E shtunë, 18 Maj, 2024

KATËR SFIDAT E QEVERISË SË RE

Katër sfidat kryesore të qeverisë së re kërkojnë kompetencë dhe qasje tjetër në ushtrimin e pushtetit.

 

Autor: Xhelal Neziri 

Nesër pritet të votohet qeveria e re e Maqedonisë së Veriut, e dyta me radhë që do të udhëhiqet nga Zoran Zaev. Koalicioni i ri/i vjetër LSDM-BDI ka caktuar emrat e ministrave, biografitë e të cilëve opinioni kishte mundësi t’i mësojë. Programi qeverisës poashtu u bë publik.

Në këtë periudhë paszgjedhore sërish dolën në sipërfaqe botëkuptimet anakronike për demokracinë dhe mënyrën e funksionimit të shtetit, sidomos gjatë përzgjedhjes së kuadrove. Këto “ethe politike” paraqiten në mënyrë ciklike pas çdo palë zgjedhjesh, e që zhbëjnë parakushtin kyç për një demokraci funksionale – sistemin e bazuar në merita.

“Kur bëhet fjalë për zgjidhjen e mosmarrëveshjeve private, të gjithë janë të barabartë para ligjit; kur bëhet fjalë për vendosjen e një personi para tjetrit në pozitat e përgjegjësisë publike, ajo që merret parasysh nuk është përkatësia e tij klasore, por aftësia aktuale të cilën ai e posedon ”.

Këto rreshta nuk janë shkruar tani, por – besoni ose jo – në shekullin IV para erës sonë. Janë fjalët e Perikliut, udhëheqësit të Athinës, menjëherë pas Luftës së Peleponezit me Spartën, një tjetër qytet-shtet grek. Poliset greke janë vendi ku në shekullin V para erës sonë lindi democracia si sistem, e cila sot është model më i përhapur i qeverisjes në botë.

Fjalimi i Perikliut të Athinës është mbajtur me rastin e varrimit të të rënëve në atë luftë, fjalë të cilat besohet t’i ketë shkruar historiani dhe gjenerali i atëhershëm grek, Thukididi. Kjo pjesë e fjalimit është një qëllim që as 25 shekuj më pas nuk arrin të përmbushet në vendet me demokraci në tranzicion, siç është rasti i Maqedonisë së Veriut. Përkatësia etnike, partiake, krahinore, e degëve dhe nëndegëve është dukshëm më e rëndësishme sesa meritat dhe përgatitja individuale e personit.

Mosqenia pjesë e qeverisë, institucionit apo mospasja e funksionit shtetëror apo publik nuk duhet të jetë arsye për pasivizim dhe mosinteresim se si funksionon shteti dhe institucionet. Perikliu i definon si “të padëshiruar” njerëzit të cilët nuk janë të interesuar për punët e shtetit, por vetëm për punët e tyre private.

“Këtu secili individ interesohet, jo vetëm për punët e tij, por edhe për punët e shtetit: edhe ata që janë më së shumti të zënë me punën e tyre janë jashtëzakonisht të informuar për politikën e përgjithshme – kjo është një veçanti e jona: ne nuk themi se një njeriu që nuk i intereson politika është një njeri që mendon për punën e tij; ne themi se ai nuk ka punë fare këtu.”

Athinasit nuk i kanë quajtur pjesë të tyre njerëzit që nuk janë përfshirë në procesin e marrjes së vendimit. Nuk i kanë respektuar njerëzit që nuk kanë marrë pjesë në takime e tubime ku diskutohen vendime të rëndësishme për interesin e përgjithshëm.

“Ne Athinasit, në vetë qytetarët, marrim vendimet tona mbi politikat ose i paraqesim ato në diskutimet e duhura: sepse nuk mendojmë se ekziston një papajtueshmëri midis fjalëve dhe veprimeve; gjëja më e keqe është të nxitosh për të vepruar para se pasojat të debatohen siç duhet.”

Qeveria e re duhet të ketë parasysh se ka para vetes sfida të mëdha, të rënda, me të cilat do t’i duhet një pajtueshmëri më e gjerë për t’u ballafaquar me sukses. Kjo pajtueshmëri nuk nënkupton vetëm opozitën, por edhe faktorët tjerë të shoqërisë – shoqatat joqeveritare, ekspertët, mediat, komunitetin e biznesit, atë fetar e kështu me radhë, me qëllim të tejkalimit të katër sfidave kryesore.

Sfida e parë do të jetë hapja e klasterit të parë në negociatat me BE-në, që pritet të fillojnë në tetor, nënkupton miratim dhe zbatim të përpiktë të reformave në gjyqësor, polici, administratë dhe në të gjitha segmentet ku do të detektohen mangësi. Kapitujt e këtij klasteri kanë për qëllim aftësimin e aparatit shtetëror në parandalimin, detektimin dhe sanksionimin e të gjitha aktiviteteve korruptive dhe jolegale. Ky klaster do të hapet i pari dhe do të mbyllet i fundit, që do të thotë se thjerëza evropiane do të qëndrojnë mbi sistemin shtetëror të vendit për aq kohë sa do të zgjasin negociatat. Kohëzgjatja e tyre do të përcaktohet pikërisht nga zbatimi praktik dhe efektiv i këtyre reformave.

Sfida e dytë do të jetë menaxhimi i situatës me pandeminë e shkaktuar nga COVID-19. Edhe pse ka rënie, vendi sërish është larg mesatares evropiane kur bëhet fjalë për rastet e reja. Nëse në BE në 14 ditët e fundit kemi 8-13 të infektuar në 100 mijë banorë, ky numër në vend është 54. Kjo do të mbajë për një kohë të gjatë mbyllur kufijtë e BE për shtetasit e Maqedonisë së Veriut.

Sfida e tretë është ajo ekonomike. Gjatë pandemisë vendi ka marrë një shumë rekorde të huasë prej 1.3 miliardë euro, gjë që ka rritur borxhin e shtetit në 5.5 miliardë euro. Recesioni më i madh që shënohet në vendet evropiane, partnere të rëndësishme ekonomike të Maqedonisë së Veriut, pritet të reflektohen negativisht në vendin me një ekonomi të dobët. Rritja e papunësisë dhe depresionit shoqëror do të jenë probleme reale në periudhën që vjen.

Sfida e katërt është ajo e sigurisë. Arritja e marrëveshjes Prishtinë-Beograd, fati i BeH, përplasja e anëtarëve të NATO-s në Mesdhe dhe ndarja në BE rreth këtyre temave mund të ketë efekte negative për sigurinë e rajonit.

Këto sfida nuk parapëlqejnë mbylljen në “guacat konformiste” të pushtetit, i cili deri më tani më pak është parë si përgjegjësi e më shumë si një përfitim personal apo klanor. Përkundrazi, problemet unike që kjo qeveri duhet t’i trajtojë dhe zgjidhë kërkojnë një qasje gjithëpërfshirëse dhe një kompetencë të theksuar të çdo bartësi të funksionit.

Të fundit