E shtunë, 12 Tetor, 2024

PROFESORI ME BOKS HEKURI

Autor: Xhelal NEZIRI

 

Një profesor në shkollën e mesme “Ibrahim Themo” në Strugë u raportua se kishte rahur nxënësin. Gjatë përleshjes kishte përdorur boks hekuri, një mjet që zakonisht gjendet në xhepat e bandave të hajdutëve nëpër rrugicat e qyteteve. Nga lëndimet serioze në kokë, nxënësi ka përfunduar në spital. Profesori është vendosur në pranga dhe është përjashtuar nga puna. Drejtoresha e shkollës tha se ka vendosur ta përjashtojë, e me këtë u mbyll tema e përgjegjësisë së saj. Ndërkohë, profesorë tjerë të shkollës thanë se profesori me boks hekuri ka kohë që sillet si kapadahi, duke kërcënuar jo vetëm nxënësit por edhe kolegët.

“Hajt t’i gjejmë një vend pune, ta shtyjmë në shkollë le ta marrë një rrogë”. Kjo është filizofia e arsimit të projektuar vite me radhë, e që sot na jep profesorë me boks hekuri. Konkurset që moti janë vetëm formalitet.

Janë thënë shumë fjalë të mençura për arsimin, por si duket asnjëra nuk ka pasur ndikimin e duhur këtu. Nga ajo që thotë se “nëse dëshirosh ta shkatërrosh një popull, shkatërroja arsimin“, e deri te thëniet e politikanëve vizionarë, që kanë udhëhequr popujt e tyre drejt zhvillimit të hovshëm, siç është deklarata ish-presidentit amerikan Franklin D. Roosevelt: “Demokracia nuk mund të ketë sukses nëse ata që votojnë nuk janë të gatshëm të zgjedhin me mençuri. Prandaj, mbrojtja e vërtetë e demokracisë është arsimi”.

Si demokracia ashtu edhe zhvillimi socio-ekonomik është i lidhur ngushtë me kualitetin e arsimit. Sa më ulët kualiteti i arsimit, aq më e lartë injoranca. Sa më e lartë injoranca, aq më i lehtë është manipulimi i votuesve nga ana e politikanëve. Sa më masiv të jetë manipulimi, aq më më desruktive do të jetë politika ndaj arsimit. Sa më i rrënuar të jetë arsimi, aq më e  theksuar është varfëria e një populli. Pra, është ky një rreth i mbyllur nga ku është rëndë të dilet.

A janë të paaftë dhe jokompenentë të gjithë punonjësit e arsimit, që kanë fituar punën nëpërmjet partive? Gjithsesi se jo. Përgjithësimet asnjëherë nuk tregojnë të vërtetën. Është fakt se partia ka qenë dhe mbetet derë e vetme për të fituar një vend pune, jo vetëm në arsim. Nëpërmjet partisë janë punësuar edhe kuadro të mira, por të parët që kanë zënë vendet e punës në këtë mënyrë janë njerëzit me diploma të blera, me dosje kriminale, madje edhe me probleme psikike.

Nga arsimi fillor, i mesëm e deri te ai sipëror punëtorë shëndetësor dhe administratorë kanë kaluar nëpër duart shumë arsimtarëve dhe profesorëve, midis të cilëve një numër i konsiderueshëm kanë qenë analfabetë funksionalë në lëndët e tyre.

Nuk është faji vetëm te partitë që e sollën arsimin në këtë derexhe, në kohën kur bota ka futur robotikën apo inovacionin si lëndë në shkolla. Faji është edhe te ne si shoqëri. Nëse njëzëri do të kishim kundërshtuar partizimin e arsimit, atëherë nuk do të ishim në këtë derexhe. Nëse shumica do ta kishim kundërshtuar këtë dukuri kur bëhej fjalë për punësime personale apo të të afërmve, atëherë sot nuk do të kishim kësi rrënuesish të së ardhmes tonë. Faji qëndron në pranimin si normalitet të kësaj dukurie kur bëhet fjalë për interesa personale, dhe në reagimet vetëm kur bëhet fjalë për “tjetrin” jashtë orbitës familjare apo partiake.

E në çfarë derexhe kemi rënë, e tregon testimi i PISA-s. Në krahasim me vendet e rajonit, Maqedonia e Veriut ka një rënie të rrezikshme në kualitetin e arsimit fillor dhe jo vetëm. Këto numra duhet të jenë alarm i kuq për ata politikanë me vizion (nëse ka të tillë), pasi globalizimi dhe integrimi i kontinentit Evropian do t’i bëjë gjeneratat e reja jokonkurrente në tregun e punës.

Të fundit