E shtunë, 4 Maj, 2024

Komunat në vend, me mungesë të tualeteve publike

Mungesa e tualeteve publike është një nga problematikat me të cilat përballen çdo ditë qytetarët në të gjithë territorin e Maqedonisë së Veriut. Tualetet publike rrallë apo aspak nuk ekzistojnënë shumicën e qyteteve.  Kompetencat mbi tualetet publike i takojnë pushtetit lokal, por deri tani, nuk është bërë mjaftueshëm në drejtim të zgjidhjes së këtij problemi. 

 

Autor: Fisnik Xhelili dhe Valon Sallai

 

Kryeqyteti, me vetëm tre tualete publike

Shkupi duke qenë kryeqendra e Maqedonisë dhe gjithashtu qyteti me më shumë banorë, duket se e ka më problematike mungesën e tualeteve publike.  Në të gjithë qytetin e Shkupit ndodhen 3 tualete publike. Dy nga tualetet publike ndodhen në parkun e qytetit dhe tjetri ndodhet rreth Lumit Vardar, gjegjësisht nën urën “goce Delçev”. Vlen të theksohet që në hapësirat rreth qendrës së qytetit nuk ka asnjë tualet publik.

Zëdhënësi i Qytetit të Shkupit Valon Salihu thotë: “Në përputhje me Ligjin për Qytetin e Shkupit, i cili bën dallimin në kompetencat ndërmjet qytetit dhe komunave, në qytet tualetet publike janë brenda kompetencave të komunave. Vetëm 3 tualete publike janë nën juridiksionin tonë”.

Ndërkaq për mirëmbajtjen e këtyre tre tualeteve përkujdeset ndërmarrja publike e qytetit “Parqet dhe Gjelbërimet”.
Nga Komuna Qendër thonë se e kanë menduar vënien në dispozicion të disa tualeteve publike në qendër të Shkupit. Mirëpo kjo si ide s’do mund të realizohet të paktën as për vitin 2021. Emil Lazarevski pjesëtar i kabinetit të kryetarit Sasho Bogdanoviq thotë: “E kemi menduar të ndërtojmë tualete publike në qendër të Shkupit, por për vitin 2021 nuk është paraparë që të realizohet kjo ide. E sa i përket vitit të ardhshëm 2022 nuk e di nëse do të ndahen mjete për të njëjtat”.

Qytetarët e Shkupit shfaqin shqetësimin për mungesën e tualeteve publike dhe zgjidhjen e konsiderojnë urgjente.

“Nuk e di arsyen përse nuk ka tualete, por di të them këtë që ky turp duhet t’i hiqet kryeqytetit tonë sa më shpejt që të jetë e mundur”, tha një qytetare.

Një qytetar tjetër thotë: “Shpesh herë më ka ndodhur që të hy nëpër lokale të porosis kafe pa dëshirën për të pirë kafe, vetëm për të shfrytëzuar tualetin e lokalit”.

“Unë jam njeri i moshuar. Duhet gjithmonë të jem i vëmendshëm të kryej nevojat fiziologjike përpara se të dal nga shtëpia sepse e di që në qytet mungojnë tualetet publike”, shton një qytetar tjetër.

 

Tetova, me një tualet në shërbim të qytetarëve

Tetova është qyteti tjetër ku kjo është një problematikë në vete. Nuk ka tualete publike. Një ndër të vetmit tualete në Tetovë që funksionon ndodhet pranë Xhamisë së Larme. Ai, sipas plakut që përkujdeset për të, është  të ndërtuara nga Komuna e Tetovës por i takon. Parkut të Xhamisë së Larme.  Për mirëmbajtjen kujdeset vetë i moshuari i cili thotë se nuk merr ndonjë pagë për këtë,  financat që ai merr varen nga ajo se sa shfrytëzues të tualeteve ka dhe shuma të cilën ata paguajnë. Me ato para mbulohen edhe shpenzimet për mirëmbajtje.

Nga Komuna e Tetovës thonë se në propozim-programin e komunës për veprimtari komunale kishin paraparë vendosjen e tualeteve publike mobile në pjesën qendrore të qytetit, por e njëjta nuk u realizua.  “Shkak i mosrealizimit  të këtij projekti ishte mungesa e vendeve adekuate publike si dhe kostoja e mirëmbajtjes së tyre” shtojnë nga komuna. Sipas tyre keq menaxhimi eventual me tualetet publike do të sillte në probleme plotësuese që rrezikojnë mirëqenien dhe shëndetin e qytetarëve.

Këshilltarja komunale pranë Komunës së Tetovës, Hatije Etemi shprehet se në Këshillin Komunal asnjëherë nuk është debatuar për tualetet publike dhe se për këto tre vite që kur ajo është pjesë e Këshillit Komunal kjo nuk ka qenë asnjëherë në rend dite.

“Kjo nuk është ngritur si çështje për shkak se janë marrë me çështje bazike që e tangojnë qytetin si: uji, rrugët, kanalizimet, qentë endacak e të tjera. Por nuk përjashton mundësinë për ta shtruar si çështje në seancat në vazhdim” shtoi këshilltarja Etemi.
Qytetarët e Tetovës shprehen të shqetësuar për mungesën e tualeteve publike  dhe thonë se duhet të merren masa sa më shpejtë në këtë drejtim.

“Nga mungesa e tualeteve publike, shpesh është detyruar të përdor hapësirat e tualeteve të restoranteve apo kafeneve  në mënyre që të kryejë nevojat personale” thotë një qytetar i Tetovës.

 

Edhe Gostivari, me një tualet publik

Gostivari është qyteti i cili posedon vetëm një tualet publik. Ai gjendet në Parkun e qytetit gjegjësisht  në një nga pikat më të frekuentuara të qytetit. Duke marrë parasysh madhësinë e qytetit dhe numrin e lartë të banorëve që jetojnë në të, një tualet publik nuk është i mjaftueshëm.
Nga Komuna e Gostivarit thonë se nuk kanë ndonjë plan konkret në lidhje me tualetet publike.
“Për vitin 2021, në buxhetin e komunës tek programi për ekologji ka mjete të cilat mund të shfrytëzohen për tualete publike nëse ka kërkesa nga ana e qytetarëve”, thonë nga Komuna e Gostivarit.
Siç mësojmë jozyrtarisht nga këshilli i Komunës së Gostivarit, ky organ nuk ka diskutuar kurrë për këtë problematikë deri tani.


Mungesa e tualeteve publike vërehet në të gjitha qytetet e tjera si në Ohër, Strugë, Dojran apo Prespë, të cilët gjatë verës kanë edhe shumë vizitor.

Si e sheh shohqëria civile këtë fenomen?

Përveç që janë nevojë elementare, tualetet publike kanë një ndikim pozitiv në ruajtjen e ambientit, higjienës dhe shëndetit të  qytetarëve. Elmedina Abdulahi nga Lëvizja Nëna dhe Fëmija thotë se nevoja për tualetet publike është diçka shumë evidente, madje nuk mjafton që ata të vendosen por ato duhet edhe te mirëmbahen.

“Arsyetimi nga ana e Komunave është qesharak; nuk ju ofrojnë qytetarëve shërbim të tillë sepse nuk janë në gjendje t’i mirëmbajnë ata. Pa dyshim që është e nevojshme dhe jam e sigurtë që ka standarde të cilat mund të ndiqen, por vetëm me vullnet nga institucionet përkatëse, edhe pse e dimë që jo gjithmonë ka” shotoi Abdulahi.

Ndryshe, në botë, çdo 19 Nëntor prej vitit 2001 shënohet Dita Botërore e Tualetit. Qëllimi i shënimit të kësaj dite është ngritja e vetëdijes për rëndësinë e tualeteve publike, shëndetit publik dhe higjienës publike.

 

Ky artikull është produkt i projektit “Young Journalists’ Network” I implementuar nga Democracy Lab. Ky projekt është i mbështetur me grant nga Ambasada e SHBA-ve. Mendimet, zbulimet dhe konkluzionet ose rekomandimet e paraqitura këtu janë të implementuesve/autorëve dhe nuk i reflektojnë domosdoshmërisht ato të Qeverisë së SHBA-ve.

Të fundit