E premte, 17 Maj, 2024

ANTON PASHKU, REDAKTORI IM I PARË

Shkruan: Muhamet MJEKU / SHBA

Në gazetën “Rilindja” u pranova në bazë të një konkursi në vitin 1971. Me dëshirën dhe vullnetin tim, u përcaktova për rubrikën e kulturës, ngaqë e shihja veten më afër se sa në politikë. Udhëheqës i rubrikës në atë kohë ishte Anton Pashku, i cili ato ditë kishte botuar romanin “OH” që bëri jehonë të madhe në Kosovë për stilin modern, ashtu edhe për brendinë e tij larg prozave të njëtrajshme. Ai për mua ishte i njohur për tregimet e tij të botuara në revistën letrare “Jeta e Re” dhe në faqet për letërsi në gazetën “Rilindja”. Tani më duhej ta njihja drejtpërdrejt si gazetar, si redaktor timin.

Artikullin e parë e realizova në Kaçanik mbi disa çështje të kulturës, të cilin tri ditë e mbajta në xhep ngaqë s’kisha guxim t’ia jipja për redakturë, redaktorit tim zëmadh. Pas tri dite, ia lashë mbi tavolinën të punës, kur ai nuk ishte aty, dhe dola ta kryeja një punë personale në komunë për t’u kthyer në sallë të gazetarëve mbas dy orësh. Aty, derisa po bisedoja me një shok, ratësisht hapi derën redaktori im për një gazetar tjetër. Kur më pa, më tha eja për pak kohë në zyrë. Ishin orët kur përgatiteshin faqet gazetës. U ula përballë tij dhe tash pritja çka do të më thoshte mua, si i ngursuar:”Ke shkruar një artikull të mirë e aktual, më pëlqej mjaft”.

Mund të mos ishte ashtu, si më tha, por më dha aq shumë vullnet e kurajo, sa kurrë nuk mund ta harroj sjelljen e tij aq njerëzore. Të nesërmen u botua shkrimi im që ishte i pari, i dijzajnuar bukur nga redaktori teknik, Gani Gashi, me një fotografi të Kaçanikut të Vjetër.

Antoni ishte korekt me të gjithë gazetarët. Kishte një qshje të rrallë karakteristike me një zemër të bardhë. Në rubrikën e kulturës asaj kohe gjeta: Vehap Shitën, Ali Podrimjen, Musa Ramadanin, Ibrahim Kadriun, Gani Bobin, Jusuf Buxhovin, Mensur Raifin, Eqrem Bashën, Dedë Mirditën dhe pak më vonë erdhën Nexhat Halimi, Sylë Osmani dhe Mensur Pozhegu. Shumica kishin sektorët të caktuar që bartnin përgjegjësi, por kishte edhe gazetarë të lirë që mund të shkruanin sipas asaj që e shihnin aktuale të javës apo të ditës. Kjo përbërje e gazetarëve duhej të plotësonte nga dy faqe për çdo ditë, ndërsa të shtunën, në fundjavë katër-pesë faqe, kryesisht shkrime nga letërsia, filmi, teatri, kritika letrare etj. Çdo të hënë bëhej analiza e shkrimeve dhe një ose dy artikuj më të mirë shpërbleheshin me një përqindje bukur të lartë në rrogë.

Për shkak se Anton Pashku në faqet e kulturës botonte shkrime që nuk shkonin shumë në përputhshmëri me kriteret e sitemit socialist “vetëqeverisës”, dhe nuk lejonte t’i përzihej askush në punën e tij, pas një kohe u tërheq vetë apo iu bë trysni nga politika, s’më kujtohet. Redaktor i rubrkës për një kohë të shkurtër ishte edhe Gani Bobi, i cili me punë dhe sjellje i përngjante shumë Anton Pashkut.

Të gjithë këta gazetarë që i përmenda më lart, shumica e tyre kishin tituj të redaktorit dhe, gjithashtu, ishin poetë, prozatorë, kritikë letrarë, përcjellës të teatrit dhe filmit, njerëz që kishin bërë emër me vite.

Pas dy vjetësh përvojë në rubrikën e kulturës, një ditë derisa po ecja koridorit, redaktori i politikës së brendshme, Maksut Shehu, më tha “shko të përciellësh mbledhjen e Lidhjes Socialiste, sepse nuk ka ardhur gazetari i sektorit, e në këtë moment nuk kam kënd ta çoj atje”. Pas raportimit nga ai tubim, kolegjiumi i gazetë “Rilindja”, më transferoi në rubrikën e politikës së brendshme, pa më pyetur dhe aty mbeta derisa kalova në TVP.

Dua të theksoj, me plot bindjen time, se kam ndërruar disa redaktorë, derisa punoja në “Rilindje”, edhe në redaksitë tjera, por më korekt e të dinjitetshëm se sa Anton Pashkun s’gjeta, as s’ pashë. Ky ishte redaktori im i fillimit në gazetari. E kujtoj me shumë respekt, pasi që ai nuk jeton qe shumë kohë bashkë me disa kolegë të tjerë, që gjithashtu nuk jetojnë.

Të fundit