E premte, 3 Maj, 2024

FUSHATË “BOMBASH” DHE POLARIZIMI ETNIK

Fushata zgjedhore duket se po shënon një polarizim politik me tone etnike. Kjo mund të vërehet në betejën mes LSDM-së dhe BDI-së. Por, rivalitetet “tradicionale” politike me gjasë do të jenë akoma më të forta dhe nuk do të zgjedhin mjete. Poshtë ajsbergut të normalitetit politik nëpërduken goditje të ulëta që vijnë në formë të të ashtuquajturave “bomba”. Kjo tejkalon kodeksin për zgjedhje fer dhe demokratike, ndërkohë që këto “bomba” janë të ndaluara me ligj. Beteja e kuptuar si “për jetë a vdekje” nuk njeh limite.

Analizë e KDP

Bashkë me temperaturat e verës duket se po ngritët edhe temperatura e fushatës parazgjedhore. Partitë politike tashmë janë në terren, ndërkohë që përplasjet politike gjithnjë po marrin një rritëm tjetër. Me gjasë këto zgjedhje do të jenë betejë për çdo votë, ndërkohë që secila parti tashmë po përpiqet të josh elektoratin me ide politike, të cilat mendohet se mund të “arkëtojnë” sa më shumë votues për ditën vendimtare të 15 korrikut. Koalicioni LSDM dhe Lëvizja Besa janë fokusuar në mesazhin elektoral “ mundemi, edhe më shumë edhe më mirë”, ndërsa VMRO-DPMNE me mesazhin “ drejtohu Maqedoni, zgjidh rimëkëmbjen”. Një moto e zgjedhur si kundërvënie ndaj motos kryesore të LSDM-së “ Në rrugë të drejtë”.

Në bllokun politik shqiptar, gjithashtu partitë politike tashmë po animojnë mesazhet e tyre politike, nëpërmjet të cilave kërkohet që të rekrutohet sa më shumë elektorat për zgjedhjet e 15 korrikut. Bashkimi Demokratik për Integrim ka dalë me idenë “ koha për kryeministrin e parë shqiptar”, ndërsa koalicioni Aleanca për Shqiptarët dhe Alternativa me moton “shtet për të gjithë”. Partia Demokratike Shqiptare ka dalë me moton “ vjen vera ka dera”, ndërkohë që si ide themelore politike ka afishuar postin e zëvendësministrit shqiptar me të drejtë vetoje.

Dinamika e deritashme e fushatës shënon një rivalizim mes partive në bllokun politik maqedonas, mes LSDM-së dhe VMRO-DPMNE-s, ndërkohë që në bllokun politik shqiptar mes BDI-së dhe koalicionit Aleanca për Shqiptarët dhe Alternativa në njërën anë dhe BDI-së e PDSH-së si një rivaliteti që ka tonë “tradicionale”. Një betejë politike, në këto zgjedhje zhvillohet edhe mes subjekteve politike shqiptare dhe LSDM-së, e cila është në koalicion me Lëvizjen Besa. Në këtë rrafsh, ndërkohë po vërehet një kundërvënie që tashmë po merr premisa etnike.

Në rrafshin e kësaj kundërvënie që po merr premise etnike, në veçanti mund të shihen përplasjet mes LSDM-së dhe BDI, e cila tashmë ka lansuar idenë e “kryeministrit shqiptar”. Në polemikat e fushatës po vërehet tashmë këto përplasje mes këtyre dy partive, ndërkohë që në një debat televiziv, ish kryeministri, Zoran Zaev, ka theksuar se që të mos kushtëzohet nga BDI mund që të ofrojë modelin e qeverisë së pakicës, gjegjësisht të marr ose t’i japë deputet VMRO-DPMNE-së, varësisht nga rezultatet se kush do ta marr mandatin për formimin e qeverisë.

Me gjasë kjo kundërvënie me premise etnike do të zhvillohet gjatë gjithë fushatës dhe kjo me shumë mundësi do të krijojë polarizime të skajshme.

Sidoqoftë ky është rrafshi politik i kundërvënieve që mbetet në suaza të normalitetit politik dhe demokratik. Por, kjo fushatë, ndërkohë po zhvillohet edhe në një rrafsh tjetër, sidomos në bllokun politik maqedonas. Deri më tani, në opinion janë lëshuar disa bomba, nëpërmjet të cilave pretendohet të diskreditohet oponenti politik. Siç duket, poshtë majës së ajsbergut të këtij normaliteti politik do të zhvillohet edhe një betejë tjetër “bombash” diskredituese, të cilat i japin fushatës parazgjedhore një shije të hidhur. Duket se beteja për “jetë a vdekje” e dy partive në bllokun politik maqedonas, nuk do të kursej asgjë për të mbërritur të fitorja e dëshiruar.

Duket se paralelisht me një fushatë normale dhe të moderuar, të paketuar nëpërmjet strategjive zgjedhore, në opinion do të “hidhen” edhe shumë të ashtuquajtura “bomba”, të cilat me gjasë secila nga këto parti i posedon për njëra-tjetrën. Në këtë pikë fushata merr krejtësisht tone tjera dhe tejkalon zotimet e marra nga partitë politike për zgjedhje të ndershme nëpërmjet nënshkrimit të Kodeksit për zgjedhje të drejta dhe demokratike.

Të ashtuquajturat “bomba”, të cilat opozita e dikurshme e drejtuar nga lideri Zoran Zaev i përdori kundër siç e cilësonin “regjimit të Gruevskit”, duket se tashmë do të jenë një “sport” i preferuar edhe në këto zgjedhje, përkundër faktit që ato u ndaluan me ligj, të cilin e votuan të gjitha partitë politike në Maqedoninë e Veriut. Por, pasioni politik i fitores, i asgjësimit të oponentit politik nuk një limite. Kjo betejë për “jetë a vdekje” tashmë nuk i përjashton edhe këto goditje të ulëta, të cilat cenojnë rregullat e konkurrimit demokratik dhe krijojnë një atmosferë thellësisht të tensionuar në elektorat.

Kalimi në këtë tip të fushatës e degjeneron idenë e konkurrimit demokratik dhe e defokuson përmbajtjen e vetë fushatës. Qytetarët presin oferta konkrete zgjedhore dhe jo “bomba” asgjësimesh politike, që mund t’i kënaqin egot e çastit të atyre që i përdorin, por realisht mund të reflektojnë apati elektorale, që mund të ndikojë edhe në jehonën e daljes në ditën e zgjedhjeve.

Pikërisht, ky tip i fushatës, por edhe hija e virusit korona që realisht shfaqet si rrezik, mund të ndikojnë dukshëm në daljen e votuesve më 15 korrik. Por, me gjasë ky lloj i fushatës, pavarësisht nga deklarimet për zgjedhje fer, do të vazhdojë edhe në ditët në vijim, si një arketip tipik ballkanik për ta diskredituar oponentin politik dhe jo për të garuar me vizione politike, të cilën gjë e presin shumica e qytetarëve. Realisht nëse do të vazhdohet me logjikën e “bombave”, gjithçka tjetër do të mbetet në hijen e tyre, ndërkohë që qytetarët nuk do të kenë mundësi që akceptojnë platformat politike që i japin kuptim dhe janë e vetmja përmbajtje që duhet ta ketë një konkurrim demokratik politik.

 

 

 

Të fundit