Autor: Xhelal Neziri
Çdo fund i vitit ishte një lloj feste për gazetarët. Partitë mbanin press-konferencat përmbyllëse, ku bënin vlerësimet e vitit që ikën dhe tregonin pritjet e vitit të ri. Pas një viti të tensionuar në marrëdhëniet politikanë-gazetarë, në koktejet e këtyre konferencave kishte një çtensionim, çlirim, falje.
Çdo fundvit ishte një lloj feste për gazetarët pasi punonin pa kursim për numrin festiv. Për këtë numër ruheshin ekskluzivet. Edhe mega-intervistat e shtrira në disa faqe ishin ekskluzive, anipse liderët kishin dhënë përgjigje edhe në pyetjet e mediave tjera. Te çdonjëra intervistë kishte diçka ekskluzive për t’u cituar. Temat e çdonjërit ishin ekskluzive: një profil për njerëz të rrallë, të haruar, të mëdhenj, të panjohur. Tema për histori të patreguara, për arritje të panjohura, për vendbanime misterioze, për ngjarje të lavdishme. Në ditën e Vitit të Ri festa fillonte që në mëngjes – me blerjen e gazetave me mbi 100 faqe dhe shfletimin e tyre me espresson e mëngjesit. Kishte magji që përjetohet vetëm një herë në vit.
Tani, kur media online vrau gazetën, gjithëçka është ndryshe. Ka një vrap të këtyre mediave për lajme, gjysmëlajme dhe lajme të rreme që duken ekskluzive. Mbase janë pasi gjenerojnë vizita e klikime. Sot askush nuk dëshiron tekste të gjata për figura, ngjarje, histori, vendbanime, dukuri interesante apo të harruara. Nuk ka gazeta me 100 faqe, gati s’ka fare! Nuk ka magji në ditën e Vitit të Ri!
Më kujtohen kolegët e mi më me përvojë që më tregonin me mburrje se si më parë tekstet janë dërguar me faks, shtypi i gazetave është bërë me pllaka në pllakë, e si nuk kanë guxuar të marrin deklaratat me telefon. Këto histori sikur kishin një porosi të fshehur që thoshte: gazetaria me emaile e telefona nuk është gazetari. Unë i dëgjoja dhe në vete ndjeja keqardhje për to pasi nuk e pranonin kohën e re të gazetarisë. Më dukeshin të vjetëruar në koncepte dhe armiq të prurjeve të reja teknologjike, të cilat lehtësonin aq shumë punën e gazetarëve. Më dukeshin sikur janë xhelozë se gazetarët e rinj bëjnë punë të mëdha pa shumë mund, atë që s’kanë mundur ta bëjnë ata me shumë përpjekje mbi fakse dhe shtypshkronja pllaka mbi pllakë.
Tani, me këtë nostalgji për gazetën e Vitit të Ri dhe për atë magji që s’mund ta japë media online, mund edhe unë të dukem ashtu siç më janë dukur mua kolegët me përvojë para dy dekadave. Por, askush nuk mund të më bëjë që të mos kem nostalgji për kohën kur një informatë e konfirmonim nga së paku dy burime para se ta botojmë. Tani, pasi të botohet lexuesi duhet vetë ta verifikojë nga së paku dy burime. Mediat e reja mundësojnë pluralitet, interaktivitet, shpejtësi, shpërndarje, kosto të ulët…por nuk e kanë magjinë e gazetës.