E shtunë, 18 Maj, 2024

LDK SI SHKOLLË DEMOKRACIE

Qasja e këtillë e kapësve të partive nuk ka të bëjë as me idenë politike e as me idealin e partisë (ideologjinë), e as me vizionin e misionin e subjektit. Këto janë njerëz që, duke u thirre në atë trashëgimi jopolitike, betonojnë pozitat duke luftuar me çdo mjet çdo prurje në parti.

 

Autor: Xhelal Neziri

 

Nuk ishte kongres me vetëm 1 kandidat për kryetar. As nuk ndodhi që kryesia “të refuzojë” dorëheqjen e kryetarit paraprak. Nuk ishte teatër bajat i kapësve të partisë. Ishte një demonstrim demokracie. Dëshmoi se demokracia mund të funksionojë edhe te partitë shqiptare.

Ky kongres vendosi standarde të reja në skenën politike jo vetëm të Kosovës, sidomos kur bëhet fjalë për organizimin e zgjedhjeve të brendshme. Rezultatet ishin të pranueshme nga të gjithë garuesit për kryetar të partisë. Një reflektim i duhur i LDK ndaj rezultateve zgjedhore. Me arsye e pa kokëfortësi.

Zgjedhjet e fundit në Kosovë dëshmuan se partitë që nuk dëgjojnë zërin e anëtarësisë shkojnë drejt zhdukjes. Në zgjedhjet e vitit 2019 LDK mori afër 200 mijë vota, kurse në ato të 14 shkurtit – 100 mijë më pak. Një porosi kristal e qartë e votuesit ndaj kapësve të partisë, që tentuan të ndalojnë ndërrimin e gjeneratave, brezave në politikë.

Ky proces nuk është parë te partitë etnike shqiptare në Maqedoninë e Veriut. Problemi kryesor që ato parti nuk mund të transformohen përmes një procesi demokratik është tendenca e përvetësimit të tyre. Këto janë kapësit e partisë, të cilët thirren në ndonjë lloj trashëgimie që i ngjan dividendëve në shoqëri aksionare. Kjo trashëgimi shpesh lidhet me kohën e aderimit (themeluesit e partisë janë pronarë), me pjesëmarrjen në beteja të mëhershme (pjesëmarrja në luftë, demonstrata, protesta), me afërsinë familjare (nepotizmi) apo miqësore (kronizmi) me drejtuesit e partisë si dhe me prapavijën financiare (eksponentë të oligarkëve). Qasja e këtillë e kapësve të partive nuk ka të bëjë as me idenë politike e as me idealin e partisë (ideologjinë), e as me vizionin e misionin e subjektit. Këto janë njerëz që, duke u thirre në atë trashëgimi jopolitike, betonojnë pozitat duke luftuar me çdo mjet çdo prurje në parti. Logjika e tyre përvetësuese nuk njeh rifreskime resurseve njerëzore, ndërrim brezash apo energji të re në parti. Përplasjet e vazhdueshme te partitë politike shqiptare, siç është rasti me BDI-në, vijnë si rezultat i frenimit të ndryshimeve pikërisht nga ata që njihen si “trashëgimtarët” e legjitimitetit brendapartiak.

Problemi mund të zgjidhet pjesërisht me kufizimin e mandateve, e pjesërisht me evoluim drejt demokracisë kualitative. Përveç presidentit të shtetit, i cili ka të drejtë të qëndrojë më shumë dy mandate në atë pozitë, gati asnjë funksion tjetër nuk është i kufizuar. Nuk do të kishte logjikë kufizimi, ta zëmë, mandati i deputetit nëse sistemi zgjedhor i vendit do të ishte me lista të hapura, ku votuesi përveç partinë mund të votojë drejtpërdrejte edhe kandidatin. Ashtu siç është tani, pra me lista të mbyllura, deputetët nuk duhet të shërbejnë më shumë se dy mandate.

Të pakufizuar janë edhe mandatet e funksioneve brenda partive politike, të cilat burojnë nga zgjedhjet që organizohen në kuadër të këtyre entiteteve të skenës politike. Vetëm Aleanca për Shqiptarët e ka në statutin e saj kufizimin e mandatit të liderit. “Kryetari i partisë zgjidhet me mandat 4 vjeçar me të drejtë edhe për një rizgjedhje”, thotë neni 76 i statutit. Rrjedhimisht pritet që në krye të kësaj partie të vijë një kryetar i ri, pasi Ziadin Sela po mbaron mandatin e dytë këtë vit.

Një problem tjetër është perceptimi i funksionit me logjikën komuniste. Në kohën e sistemit njëpartiak edhe ofiqari i thjeshtë ka pasur një lloj pushteti, të cilit i kanë shërbyer qytetarët. Demokracia e nënkupton të kundërtën –  funksioni nuk është fuqi dhe privilegj, por mundësi për shërbim në zbatimin e politikave partiake që synojnë të mirën e përgjithshme. Andaj, një mandat shërbimi zakonisht nevojitet për të filluar dhe shtyrë përpara projektet e premtuara nga programi, kurse mandati i dytë për përfundimin e të njëjtave. Një person që mban funksione më shumë se tetë vite do të thotë rritje e rrezikut për humbje të efikasitetit.

 

 

Të fundit