E premte, 17 Maj, 2024

REZULTATE DËSHPËRUESE NË LUFTËN KUNDËR KORRUPSIONIT

Sipas raportit të Transparency International, Maqedonia e Veriut renditet në vendin e 111 për nga shkalla e perceptimit të korrupsionit. Ky është rezultati më i keq nga viti 2001. Përfaqësues të Komisionit për Antikorrupsion kanë theksuar se lufta kundër korrupsionit është shumë e vështirë dhe kërkon vullnet politik, ndërkohë që partitë politike janë përplasur duke akuzuar njëra-tjetrën për këtë gjendje. Korrupsioni mbetet një ndër problemet më shqetësuese për qytetarët viteve të fundit

KDP

 

Maqedonia renditet në vendin e 111 në listën e vendeve në botë për sa i përket perceptimit të korrupsionit. Ky është rezultati më i keq në vend që nga viti 2001. Sipas shtatë sondazheve në kategori të ndryshme që janë bërë, ka disa përmirësime, por shqetësuese është gjendja në gjyqësor, përkeqësimi të situatës së të drejtave të njeriut dhe qasja në informacione. Përveç kësaj, Kriza Covid është dëshmuar si provë e vërtetë në luftën kundër korrupsionit dhe konfliktit të interesit.

“Ata që kanë nivel më të lartë korrupsioni janë më pak të aftë për të përballuar sfidën. Në vendet me nivel të lartë të korrupsionit, është treguar se nuk ka spitale funksionale, nuk ka institucione shëndetësore funksionale, ka rajone të tëra pa mjekë ose spitale për të pranuar pacientë me Covid”, tha Slagjana Taseva Transparency International.

Ky rezultat i dobët vjen në një vit kur Qeveria e re e LSDM-së dhe BDI-së promovuan postin e Zëvendëskryeministrit pikërisht për luftën kundër korrupsionit. Një nga zotimet më të zëshme të premtuar nga Zoran Zaev në prag të zgjedhjeve katër vjet më parë, ishte çrrënjosja e korrupsionit.

“Ne nuk mundemi, ende nuk kemi kapacitet për të kontrolluar në mënyrë efektive flukset e paligjshme financiare, i cili kontroll do të na tregojnë se ku po shkojnë, ku po derdhen dhe ku janë destinuar fondet”, pohoi Slagjana Taseva nga Transparency International.

Që nga viti 2014, kur Maqedonia ishte renditur në vendin e 64, çdo vit vijues rritet perceptimi i qytetarëve për nivelin e korrupsionit në shoqëri. Rënia më e madhe u regjistrua në vitin 2017, kur nga vendi i 90 vendi u ulë në pozitën e 107-të. Në vitin 2020 shënoi rënie për pesë vende. Të dhënat thonë se vendi ka prekur fundin jo vetëm në rajon, por edhe në suaza globale dhe jemi në një vijë me Panamanë dhe Mongolinë, para nesh në janë të gjithë, Sllovenia renditet e 35-ta, Greqia e 59-të, Kroacia e 63-të , Serbia e 94, Shqipëria dhe Kosova ndajnë vendin e 104. Më keq në Evropë se Maqedonia janë vetëm Ukraina, Moldavia dhe Rusia.

Kryetarja e Komisionit Antikorrupsion Biljana Ivanovska thotë se lufta kundër korrupsionit është shumë e vështirë dhe kërkon vullnet politik.

“As KSHPK-ja dhe as emërimi i zëvendëskryeministrit për korrupsion nuk mund ta zgjidhë luftën kundër korrupsionit menjëherë. Duke punuar në raste dhe raporte nga qytetarët, kemi zbuluar shumë dobësi që duhet të eleminohen më tej, por për atë përsëri na duhet vullneti politik, shteti, ministritë që të veprojnë në përputhje me rekomandimet tona dhe të bëjnë ndryshime në ligjet përkatëse për të kapërcyer dobësitë sistematike . Një gjë e tillë është kyçe dhe thelbësore, që të mos lejohet, që nën moton “gjithçka është e ligjshme” të ndodhin shumë vepra korruptive. Na duhet një luftë gjithëpërfshirëse, e gjithë shoqëria duhet të vendosë një herë e përgjithmonë – Po, ne do t’i japim fund korrupsionit. Por për sa kohë që dikush sheh vetëm interesin e vet, ndërsa duhet ta pranojmë se ka të tillë, lufta normalisht është shumë më e vështirë”, tha Ivanovska.

Ndërkohë ka pasur edhe përplasje mes pushtetetit dhe opozitës në lidhje me këtë rënie të Maqedonisë së Veriut në perceptimin e korrupsionit. Lideri i VMRO-DPMNE Hristijan Mickoski ka kërkuar dorëheqjen e qeverisë pas rezultateve të publikuara të raportit të Transparency International mbi indeksin e perceptimin e korrupsionit ku vendi është në vendin e 111 me një rënie prej 5 vendeve krahasuar me vitin e kaluar. Ai e ka kërkuar këtë në një postim në profilin e tij në Facebook ku ka shkruar: “Kur i quaja mafi, shumë njerëz më thanë pse përdor fjalë kaq të forta”.

Nga ana tjetër, zëvendëskryeministri Ljupço Nikollovski, i ngarkuar për luftimin e korrupsionit, ka theksuar se kjo renditje nuk do të thotë se “korrupsioni është rritur, por rezultatet janë perceptimi i qytetarëve”.

Ai ka theksuar se ekzistojnë tre arsye për këtë përshtypje të qytetarëve. “Tani flitet gjithnjë e më shumë për korrupsionin, qytetarët kanë pritje të pamundura dhe korrupsioni është pjesë e ndërgjegjes kolektive”, ka theksuar ai.

Të fundit