E enjte, 2 Maj, 2024

TRIBUNË SHKENCORE PËR HOLOKAUSTIN

Me rastin e Ditës Ndërkombëtare të Përkujtimit të Holokaustit, në Universitetin “Fehmi Agani” në Gjakovë është mbajtur një tribunë shkencore dhe një trajnim me studentët dhe stafin akademik të këtij universiteti. Këto aktivitete janë organizuar në kuadër të bashkëpunimit në mes të ITSHKSH në Shkup, Universitetit “Fehmi Agani” si dhe “Kosovo Jewish Organization”, ndërsa në qendër të vëmendjes ishte Holokausti dhe trajtimi i tij në aspektin mësimor e metodik

Me këtë rast është organizuar edhe trajnimi që është udhëhequr nga Maja Susha, bashkëpunëtore shkencore e Departamentit për hulumtimin dhe edukimin e  Holokaustit pranë ITSHKSH-së.

Mikpritës i këtyre aktiviteteve ishte rektori Artan Nimani, i cili në fjalën e tij të rastit falënderoi ITSHKSH-në në Shkup dhe drejtorin Asani, për gatishmërinë e ofrimit të përvojës dhe të bashkëpunimi sa i përket edukimit dhe mësimit të Holokaustit. Rektori Nimani shprehu interesim që kjo problematikë të përfshihet në kurrikulat e Universitetit “Fehmi Agani”, kurse në të ardhmen në bashkëpunim me ITSHKSH-në do të vazhdojnë trajnimet mbi trajtimin e temave të Holokaustit.

Tribuna shkencore si figurë qendrore pati albanologun austriak me prejardhje hebraike Norbert Jokli.

Studiuesi Anton Nikë Berisha vuri në dukje se studimet e Joklit në albanistikë kanë peshë të shumëfishtë, qoftë ato në fushën e fonetikës historike, të përcaktimit të kronologjive të ndryshimeve fonetike të mundshme, në studimet e morfologjisë historike, në historinë e fjalëve, në etimologji, qoftë përgjithësisht, në fushën e historisë së gjuhës. Duke iu referuar kujtimeve të Stevan Zweigut, prof. Berisha nënvizoi se pa asnjë dyshim Jokli bën një nga emrat më të shquar në gjuhësi, sidomos në fushën e albanologjisë, të këtij qarku krijuesish të mëdhenj hebrenjsh.

Mbi kontributin e shqiptarëve në shpëtimin e hebrenjve, përfshi edhe albanologun Norbert Jokli, foli drejtori i ITSHKSH-së, Skender Asani, sipas të cilit përpjekjet e shqiptarëve në Shkup gjatë Luftës së Dytë Botërore në shpëtimin e hebrenjve përkojnë me angazhimet e intelektualëve të shquar shqiptarë si Ernest Koliqi, Gjergj Fishta, Eqrem Çabej, LasgushPoradeci etj., të cilët u përpoqën në forma të ndryshme për mbrojtjen e Joklit, një nga albanologët më të shquar, krahas Hanit, Meyerit, Pedersenit. Jokli u ndoq dhe u persekutua për shkak të origjinës së tij hebraike. “Sa i përket angazhimit të shkrimtarëve dhe intelektualëve shqiptarë për t’i dalë në ndihmë gjuhëtarit të famshëm, të rrezikuar, Norbert Joklit, po përmend një letër të Gjergj Fishtës drejtuar Jakomonit, përmes së cilës mësojmë se Shqipëria ishte vërtet vendi që u tregua i gatshëm ta strehonte, por Jokli kërkonte të nisej për Amerikë. Letra drejtuar Jakomonit është e datës 23 shtator 1939”, tha Asani.

Ky aktivitet u ndoq edhe nga disa përfaqësues të jetës publike të Gjakovës, si dhe drejtues të universiteteve në Pejë dhe Mitrovicë. Në mesin e të pranishmëve pati edhe nga stafi ambasadës bullgare në Prishtinë.

Në mbyllje të aktivitetit u dorëzuan edhe disa certifikata për ndjekësit e trajnimit mbi mësimin dhe edukimin e Holokaustin, kurse të pranishmit patën rastin të shohin edhe një ekspozitë autentike me fotografi nga trashëgimia materiale e kulturore e hebrenjve në Kosovë.

Të fundit