Autore: Erisa Zykaj
Komisioni Europian (KE) i ka prezantuar Këshillit të Bashkimit Europian draftin e kornizave negociuese me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut. Ekzekutivi europian ka prezantuar gjithashtu edhe progresin e bërë nga dy vendet që prej muajit mars.
Draft- kornizat negociuese përcaktojnë udhëzimet dhe parimet për negociatat e anëtarësimit me dy vendet aspiruese. Ato janë ndarë në tre pjesë. Në pjesën e parë përfshihen parime që udhëheqin negociatat e anëtarësimit. Në pjesën e dytë përfshihet përmbajtja e negociatave dhe në pjesën e tretë procedura e tyre. Objektivi i negociatave është që Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut të adoptojnë në tërësi arritjen e deritanishme të Bashkimit Europian (acquis) dhe të sigurojnë zbatimin e plotë të tyre.
Këto drafte bazohen në përvojën e zgjerimeve të kaluara të Bashkimit Europian (BE) dhe integrojnë metodologjinë e rishikuar të zgjerimit. Hapja zyrtare e negociatave ndodh me përcaktimin e një date për mbajtjen e konferencës së parë ndërqeveritare. Por për përcaktimi i një date për konferencën e parë ndërqeveritare me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut duhet që këto korniza negociuese të aprovohen nga shtetet anëtare të Bashkimit Europian (BE).
Ndryshe nga Maqedonia e Veriut, për hapjen zyrtare të negociatave me Shqipërinë ka një kushtëzim të qartë para mbajtjes së konferencês së parë ndërqeveritare, që është publikuar në vendimin e Këshillit tê Bashkimit Europian të 25 marsit. Komisioneri për fqinjësi dhe zgjerim Olivér Várhelyi u shpreh se kjo etapë shënon një hap tjetër të rëndësishëm në rrugën e Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut drejt Bashkimit Evropian dhe se pret mbajtjen sa më shpejt të konferencave të para ndërqeveritare me të dy vendet.
Autorja është korrespondente e Tv Klan Maqedoni nga Brukseli