E premte, 10 Maj, 2024

SOFRA E SHTRUAR PËR AZEM GALICËN NË SHTËPINË E GJYSHIT TIM

Shkruan: Muhamet Mjeku / SHBA

Një sofër e mbaruar me dërrasa të zgjedhura në vitin 1918, nga një mjeshtër i hollë druri i familjes sonë për një shekull ka përcjellë ngjarje të motivuara për liri.

Shtëpia jonë Hoxha (e njohur në atë kohë si e Hoxhoviqe), një prej katër shtëpive të mëdha Mjeku në Shipitullë dhe Grabovc të Epërm, në përfundim të Luftës së Parë Botërore, numronte mbi 50 anëtarë: shumë burra, gra dhe të rinj që përbënin strukturën kanunore të kësaj bashkësie. Kjo shtëpi, për pasurinë që kishte krijuar, njihej në shumë zona të Drenicës, në një pjesë të Rafshit të Kosovës, në Artakoll, përkatësisht në fshatrat rrëzë Çiçavicës deri në Vushtrri e Mitrovicë. Mbante shumë rezerva drithi, ndërsa në vitin 1917/18 ka shpëtuar shumë jetë njerëzish që vdiqnin nga uria për shkak të thatësisë së madhe, e cila kishte bërë kërdi për tri vjet bashkë me Luftën e Parë Botërore.

Fshati Shipitullë dhe Grabovc i Epërm (një trung i përbashkët i familjes Mjeku) për shkak të pozitës gjeografike që kanë rrëzë Çiçavicës, kanë pritur e përcjellë shumë njerëz të dijes dhe kanunit, si dhe prijës të njohur të kryengritjeve për liri të Kosovës.

Në mesin e këtyre prijësve ka qenë edhe Azem Bejtë Galica, i cili vinte në odën tonë për besimin që kishte ndaj nesh dhe ndihmën vjetore në lira që i jipej atij për nevojat e kryengritësve, edhe se i takonim të njëjti fis.
Sa herë që vinte në kullën tonë shtrohej sofra e re që zinte 12 deri në 14 veta. Këtu, mund të uleshin vetëm mysafirët e rangut të lartë.
Pra në këtë mënyrë, krerët tonë përpiqeshin t’i kultivonin vlerat dhe traditat zanafillore të Kanunit të Lekë Dukagjinit.

Me ndarjen e kësaj familje, ndahej edhe pasuria sipas hiseve, por edhe kjo sofër. Pas shumë ndarjeve, më në fund, kjo i kishte mbetur babait tim, Ferizizit. Ngaqë në të kishte ngrënë bukë prijësi i Lëvizjes Kaçake, ne e quanim ” Sofra e Azem Bejtës”. Në këtë tryezë, breza para dhe pas meje, janë rritur duke mësuar për trimëritë e tij dhe të Shotë Galicës kundër pushtuesit serb, dhe histori të tjera në luftëra të ndryshme për liri të Kosovës. Kjo sofër sot, me këtë pak histori, mund të jetë sinonim i “mbijetesës” së shumë shkatërrimeve, djegieve dhe asgjasimeve të kulturës sonë materiale për një shekull. E “mbijetoi” edhe luftën e fundit, e varur në murin tash të shtëpisë sime në Shipitullë, e cila ishte granatuar disa herë nga forcat ushtarake serbe dhe sot ka mbi 250 vrima plumbash në fasadën e saj.

Pas përfundimit të luftës në Kosovë, vëllai im Isa, këtë sofër të dëmtuar nga gërryerja e kohës, ia dorëzoi Muzeut në Drenas që të ruhet, aq sa ka mundësi, si relikt i një periudhe të lavdisë, kur Azem e Shotë Galica me kryengritësit e tjerë nëpër malet e Kosovës luftonin për liri që i mungonte kësaj pjese të Shqipërisë etnike, kundër ushtisë serbe.

 

Artikulli paraprak
Artikulli tjetër

Të fundit