E premte, 17 Maj, 2024

Teuta Toska: Shkrimet e Parashqevi Qiriazit, një dëshmi historike e shqipes

Parashqevia është intelektualja e parë e angazhuar në politikë dhe diplomaci, në çështje politike që lidheshin me kombin e vet. Për mua ajo është shembulli më i mirë, modeli, si duhet të jetë gruaja shqiptare në politikë e diplomaci

Bisedoi Ledio Hala

Çfarë ju shtyu që të nisnit këtë projekt të gjatë për të sjellë pranë lexuesit shqiptar jetën dhe veprën e Parashqevi Qiriazit?

Në këtë libër kam qëndruar vetëm në një vit të jetës së Parashqevi Qiriazit, nga pikëpamja e narrativës historike, pikërisht vitit kur ajo mori pjesë në Konferencën e Paqes në Paris, në vitin 1919. Ajo u gjend atje si përfaqësuese e Partisë Politike Kombëtare, një organizëm politik i krijuar në atë kohë prej shqiptarëve të Amerikës, për t’i ardhur në ndihmë promovimit të çështjes shqiptare në Shtetet e Bashkuara, po ashtu edhe për të sjellë një kontribut në jetën e re politike të atdheut. Viti 2020 ishte një vit përvjetorësh për jetën e Parashqevi Qiriazit: 140-vjetori i lindjes dhe 50-vjetori i vdekjes. Instituti për Studime Shqiptare dhe Protestante, ku unëbëj pjesë që prej krijimit, kishte botuar tashmë libra për Gjerasim Qiriazin, Sevasti Qiriazi-Dakon dhe Gjergj Qiriazin, përkatësisht nga John Quanrud, Dana Stucky e David Hosaflook dhe prof.Xhevat Lloshi. Në 2019, në Shkup, kur u mblodhëm për të promovuar librin dyvëllimësh të prof.Xhevatit “Gjergj Qiriazi dhe Kongresi i Manastirit” u vendos që projekti i radhës i institutit do të ishte Parashqevia. M’u caktua mua dhe unë e përqafova me dëshirë, por edhe me drojën e natyrshme të fillimit të një pune shkencore.

  Çfarë mund të na thoni për luftën e Parashqevisë për emancipimin e femrës shqiptare?

Emancipimi është një fjalë e rëndësishme në këta dy shekujt e fundit për realitetin shqiptar. E zhvlerësuar dhe e ngarkuar me ideologji në periudhën e diktaturës, dhe e rimarrë dhe e rivlerësuar në këtë periudhë tjetër të historisë së shqiptarëve në kuadrin e lëvizjeve për barazi sociale dhe veçanërisht gjinore. Kjo fjalë etimologjikisht lidhet me fitimin e një lirie që i takon individit që nga lindja, më fort me çlirimin prej një autoriteti skllavërues. Them që me këtë kuptim ta shohim këtë fjalë në lidhje me një ndër përpjekjet më të rëndësishme të jetës së Parashqevisë. Ajo kishte përqafuar pikëpamjen dhe luftën e Gjerasim Qiriazit: që vetëm përmes arsimit mund të shndërrohej dhe çlirohej shpirti i një kombi në errësirë. Veçanërisht një komb do të përparonte më shpejt në këtë rilindje të tij nëse do të arsimoheshin gratë edhe vajzat, bërthama e familjes. Pa nëna të arsimuara dhe të kulturuara, nuk do të mund të kishim një komb që përparon. Kështu që ajo iu kushtua, derisa e lanë, shkollimit të vajzave shqiptare, lartësimit dhe ndriçimit kulturor përmes organizimit të shoqërisë “Ylli i mëngjesit” dhe përmes angazhimit të saj me shkrime në shtypin e kohës. Thashë “derisa e lanë”, sepse pas vitit 1944 pushteti i ri në Shqipëri nuk e deshi kontributin e Parashqevisë, madje u përpoq ta zhbëjë atë me heshtje dhe harrim të detyruar.

Cilat janë tri pjesët tuaja më të pëlqyera nga ditari i Parashqevisënë Konferencën e Paqes në Paris? A mund të na i jepni të cituara?

Libri për Parashqevinë është, në radhë të parë i Parashqevisë, në kuptimin që tekstet e shkruara prej saj zënë një pjesë të rëndësishme. Lexuesi do të mund të lexojë, më në fund,Parashqevinë dhe të njihet me një personalitet kaq të rëndësishëm të kulturës shqiptare. Dokumentet janë tri llojesh: ditari që ka mbajtur gjatë kohës së Parisit, letërkëmbimet e saj me Kristo Dakon dhe SevastiQiriazin gjatë periudhës së qëndrimit të saj në Paris dhe, së treti, artikuj të saj të botuar në shtypin e kohës dhe tek “Ylli i mëngjesit”, revista që ajo vetë e botonte në Amerikë. Kështu që më mirë po sjell për lexuesit e ExLibris nga një pjesë për secilin tip dokumenti, të cilat kanë qenë një befasi për mua si lexuese dhe studiuese e veprës së saj.

Në ditarin e datës 12 maj ajo shkruan: “Më ora 9 nisa mësimet frëngjisht. Mësonjësa më tha se më një kohë të shkurtër do të mund të flas liruar. Kam një methodhë frëngjisht-anglisht; bleva edhe një romancë, Tartarin, për të kënduar. Mësimet do t’i kem tri herë në javë. Më ora 11 a.m. kisha pjekje me Majorin Dennison, head of the Red Cross Organization, i cili ka qënë tani një mot në Shqipëri.” Një ditë më përpara asaj i është bërë një rrëfim që i ka shkaktuar njëfarë traume dhe zhgënjimi të fortë. Gjendja në delegacionin shqiptar, po ashtu, nuk ishte fort e mirë, me shumë përçarje dhe konflikte mes delegatëve. Ajo gjendet e vetme në Paris, pa familjen e saj të dashur dhe me një mision për ta përmbushur. Dhe ajo gjen kohën për të nisur mësimet e frëngjishtes. Kam qenë e befasuar nga aftësia e saj për të përballuar vështirësitë, stresin e një përgjegjësie të fortë, punët e shumta për të bërë, dhe po ashtu për të përmbushur pasionet e veta të bukura, për letërsinë, artet, fotografinë, kinematografinë etj.

Pjesa tjetër është në një nga letrat e shumta që ua dërgon, thuajse çdo ditë, Dakove në Amerikë (bashkëshortëve Kristo dhe Sevasti), ku ajo flet për planet e saj për të ardhmen dhe tregon edhe dëshirën e madhe të jetës së saj: “Tani që punët paraqiten kështu, unë mendoj të tërhiqem nga jeta politike dhe të merrem kryesisht me punë arsimore në lidhje me ministrinë e arësimit, me qëllim të themeloj në çdo qytet dhe fshat nji shkollë kombëtare shqiptare.” Kjo ambicie e bukur, dëshirë e saj për t’ia kushtuar jetën shkollimit të shqiptarëve, ky pikësynim i përhershëm i jetës së saj, më ka prekur shumë.

Së fundi, dua të citoj një pjesë nga shkrimet e saj tek “Ylli”, të cilat i kushtohen kryesisht arsimit mbarëpopullor. Të mos harrojmë se ishte koha kur në Shqipëri kishte ende pak shkolla dhe arsimoheshin pak njerëz. Parashqevia ishte ndër të parët që foli dhe propagandoi arsimin e përgjithshëm, për të gjithë njerëzit. Ndoshta është pak pjesë e gjatë, por ia vlen të lexohet se çfarë ëndrre kishte ajo dhe ç’mendonte ajo për arsimin: “Arësimi do të na ndihmonjë edhe do të na tregonjë qysh të kërkojmë edhe qysh të qëndrojmë për të drejtat tona. Arësimi i zbulon njeriut detyrat morale që ka për atdhenë dhe njerëzinë. Arësimi do të ngrerë edhe do të verë më një shkallë të varfrin me të pasurin, fshatarin me qytetarin. Shëmbëlla të këtilla kemi plot në histori. Udhëheqës dhe shkrimtarë të shënuar, kanë dalë nga kalibet ku nuku ishte ëndëruar fjala arësim. Atëhere ç’presim? A do të gjejmë fjalë më të mirë sesa fjala, sot? Sot është koha të organizojmë një arësim të përgjithshmë në mes të popullit shqiptar, e vetëma mënyrë për të mbledhur dhjalërinë më një reth nënë influencën kombëtare.”

A mund të na thoni shkurtimisht diçka për rolin e Parashqevisë në Kongresin e Manastirit?

Parashqevia shkoi në Manastir në vend të motrës së saj, Sevastisë, në atë kohë drejtoreshë e Shkollës së Vashave. Ftesa ishte për Sevastinë, mirëpo ajo, për shkak të rritjes së kërkesave për regjistrim në shkollën e saj, si rrjedhojë e lirive të fituara në atë vit të rëndësishëm për historinë e vendeve të Perandorisë Osmane, e kishte të pamundur të shkonte. Nuk e di nëse për kohën një grua, qoftë edhe drejtoresha e së parës shkollë për vajza, do të mund të merrte pjesë në komisione dhe takimet e shumta publike të asaj jave në Manastir. Parashqevia ishte atje dhe ajo është marrë me punët e shumta në shtëpinë e të vëllait, Gjergj Qiriazit, sekretar i Klubit Bashkimi të Manastirit, nënkryetar i kongresit dhe një nga organizatorët e tij. Të mos harrojmë se në shtëpinë e tij është mbledhur komisioni që diskutonte çështjet gjuhësore dhe që do të merrte vendimin për alfabetin. Ajo duket se ka marrë pjesë në këto mbledhje dhe ka mbajtur shënime për çështjet e diskutuara aty. Raportet që ka hartuar Gjergji për Shoqërinë Biblike dhe për konsullatën austriake kanë shkrimin e saj. Njëri nga raportet është përkthyer edhe prej saj (në anglisht), sipas profesor Lloshit, autorit të monografisë për Gjergj Qiriazin. Këtë mision, për dëshmimin dhe regjistrimin e ngjarjes historike, ajo duket se e ka ndier të fortë edhe në Paris, dhe kjo duket se ka qenë edhe arsyeja e mbajtjes së ditarit gjatë kohës që ishte në Paris. Ky ishte roli i saj në Manastir.

Çfarë cilësish të një gruaje politikane kishte Parashqevia, që shërbejnë si model edhe për ditët e sotme? Si shfaqet mendimi i saj politik te periodiku “Yll’ i mëngjezit”?

Parashqevia është intelektualja e parë e angazhuar në politikë dhe diplomaci, në çështje politike që lidheshin me kombin e vet. Për mua ajo është shembulli më i mirë, modeli, si duhet të jetë gruaja shqiptare në politikë e diplomaci.

Desha të rendis disa cilësi që i kam dalluar tek ajo dhe që shfaqen qartë në faqet e librit. Ajo ka një qëndrim politik dhe ideologjik kombëtar të shprehur qartë, nuk bën kompromis për ta ndryshuar këtë qëndrim dhe e gjithë jeta e saj publike, politike, madje edhe private është në përputhje të plotë me pikëpamjen e saj politike të shprehur publikisht edhe në veprimtarinë e saj si publiciste tek editorialet e “Yllit”. Ajo për 4 vite në shkrimin Fleta e Editorit (në çdo numër të revistës) e shprehu qartë dhe thjesht qëndrimin e saj politik dhe vizionin e saj për të ardhmen e shqiptarëve.

Ambicia e saj politike për të marrë përsipër një detyrë publike, si edhe e përmenda më sipër në rastin e letrës që ajo ua dërgon Dakove, është e nxitur nga detyrimi që ndiente ajo për të bërë atë që duhej për popullin e vet, për t’i dhënë popullit të vet më të mirën e saj. Ajo ishte gruaja më e kualifikuar ndër shqiptarët e asaj kohe, dhe formimin e saj, intelektin, energjitë e saj ajo donte t’i vinte në dispozicion të popullit të vet. Përpara se të kërkojë një detyrë të tillë të lartë, ajo ka hartuar një projekt, një strategji dhe është gati të përkushtohet për ta vënë në jetë.

Veprimtaria e saj politike karakterizohet nga integriteti. Ajo ka shumë kujdes që të mos cenohet në asnjë rast imazhi i saj dhe i partisë që përfaqëson dhe ndien përgjegjësinë për të qenë e ndershme në çdo cent që kishte marrë nga shqiptarët e Amerikës për qëndrimin e saj në Paris.

Ajo do të përdorë të gjitha raportet e saj shoqërore, njohjet e nivelit të lartë diplomatik që kishte, miqësitë me ish-pedagogë të saj për promovimin e çështjes shqiptare dhe në të mirë të vendit të saj.

Është një diplomate e guximshme. Në çdo takim të nivelit të lartë diplomatik do të luftojë me guxim për vendin e vet. Nuk ka asnjë shenjë inferioriteti, ndoshta si femër, ndoshta si përfaqësuese e një kombi të vogël, i cili nuk ka marrë pjesë në luftë në aleancën e fituesve.

Mund të listoja edhe cilësi të tjera, por dua që lexuesi të mund të bëjë njohjen e vet me këtë personazh.

A mund të ndani me ne disa përjetime gjatë zbulimit të fakteve të reja rreth jetës së Parashqevisë?

Çdo person që ka takuar Parashqevia në Paris, veçanërisht të huajt, diplomatë, politikanë, studiues, profesionistë të fushave të ndryshme, që u thirrën për të dhënë ekspertizën e tyre për delegacionet e vendeve të tyre në Paris, ka qenë një befasi për mua. Ndërsa gjeja të dhëna për këto figura, përjetoja një si ndjenjë habie të veshur me admirim. Studiuesi David Hosaflook, në parathënien e ribotimit të librit të Kristo Dakos “Albania – the Master Key to the NearEast” (Shqipëria – çelësi kryesor i Lindjes së Afërme), botuar me rastin e 100-vjetorit të Konferencës së Paqes në Paris, shkruan se e gjithë bota shkoi në Paris në vitin 1919. Ndërsa punoja për hartimin e komenteve shpjeguese të Ditarit, më dukej sikur Parashqevia njihte gjithë botën. Po ashtu, ishte befasi për mua të zbuloja që gjatë kohës së qëndrimit të saj në Paris ajo kishte shkruar e botuar dy artikuj në Chicago Tribune, një gazetë e rëndësishme amerikane që kishte një edicion në Paris.

Një përvojë tjetër e bukur ka qenë edhe zbulimi i një fakti shumë interesant. Në datë 18 mars ajo shkruante në Ditar se “Të gjitha gazetat në gjithë Amerikën lajmëruan nisjen time për Paris si delegate.” Mua m’u duk në fillim pak teprim kjo fjali e saj, me këtë përdorim dy herë të përemrit “gjithë”. I kërkova studiuesit David Hosaflook të bënte një kërkim në arkivat e gazetave amerikane, që tani janë të gjitha të digjitalizuara, në internet domethënë. Për habinë time, por edhe të tijën, ai gjeti të paktën 11 gazeta në Amerikë, që njoftonin këtë lajm. Dhe dr.Hosaflook u mjaftua me kaq në kërkimin e vet, sepse nëse do të kishte kërkuar më gjatë, do të gjente edhe më. Ndjesitë e mia në këtë rast: ngurrimin, befasinë, kënaqësinë e zbulimit,i kam shkruar edhe në libër.

U mësova nga kjo befasi e mrekullueshme që t’u besoja plotësisht atyre që Parashqevia shkruante në Ditar. Gjetja e këtyre artikujve të para 100 viteve dhe përmendja e Parashqevisë nga gazetarët amerikanë ishte si një takim në kohë me ngjarjen dhe me personazhin e dashur, që e kam studiuar gjithë vitin e kaluar.

Si një studiuese e gjuhës, çfarë mund të na thoni për shqipen e Parashqevisë?

Shqipja e saj është toskërishtja letrare e para 100 viteve, ajo toskërishte letrare e Manastirit dhe Korçës, qendra kulturore, vatra të rëndësishme të arsimit, toskërishtja e përvijuar prej Kristoforidhit (me përkthimet biblike në toskërisht), Naim dhe Sami Frashërit, Jani Vretos,Petro Nini Luarasit, Papa Kristo Negovanit,Gjerasim dhe Gjergj Qiriazit, Kristo Dakos etj.

Të gjitha tekstet e Parashqevisë në libër, me përjashtim të teksteve të saj të shkruara në anglisht, që unë i kam përkthyer në standard, janë rishkruar duke ruajtur shqipen e saj, për disa arsye. Në radhë të parë, duke e gjykuar shqipen e saj të kuptueshme për lexuesin e shek.XXI (në ato raste të vështirësisë së natyrshme për shkak të hendekut shekullor i kam shpjeguar fjalët dhe strukturat sintaksore), kam menduar se ruajtja e stilit të saj do të ishte një kërkesë e rëndësishme filologjike dhe kulturore. E kam ruajtur stilin e saj tek Ditari, ku ligjërimi i saj është i çlirët, emocional, telegrafik, shumë afër ligjërimit të folur, si nevojë për të kuptuar më mirë nga veprimtaria, por edhe gjendjet e saj emocionale. E kam ruajtur toskërishten e saj edhe tek artikujt e “Yllit”, si një “detyrim” të kohës për t’ia kthyer Parashqevinë panoramës historike të publicistikës në kulturën shqiptare. Shkrimet e saj janë edhe një dëshmi historike e shqipes, veçanërisht të shqipes së shkruar, të historisë së stileve, regjistrave etj.

Marrë nga Exlibris

Të fundit