Pozicioni dominues i popullatës në Kosovë dhe Shqipëri, që mendojnë se vendet e tyre duhet të përqendrohen vetëm në një orientim, atë pro-evropian dhe pro-perëndimor në politikën e tyre të jashtme, është në kontrast të thellë me atë të qytetarëve të Serbisë, Maqedonisë së Veriut, dhe Malit të Zi, një pjesë të cilëve mendojnë se vendet e tyre duhet të kenë raporte të njëjta me Perëndimin dhe Rusinë, ka treguar sondazhi i Institutit Ndërkombëtar Republikan (IRI).
Përgatiti: Enis Shaqiri
Sipas hulumtimit, bazuar në një kampion prej 1,238 dhe 1,036 qytetarësh, në Serbi dhe Maqedoninë e Veriut, mbështetja për Bashkimin Evropian ka rezultuar me 31% (Maqedonia e Veriut) dhe 10% (Serbia).
Në anën tjetër, hulumtimi gjeti një përkrahje të gjerë pro-Perëndimore tek shqiptarët në Shqipëri, Kosovë dhe shtete tjera të rajonit ku jetojnë ata. Në Kosovë 87 për qind e të anketuarve shprehen se shteti i tyre duhet të ndjekë një politikë të jashtme që përputhet me Bashkimin Evropian dhe Perëndimin, ndërsa në Shqipëri, ku anketa është realizuar për herë të parë, ky drejtim mbështetet nga 82 për qind e të anketuarve.
Përkrahja për kursin pro-evropian është zbutur edhe në vendet si Mali i Zi dhe Bosnje e Hercegovinë. Në Mal të Zi vetëm 36% e qytetarëve janë përgjigjur pro Bashkimit Evropian dhe Perëndimit kurse 32% janë shprehur se duhet të ketë raporte të njëjta me Perëndimin dhe Rusinë. Për kundër Mali të Zi, Bosnje e Hercegovina rënditet e treta në mesin e vendeve të Ballkani Perëndimor me 39%, vetëm pro Bashkimi Evropian, ndërsa 12% raporte të njëjta me Perëndimin dhe Rusinë.
Në një intervistë për Zërin e Amerikës, drejtori për Evropën i Institutit Ndërkombëtar Republikan, Paul McCarthy thotë se në të gjashtë shtetet e rajonit, përkrahja për BE-në mbetet e fortë, me disa përjashtime të rëndësishme.
“Serbia dallon nga pesë shtetet e tjera të rajonit, duke qenë më pro-ruse, duke fajësuar Perëndimin për konfliktin në Ukrainë dhe me një mbështetje shumë të ulët për anëtarësimin në Bashkimin Evropian. Në anën tjetër shohim qëndrime shumë pro perëndimore në mesin e popullsisë shqiptare në rajon, në Shqipëri, në Kosovë dhe në vendet ku ata jetojnë si Maqedonia e Veriut dhe Mali i Zi. Një orientim të ngjashëm shumë pro-perëndimor, ndonëse pak më pak, e gjejmë edhe te muslimanët e Bosnjës, ku Turqia radhitet si vendi më i përkrahur, ndërkohë që Shtetet e Bashkuara dalin të dytat për këtë popullsi”, thotë ai.
U većini zemalja na Balkanu i dalje postoji snažna prozapadna orijentacija, dok se u 🇷🇸 bilježi suprotni trend – raste prorusko raspoloženje, a pada podrška članstvu u 🇪🇺, kaže @mrpaulmccarthy iz @IRIglobal.
Ceo razgovor 👉 https://t.co/yxUQBL0kVz
📹 Glas Amerike, Zoom pic.twitter.com/1r4byrLQc4
— Glas Amerike VOA (@GlasAmerikeVOA) April 29, 2024
Por në rast të një referendumi për anëtarësim në Bashkimin Evropian, në të gjitha shtetet e rajonit vihet re përkrahje nga një shumicë solide, ndërkohë që në vende si Shqipëria, Kosova dhe Mali i Zi, anëtarësimi mbështetet nga një shumicë dërmuese. Ato dallojnë në besimin që kanë nëse Bashkimi Evropian me të vërtetë e synon integrimin e tyre.
Drejtori McCarthy thotë se pëkrahja për anëtarësimin në NATO mbetet po ashtu e fuqishme, me përjashtim të Serbisë, dhe përkrahjes më të zbehur se ç‘është pritur për NATO-n në Maqedoninë e Veriut dhe në Mal të Zi, si dhe për rolin që NATO-ja ka luajtur për këto vende anëtare. Në Shqipëri, 64 për qind e të anketuarve mendojnë që anëtarësimi në NATO është shumë pozitiv për vendin, ndërkohë që në Maqedoninë e Veriut një vlerësim të tillë e japin 32 për qind të të anketuarve, ndërsa në Malin e Zi vetëm 28 për qind e tyre.
Kush është aleat e kush armik?
Për Shqipërinë dhe Kosovën, aleati më i rëndësishëm janë Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
Në pyetjen: “Cilin vend e konsideroni aleatin më të rëndësishëm për shtetin tuaj?”, në Kosovë, nga 1,220 e qytetarëve të anketuar, 80% janë përgjigjur për SHBA-të si aleatin më të rëndësishëm, 6% Shqipërinë, 5% Gjermaninë, 3% Turqinë dhe 1% Rusinë.
Në Shqipëri, nga totali i 1,216 qytetarëve të anketuar, 56% janë përgjigjur poashtu për SHBA-të, 10% Italinë, 8% Turqinë, 5% Kosovën, dhe 4% Gjermaninë.
Në anën tjetër, për Maqedoninë e Veriut dhe Malin e Zi, aleati më i rëndësishëm është Serbia, ndërsa për Serbinë, është Rusia.
Në Maqedoninë e Veriut, nga shuma e përgjithshme prej 1,238 qytetarëve të anketuar, 34% janë përgjigjur për Serbinë, si aleatin më të rëndësishëm, 17% SHBA-të, 12% Turqinë, 8% Rusinë, dhe 5% Shqipërinë.
Në Malin e Zi, nga 1,238 e qytetarëve të anketuar, 32% janë përgjigjur për Serbinë 20% për SHBA-të, 9% për Rusinë, 6% për Turqinë, 3% për Kinën.
Në Serbi, 46% nga 1,238 e qytetarëve të anketuar janë përgjigjur për Rusinë, 14% për Kinën, 5% Hungarinë, 3% për Greqinë dhe 2% për SHBA-të.
Në pyetjen se cilin vend e konsideroni rrezikun më serioz për shtetin tuaj? Për shumicën dërmuese të të anketuarve në Kosovë, Serbia mbetet kërcënimi kryesor, ndërsa në Shqipëri shumica sheh si kërcënim Serbinë dhe Rusinë. Në Maqedoninë e Veriut, rrezik kryesor shihet Bullgaria, ndërsa në Mal të Zi, Shtetet e Bashkuara dhe Rusia. Në Bosnjë rrezik përbën Serbia dhe në Serbi Shtetet e Bashkuara, Kosova si dhe Shqipëria.
Anketa është kryer gjatë muajit shkurt dhe mars të këtij viti.
Kjo pasqyrë e rajonit, sipas zotit McCarthy kërkon një angazhim nga Uashingtoni dhe Brukseli për t’iu ofruar të gjithë vendeve të rajonit anëtarësim me një hap të përshpejtuar.
“Do të ishte gabim, për shembull, të lihet prapa Serbia ndërkohë që të gjithë anëtarësohen. Nuk do të ndodhë brenda natës dhe do të nevojitet kohë, por nuk mund ta lëmë Serbinë jashtë ndërkohë që lëvizim përpara, ngaqë për stabilitetin e Ballkanit është e nevojshme që Serbia të jetë me Perëndimin, të jetë në BE dhe përfundimisht edhe në NATO, ngaqë në shumë forma është qendra e Ballkanit, vendi më i madh dhe shtetet përreth saj, sidomos ato me pakica serbe brenda tyre, që kurrë nuk do të ndihen të sigurta përderisa Serbia të mos jetë e orientuar me Perëndimin”, thotë ai, duke nënvizuar se Rusia po përpiqet të destablizojë Ballkanin, si dhe për të shpërqëndruar vëmendjen e Perëndimit nga përkrahja për Ukrainën.