E diel, 19 Maj, 2024

VOTIMI I DIASPORËS: SHPENZOHEN 800 MIJË EURO PËR 1 MIJË VOTA!

Diaspora do të votojë vetëm në zgjedhjet presidenciale, sepse nuk është plotësuar kushti që kjo të ndodhë në zgjedhjet parlamentare. Pavarësisht kësaj, vëzhguesit partiakë janë në rrugë nëpër botë dhe për këtë janë paraparë gjithsej 800 mijë euro para të shtetit, raporton REL.

Diaspora e Maqedonisë së Veriut nesër më 7 maj do të votojë në raundin e dytë të zgjedhjeve presidenciale 2024, përkatësisht për dy kandidatët që kaluan në raundin e parë – kandidatin e LSDM-së, Stevo Pendarovski dhe kandidaten e VMRO DPME-së, Gordana Siljanovska Davkova.

Ditë më parë gjithsej 191 anëtarë të komisioneve zgjedhore të diasporës kanë udhëtuar në vendet ku do të mbahet votimi.

Sipas ligjit, presidenti dhe zëvendësi i tij zgjidhen nga radhët e punonjësve të Përfaqësive Konsullore Diplomatike (PDK), ndërsa anëtarët e tjerë janë me propozimin e partive në pushtet dhe opozitë që kanë fituar më shumë vota në zgjedhjet e fundit parlamentare.

Përkundër faktit se Radio Evropa e Lirë kërkoi emrat e anëtarëve që zhvillojnë zgjedhjet në diasporë, Komisioni Shtetëror Zgjedhor (KSHZ) nuk i zbuloi. Emrat nuk mund të gjenden as në faqen e internetit të KSHZ-së, përkundër faktit se ekziston një paraqitje tabelare që qëndron bosh.

Komisioni për REL vetëm thotë se nga buxheti për votim jashtë vendit janë ndarë 50 milionë denarë ose rreth 800 mijë euro.

“Kjo është një shumë e parashikuar, ndërsa mjetet e sakta të shpenzuara për këtë qëllim do të dihen pas përfundimit të zgjedhjeve, duke pasur parasysh se në disa shtete nuk do të bëhet votimi”, thuhet në përgjigjen e KSHZ-së.

Gjithsej 2.569 votues nga Maqedonia e Veriut që jetojnë jashtë vendit janë të regjistruar në gjithsej 31 zyra konsullore. Në raundin e parë, më pak se gjysma votuan, ose 1,017, që nënkuptonte një pjesëmarrje prej 39.6%.

“Komisioni Shtetëror i Zgjedhjeve nuk organizon dhe as mbulon financiarisht qëndrimin e këshillave zgjedhorë në periudhën ndërmjet dy raundeve të zgjedhjeve presidenciale, por personat e punësuar kthehen menjëherë pas përfundimit të ditës së zgjedhjeve sipas zonës kohore”, thuhet në njoftimin e KSHZ.

Se sa kompensim marrin këta persona nuk bëhet e ditur, vetëm se është e rregulluar me Rregullore dhe shuma është e njëjtë me atë të këshillave zgjedhore në Maqedoninë e Veriut. Mirëpo, përveç kësaj, anëtarët e komisioneve që kanë shkuar jashtë shtetit marrin edhe mëditje të rregulluara varësisht nga vendi në të cilin ndodhen.

Për organizimin e zgjedhjeve në misionet konsullore diplomatike, është e nevojshme të regjistroheshin të paktën dhjetë zgjedhës. Kjo kërkesë plotësohej në 31 zyra përfaqësimi, por për të votuar për zgjedhjet parlamentare ishte e nevojshme që të regjistroheshin të paktën 5355 zgjedhës, në të 52 QV-të. Kjo nuk ndodhi, kështu që diaspora nuk do të marrë pjesë në zgjedhjen e deputetëve të ardhshëm.

Kjo kërkesë është sqaruar nga KSHZ-ja për shkak se deputetët zgjidhen në njësinë zgjedhore jashtë vendit sipas modelit proporcional, përkatësisht duhet të ketë një lloj regjistrimi.

Kështu, për t’u zgjedhur një deputet i Njësisë Zgjedhore 7 duhet të fitojë të paktën të njëjtin numër votash si deputeti me numrin më të vogël të votave të fituara në territorin e shtetit në zgjedhjet e fundit parlamentare.

Tani për tani askush nuk e shtron pyetjen nëse do të mund të organizohej votimi në mënyrë elektronike. Nga KSHZ thonë se nuk kanë kompetencë të propozojnë ligje.

Në disa vende evropiane, diaspora voton ose elektronikisht ose me postë dhe ia dërgon fletëvotimin KSHZ-së.

Në vitin 2021 është bërë regjistrimi i popullsisë në Maqedoninë e Veriut dhe është aktivizuar aplikacioni special për diasporën, me të cilin qytetarët regjistroheshin në mënyrë elektronike.

Të fundit