E mërkurë, 1 Maj, 2024

“E GJITHKOHSHMJA ANDËRR” DOKUMENTON DHE I JEP ZË LUFTËS

Poezitë e saj në librin e ri duken sikur kaherë kanë pritur të shpërthejnë, të strukura mënjanë. Donika Dabishevci, e njohur për poezi dashurie, ka kthyer kujtimet e trishta. Me “E gjithkohshmja andërr” ajo futet e përballet me tmerrin. “Të futesh në pellgun e gjakut me mjete poetike, letrare, estetike, të dalësh, të rrëfesh, të shpëtosh, të bësh art, është madhështi shpirti”, ka thënë shkrimtari e studiuesi Gëzim Aliu, redaktor i librit. “’E gjithkohshmja andërr’ është libër poetik polifonik, jeh i zërave të luftës”, ka thënë studiuesi e shkrimtari Agron Gashi

Është formuar si poete me poezitë që frymojnë, reflektojnë lirikën e dashurinë. Me “E gjithkohshmja andërr” vjen tërthorazi: si dashuri për të frymuar e pulsuar. Aty, Donika Dabishevci e vë luftën si kryefjalë poetike. Libri i ri me poezi vjen si rekuiem për viktimat e luftës. Me varg sjell ngjarjet e trishta, të njohura për njerëzit, pa i personalizuar protagonistët e tragjedive të fundshekullit të kaluar.

E gjithëkohëshmja reale bëhet ëndërr.

Poezia ka qenë jehona e së martës në Institutin Albanologjik të Prishtinës, kur është shpalosur një pjesë e krijimeve të poetes Dabishevci që i kishte punuar për një kohë të gjatë. Është një lloj pasqyrimi i vdekjes, vuajtjes, tmerrit. Përshkrim i përjetimeve të njeriut në luftë, e lufta për mbijetesë në anën tjetër.

Me estetikën e saj në thurjen e vargjeve, poezitë si tërësi e tyre , autorja i bën të tingëllojnë bukur ndonëse fjalët janë rrëqethëse. Dërgojnë nëpër shtigjet nëpër të cilat kanë kaluar ata që lufta ua ka lënë vragë kujtimet, apo bashkë me to janë tretur.

Poetja Donika Dabishevci ka thënë se poezia imiton ngjarjet e rënda në formë artistike.

“Përkundër dëshirës, vullnetit dhe pasionit të madh, tmerrin e luftës dhe gjithçka që ajo formon, fut ingranazhet e veta të imitojë poetikisht, pa e rënduar emocionalisht dhe të mund ta realizojë artistikisht. Si ka dalë libri, mua nuk më takon ta bëj këtë, sepse prej momentit që ai botohet, është i lexuesve. Prandaj nuk dua ta zgjas më shumë fjalën time për librin”, ka thënë Dabishevci.

Ka qenë fjalëpakë para të pranishmëve të shumtë në sallë. Por ka ndarë me ta poezinë e renditur të parafundit në libër. “Gja s’ka ndrrue!”. Aty ajo argumenton se ka mbetur e njëjta situatë si e asaj në rrethana lufte.

Janë gjithsej 42 poezi në “E gjithkohshmja andërr” të ndara në katër kapituj.

Shkrimtari e studiuesi Gëzim Aliu, redaktor i librit, ka thënë se poetja e ka aftësinë që skenat, ngjarjet e historitë e rënda dhe të tmerrshme t’i sjellë estetikisht bukur. Kjo, sipas tij, është shumë e vështirë dhe pothuajse e pamundshme.

“Trajtimi poetik i luftës, kur e njeh luftën, kur e ke përjetuar luftën, kur ende nuk e dimë a e kemi tejkaluar traumën e saj, është ripërjetim, edhe për poeten, edhe për lexuesit. Të futesh në pellgun e gjakut me mjete poetike, letrare, estetike, të dalësh, të rrëfesh, të shpëtosh, të bësh art, është madhështi shpirti. Donika e dëshmon madhështinë shpirtërore e mjeshtërinë letrare me ‘E gjithkohshmja andërr’”, ka thënë Aliu.

Sipas tij, përdorimi i gjuhës është në funksion të ritmit të rëndë të veprës. Derisa ka folur për strukturën e ndërtimit të poezive, ka thënë se llojet e strofave të përdorura sado që përdoren lirshëm, janë në funksion të paraqitjes së ngjarjeve e historive të luftës.

“Distiku e tercina në poezitë e shkurtra shprehin me pak fjalë kulmimin e një storieje, ndërkaq strofat më të gjata, herë-herë edhe monokolona, përdoren për të hyrë më në hollësi, për t’i zgjeruar skenat, për t’u fokusuar, duke krijuar imazhe të vazhdueshme rrëqethëse”, ka thënë Aliu derisa ka cekur se rol të veçantë e domethënës luan edhe përdorimi i shenjave të pikësimit në vargje. “Edhe përdorimi i shenjave të pikësimit brenda një vargu, duke bërë fjali të shkurtra, sikur goditje buçitëse, pastaj thyerja e vargjeve, edhe fjalët kumbuese, figurat tingullore, që sjellin në mendjen e lexuesit krisma, britma, klithje, zhurme, heshtje plot ankth, përdoren në funksion të krijimit të ritmit të rëndë të veprës”, ka thënë ai. Sipas tij “E gjithkohshmja andërr” ecë me ritëm të rëndë që rikthen çdo detaj të luftës.

“Poetikë të vdekjes mizore”, e ka titulluar recensionin e tij studiuesi e shkrimtari Agron Gashi. Veprën e Dabishevcit e ka cilësuar si zë të atyre që s’patën frymë për të dëshmuar e për të thënë fjalët, lutjet, pëshpëritjet e fundit. “Në mes të tjerash, Donika na kujton Lirie Muqollin nga Pokleku, beben 6 muajshe, e cila u gjet në gjirin e nënës së vdekur bashkë me motrën e saj tre vjeçe dhe 53 civilë të tjerë të masakruar. Kështu, tragjeditë e mëdha, edhe kur kthehen në sprova fiksionale, janë të vështira për t’u kujtuar, e më të vështira për t’u shkruar”, ka thënë Gashi derisa ka lexuar në analizën e tij për librin me poezi. Ka thënë se “E gjithkohshmja…” është një diademë mortale, ndërsa rrëfim në të, lirikë e trishtë që portretizon fakte dhe bashkëdyzim të letërsisë e dëshmisë.

“’E gjithkohshmja andërr’ është libër poetik polifonik, jeh i zërave të luftës. ‘E gjithkohshmja andërr’ nuk është vetëm një ‘ars memorativa’, as vetëm një vepër artistike, është më shumë se aq, një vepër morale e një diademe mortale, një libër i shkruar bukur për luftën e dhimbshme për njerëzinë. Donika Dabishevci e ka përjetuar luftën, ka qenë pjesë e saj, njeh thyerjet e ngritjet, njeh triumfin e rezistencës, por edhe tehun e ekzistencës, ndaj iu ka përmbajtur grafitit të një lufte, diku përtej botës shqiptare”, ka thënë Gashi.

Libri ishte publikuar për lexuesin një muaj më parë. Poetja Alketa Fazliu-Gashi që ka qenë moderatore në ngjarjen ku është promovuar libri me poezi i Donika Dabishevcit, ka thënë se autorja ka lënë hapësirë që lexuesi të reflektojë e meditojë në heshtje, i pandikuar. Sipas saj, libri është më shumë sesa poezi.

“Donika vjen me këtë libër duke na befasuar të gjithë neve. Nga ajo poetja e dashurisë e lirikave të saj fantastike përplot eros që na kanë mbajtur shpirtin pezull, e që janë pritur aq mirë nga lexuesi, kalon në një tematikë krejtësisht tjetër që ndoshta e ka lëvruar më parë, por përfundimisht me këtë libër ka goditur. ‘E gjithëkurshmja ëndërr’ i kushtohet krejtësisht luftës”, ka thënë Fazliu-Gashi.

Poezitë e Dabishevcit i kanë interpretuar aktorët Xhejlane Tërbunja dhe Fisnik Istrefi nën përcjellje të tingujve të kitarës së Astrit Stafait.

Autorja Donika Dabishevci u lind më 1980 në Prishtinë. Ka studiuar letërsinë shqipe në Universitetin e Prishtinës ku ka përfunduar masterin, ndërsa më 2013 ka doktoruar në letërsi në Universitetin e Tiranës.

Ka të botuar librat: prozën poetike “Krizantema të plasura”, librin me poezi “Imazhe të brishta”, studimin monografik “Proza e poetizuar” e librin me poezi “Dashnisë së nji nate”. Poezitë e saj janë përkthyer në 11 gjuhë: angleze, gjermane, frënge, italiane, suedeze, bullgare, rumune, turke, serbe, maqedonase dhe në gjuhën esperanto./Kona.net

Të fundit