: “Të imponohet diçka që është ekskluzivisht simbol serb, ndërsa atyre fëmijëve (shqiptarë) nuk u keni siguruar libra, keni fëmijë që nuk dinë as shkronja shqipe dhe duhet të mësojnë ‘Perëndinë e Drejtësisë’. Ai përfundon me fjalët “Perëndi  shpëto, Perëndi mbro, të lutet soji serb’. Ku e shohin veten minoritetet këtu?”- pyet Kamberi. Sipas tij, çdo përpjekje për të vënë në dukje problemet ekzistuese të pakicave qeveria e quan ose luftë për pushtet ose “se duam ta shkatërrojmë Serbinë”: “Kur t’u siguroni pakicave kombëtare kushte dhe të drejta që garantohen nga legjislacioni vendas, atëherë ky qëndrim  i tyre (ndaj shtetit dhe simboleve të tij) do të ndryshojë”.

Deputeti i njohur ka komentuar edhe vendimin e fundit të Gjykatës serbe të Apelit e cila vlerësoi si të pabazë padinë e Këshillit Kombëtar të Shqiptarëve kundër ministrit të Policisë, Aleksandar Vulin, për shkak të përdorimit të termit “shiptar”, duke theksuar se kjo flet edhe për pozitën e shqiptarëve në Serbi: “Aktvendimi vetëm se na kthen në një periudhë të harruar nga fundi i viteve 1960, kur shqiptarët nënçmoheshin”. Termi “shiptar”  që atëherë nuk është përdorur në paraqitje zyrtare , kurse  tash në njëfarë mënyre, ky term po legalizohet, pa asnjë kërcënim për dënim”, thotë Kamberi duke shtuar se argumenti i Vulinit se shqiptarët e quajnë veten shiptarë nuk është shpjegim, sepse serbët e përdorin atë në kuptimin poshtërues.

“Kur përdoret nga serbët, ai është fyes. Një fjalë e urtë serbe thotë “më quaj si të duash ama vetëm mos më ofendo”. Nëse shqiptarët këmbëngulin se kjo është ofenduese, atëherë pse thuhet”,-  pyet Kamberi duke paraljmëruar  ankesë në Gjykatën Kushtetuese dhe, nëse edhe ajo hidhet poshtë atëherë do t’i drejtohet Gjykatës në Strasburg.

“Kjo na largon nga çdo pajtim, këtë vend nga demokracia, nga ndërtimi i një jete të përbashkët me pakicat e veta… Në Serbi jetojnë 22 minoritete, ajo nuk është monoetnike dhe duhet të kujdeset për pakicat e saj.” Lideri i shqiptarëve të Luginës së Preshevës, në intervistën për televizionin N1 ka akuzuar autoritetet qendrore në Beograd për mosbazimin e më shumë marrëveshjeve për përimirësimin e pozitës së shqiptarëve në këtë vend. Firmosja e marrëveshjeve, sipas tij, dëshmon se shqiptareët duan  të merren vesh dhe të bashkëpunojnë me autoritetet serbe: ‘Por nëse ato nuk zbatohen, atëherë duhet të kërkoni alternativë, BE-ja është një nga elementet dhe Serbia synon  drejt saj, ndaj edhe duhet t’i respektojë ato standarde”,- tha Kamberi, duke shtuar se edhe nëse evetualisht arrihet marrëveshje ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, e të mos ketë zgjidhje  të çështjes së shqiptarëve, do të mbetet burimor keqkuptimi mes dy popujve që, sipas tij, nënkupton tensione të vazhdueshme: “Nëse dëshirohet paqja afatgjatë në Ballkanin Perëndimor, duhet të zgjidhen të gjitha problemet”, tha ai, duke shtuar se duhet të kërkohen instrumente që do ta detyrojnë pushtetin në Serbi që të zgjidhë problemet ekzistuese. Sipas Shaip Kamberit problemet e shqiptarëve në këtë vend që kanë të bëjnë me çështjet identitare  nuk mund të zgjidhen  nga një pushtet i këtillë. Sipas tij, në referendumin e paralajmëruar për ndryshimin e Kushtetutës duhet shkuar jo me ndërrime parciale, por ndryshimi duhet të jetë i plotë: “Pa ndryshimin e gjithë Kushtetutës, Serbia nuk mund të jetë anëtare e BE-së, i gjithë procesi po shtyhet qëllimisht”- ka vlerësuar deputeti shqiptar.

Të fundit