E premte, 17 Maj, 2024

Nuk e duam një shqiptar për princ të shqiptarëve!

“Le Matin” ka botuar, të martën e 29 prillit 1913, në faqen n°2, intervistën ekskluzive asokohe me Ismail Qemalin në Paris në lidhje me Esad Pashën dhe të ardhmen e Shqipërisë, të cilën, Aurenc Bebja, nëpërmjet Blogut “Dars (Klos), Mat – Albania”, e ka sjellë për publikun shqiptar

Nga Aurenc BEBJA

Ismail Qemal Beu, një shqiptar nga Shqipëria, deputet i Vlorës në Dhomën e Deputetëve të Kostandinopojës, kreu i qeverisë së përkohshme të Shqipërisë të formuar në Vlorë disa kohë më parë, sapo kaloi nëpër Paris. Dje, ne realizuam me të një intervistë, para se të nisej për në Londër. Ne e pyetëm atë:

– Çfarë mendoni, çfarë mendon qeveria e përkohshme shqiptare për Esad Pashën për lajmin që ai e ka shpallur veten Mbret të Shqipërisë?

ISMAIL QEMAL BEU na u përgjigj: Unë e njoh shumë mirë Esad Pashën. Ai është një njeri trim dhe guximtar. Nuk mund ta pranoj lajmin që gazetat po botojnë se ai ka bërë një marrëveshje me mbretin e Malit të Zi: “Nëse të jap Shkodrën, më lini Shqipërinë”. Nuk dua ta besoj, sepse nëse kjo do të ishte e vërtetë, jo vetëm që Esad Pasha do ta tradhtonte Shqipërinë tonë, por gjithashtu ai do të kishte treguar pak inteligjencë dhe largpamësi, sepse populli shqiptar – tek i cili ai mbështetet – nuk do t’ia falte asnjëherë aktin e tij të tradhtisë. Ai do t’i kundërshtonte çdo përpjekje të tij për të imponuar vullnetin dhe respektuar dëshirat e tij.

– A besoni edhe nëse lajmet për marrëveshjen e tij me mbretin Nikolla janë të pasakta, që Esad Pasha mund të qëndrojë dhe të bëhet, në fakt, mbret i Shqipërisë?

ISMAIL QEMAL BEU: Nuk e besoj. Së pari, ne nuk duam që një vendas të jetë princi i Shqipërisë. Ne nuk e duam atë, sepse, për të pasur marrëdhënie të dobishme dhe fitimprurëse, ne kemi nevojë absolutisht për një princ të huaj, një princ të huaj të caktuar nga vetë Fuqitë, i cili, falë situatës dhe marrëdhënieve të tij personale, mund të siguronte për Shqipërinë atë që do t’i duhej nga jashtë. Një vendas nuk do të mund të vendoste kurrë marrëdhënie të kënaqshme me të huajt ashtu si një sovran i huaj, anëtar i ndonjë familje princërore, ose i lidhur me njërën prej tyre, dhe i cili, për më tepër, do të siguronte dashamirësinë e Fuqive të Mëdha.

Të fundit