E hënë, 20 Maj, 2024

QEVERIA MALAZEZE: DO TË MBËSHTESIM REZOLUTËN E OKB-së PËR SREBRENICËN

Qeveria malazeze ka paralajmëruar se do të mbështesë Rezolutën e Kombeve të Bashkuara mbi gjenocidin në Srebrenicë. Mirëpo, njëri nga partnerët që përbëjnë mazhorancën parlamentare, ka lënë të kuptohet se kjo mund të vë pikëpyetje koalicionin qeverisës, – përcjell kdp.mk njoftimin e seksionit serb të Zërit të Amerikës.  

Kryeministri malazez Milojko Spajiq njoftoi se Mali i Zi do të votojë për Rezolutën për Përkujtimin e Gjenocidit në Srebrenicë në OKB, si dhe se do të “votojë për të gjitha rezolutat që dënojnë gjenocidet dhe krimet në territorin e ish-Jugosllavisë”.

“Pikërisht këtë rezolutë që e kemi para vetes – Srebrenicën. Nuk është aspak problem. Ne do të votojmë për, e kemi thënë shumë herë. Unë kam folur publikisht për këtë, e dënuam gjenocidin. Nuk kemi problem ta bëjmë këtë”, ka thënë Spajiq në Parlamentin e Malit të Zi, duke iu përgjigjur pyetjes së kryetarit të partisë opozitare boshnjake nëse Mali i Zi do ta mbështesë Rezolutën për Srebrenicën, e cila u iniciua nga Gjermania dhe Ruanda.

Ai bëri të ditur se “Qeveria do të diskutojë për këtë”, por se “mendon se është panevojshme të përmendet, sepse kemi rënë dakord të ndjekim një politikë pro-evropiane”.

Spajiq tha se “pikërisht në këtë linjë, dhe siç e ka të njohur publiku, Qeveria e Malit të Zi, në konsultim me aleatët, propozon dy amendamente për Rezolutën e Kombeve të Bashkuara (OKB) “Dita Ndërkombëtare e Reflektimit dhe Përkujtimit të Gjenocidit. në Srebrenicë në vitin 1995”.

Ai tha se amendamenti i parë thotë “duke përsëritur se faji për krimin e gjenocidit është i individualizuar dhe se nuk mund t’i atribuohet asnjë grupi etnik, fetar apo tjetër apo komunitetit në tërësi”, dhe i dyti “duke konfirmuar paprekshmërinë e Marrëveshjes kornizë të përgjithshme për paqe në Bosnje dhe Hercegovinë në të gjitha dispozitat e saj… Ne besojmë fuqimisht se me këto amendamente respektohen viktimat, por edhe parandalohet damkosja e popujve për shkak të krimeve të individëve. Ato skanë për qëllim të parandalojnë manipulimet që shpesh u shërbejnë faktorëve të caktuar socio-politikë për nevoja të brendshme”, – ka thënë Spajiq.

Ai vlerësoi se “Rezoluta për gjenocidin në Srebrenicë, e cila është në rend dite të OKB-së, është një temë shumë e ndjeshme, kurse Mali i Zi, si shtet multietnik, ka obligim të pengojë abuzimin e viktimave dhe ofron përpjekje shtesë për ngushtimin e distancave etnike dhe tejkalimin e tensioneve në rajon”.

Duke arsyetuar pyetjen drejtuar kryeministrit, lideri i Partisë Boshnjake, Ervin Ibrahimoviq, rikujtoi se Rezolutën deri tani e kanë bashkësponsorizuar disa prej partnerëve kryesorë ndërkombëtarë malazezë, përfshirë SHBA-në, Francën, Turqinë, Britaninë e Madhe, Luksemburgun, Austrinë, Suedinë, Italinë, Kroacinë, Bosnjë dhe Hercegovinën, Shqipërinë, Slloveninë dhe Maqedoninë e Veriut.

Ai tha se “Mali i Zi, duke votuar për Rezolutën, do të qëndrojë edhe një herë në të njëjtën anë me shtetet me demokraci të zhvilluar dhe respektim të të drejtave dhe do të konfirmojë se në thelb, dhe jo në mënyrë deklarative, i takon pjesës së botës së qytetëruar, pjesë e së cilës dëshiron të jetë me vlerë, substancë dhe formalisht”.

Paralajmërimi i kryeministrit Spajiq hasi në reagimin e ashpër të Partisë proserbe Popullore Demokratike në pushtet të Milan Knezheviqit, e cila kumtoi se “deklarata e sotme e kryeministrit Milojko Spajiq se Qeveria e Malit të Zi do të votojë për Rezolutën mbi Srebrenicën do t’i shkaktojë dëme të pariparueshme populli serb dhe malazez në Mal të Zi, duke na futur në paqëndrueshmëri shoqëroro-politike dhe polarizim shtesë”.

“Për fat të keq, me këtë akt, qeveria e Milojko Spajiqit ka prishur seriozisht marrëdhëniet  edhe për ne më të afërmen Republikën e Serbisë dhe Republika Srpskën, duke u bërë pjesë e mbështetësve të tezës dhe qëllimit ndjellakeqës për damkosjen e popullit serb si gjenocidal”, – kanë theksuar nga PPD duke nënvizuar se “me këtë qëndrim të Milojko Spajiqit është shkelur në mënyrë të vrazhdët marrëveshja e koalicionimit, me të cilën është saktësuar qartë se pushteti i ri ekzekutiv nuk do të theksojë dhe hapë tema që do të na ndajnë në leva kombëtare, fetare dhe ideologjike”.

Nga kjo pari kanë porositur kryeministrin se “mungesa e programit ekonomik “Evropa tani 2”, sjellja dhe puna indolente, joprofesionale dhe shumë e dyshimtë dhe skandaloze e një numri ministrash, si dhe mbështetja e sotme për Rezolutën për Srebrenicën, kanë vënë në pikëpyetje mbështetjen tonë të mëtejshme për Qeverinë e tij dhe … riformatimine ventual të Qeverisë në qershor”.

Ambasada Amerikane në SHBA njoftoi më herët se Departamenti i Shtetit kishte njohuri për draft-amendamentet e Malit të Zi në tekstin e Rezolutës mbi Srebrenicën, por përgënjeshtroi informacionet e publikuara nga mediat lokale se SHBA-të kishin një rol ndërmjetësues në të./VOA/

 

Të fundit