E shtunë, 18 Maj, 2024

PËRBALLJA ME PANDEMINË – PROBLEM DHE SFIDË E FILLIMDEKADËS SË RE

Bota po shkel në një vit të ri me probleme e sfida të vjetra, sa të njohura, aq edhe të papritura. Pandemia e koronavirusit  provoi se fatkeqësitë, si kjo murtajë e shekullit, godasin frontalisht, ndërkohë që përballja me të në shumicën e vendeve të globit u paraqit si problem e aty-këtu edhe si sfidë. Qeveritë, por edhe shoqëritë anekënd botës mbeten në riprovim: Të frenojnë përhapjen e sëmundjes vdekjeprurëse dhe sado-kudo të mbajnë gjallë ekonominë.

 

Shkruan: Seladin Xhezairi

Mbi njëmilion e 700 mijë viktima, 82 milion të prekur dhe rreth 46 milion e 500 mijë të shëruar – ky është bilanci me të cilin bota u përshëndet me 2020-tën dhe me këtë ‘depresion të madh’ – po shkelë në vitin e ri, pa ndonjë mësim të prerë për t’ia shtrënguar lakun sëmundjes e për shëndoshjen e njerëzve, por edhe të ekonomive kombëtare e të asaj botërore. Pasiguria në përballjen me virusin fantazmë, frika e shkaktuar prej tij, patën për pasojë përplasje serioze institucionale, shkencore dhe ndërshtetërore ndërmjet atyre që cilësohen si gjigantë të politikës dhe ekonomisë ndërkombëtare, duke rritur kështu bilancin negativ të COVID-19 e duke cënuar edhe autoritetin e Organizatës Botërore të Shëndetësisë.

Së këndejmi, rrugën e fërkimeve në rrafshin ndërkombëtar e ndoqën edhe kryeaktorët dhe faktorët kombëtarë – si kur është fjala për domosdoshmërinë e marrjes së masave dhe të respektimit të tyre, ashtu edhe për angazhimin, pa përpjashtim, të të gjitha levave të shoqërisë në frenimin e kësaj sëmundjeje. Prandaj, urimit ‘me këmbë të mbarë’ në këtë vit dhe fillim-dekadë  të dytë të shekullit ri, i shtohet shpresa se për të mirën e njerëzimit, par së gjithash, lidershipi botëror e kombëtar, pikësëpari politik, ama edhe ai shëndetësor,  do t’ia dalë të përçojë sinjalet e të krijojë bidnjen se në gjendje alarmi e rreziku, interesat lokale e partiake duhet detyrimisht të shtyhen në plan të dytë.

Vëzhguesit nënvizojnë se për këtë me rëndësi jo të vogël ka për të qenë administrata e re amerikane e presidentit Joe Biden në sensin që për shëndetin të flasin  institucionet, punonjësit, e shëndetësisë, ndërsa qeveritë dhe politika të asistojnë në zbatimin e masave. Për shkak se thellimi i pandemisë, edhe tek ne, do t’i bënte të deplasuara të ashtuquajturat ethe parazgjedhore e interesa të ngushta që në rrethana të pandemisë çdo pushtet e bëjnë – pa lavdi!

Të fundit