E martë, 21 Maj, 2024

Kërkuam punëtorë, por erdhën njerëz

Enver Robelli

Një rrëfim i një gazetari italian mbi punëtorët nga Italia që filluan të vijnë në Zvicër në vitet 60-të i ngjan shumë historisë së mërgimit të shqiptarëve në konfederatën helvetike. Ata nuk u mirëpritën në Zvicër, shpesh u diskriminuan. Zvicra ishte e interesuar vetëm për fuqinë e muskujve të tyre. Një politikan popullist zviceran para 50 vitesh deshi t’i dëbojë mbi 300 mijë punëtorë kryesisht italianë. Nisma i dështoi për pak. Fushata kundër të huajve e shtyri atëbotë shkrimtarin e madh zviceran Max Frisch të shkruajë: “Një popull padronësh po e ndien veten të rrezikuar: kërkuam punëtorë, por erdhën njerëz”. Për shumë zviceranë, italianët përveç se ishin konkurrentë në tregun e punës, ata ishin rivalë edhe në “tregun” e dashurisë: italianët e shkathtë dhe gojëmprehtë ishin shpesh më të suksesshëm në artin e joshjes së vajzave. Kjo i traumatizonte nënat zvicerane dikur, sot lidhjet binacionale janë normalitet.

Në fillim të viteve 60-të papunësia në Zvicër sillej rreth zero për qind. Zvicra e pasur kërkonte punëtorë, Italia, sidomos Italia jugore, kishte punëtorë. Vendi i tyre s’mund t’u ofronte punë dhe perspektivë, andaj italianët, shumica burra me muskuj dhe me shumë vullnet për punë, ia mësynë Zvicrës. Erdhën me trena specialë, u vendosën në baraka, kryesisht në periferi të fshatrave dhe qyteteve zvicerane. Popullsia vendore nuk dëshironte të kishte kontakt me ardhacakët. I quante “Tsching” (çink), një përshkrim përbuzës i italianëve. Fjala “Tsching” rrjedh nga “cinque” (pesë) dhe i referohet një thirrjeje apo brohoritjeje gjatë lojës “Morra”, që është e njohur në Italinë veriore.

Në perceptimin paragjykues të shumë zviceranëve, italianët ishin lojtarë, pra mashtrues dhe dembelë. Në vitet 60-të në rajonet fshatare të Zvicrës për çdo nënë ishte pothuaj tragjedi planetare nëse vajza i shkonte me ndonjë italian apo – zoti mos e bëftë! – nëse martohej me ndonjë burrë me flokë të zeza e kaçurrela nga rajoni i Mesdheut. Tani së paku gjysma e nënave zvicerane me gjasë ëndërrojnë që bijat e tyre të martohen me italianë. Një lidhje me italianë nuk shihet më si katastrofë familjare, por si përparësi. Prania e italianëve në Zvicër e ka bërë Zvicrën më të bukur dhe më të shijshme. Pa italianët kuzhina zvicerane ende do të ishte një shkretëtirë me patate dhe djathë.

Gazetari italian Concetto Vecchio, i cili ka kaluar fëmijërinë në Zvicër dhe tani shkruan për gazetën e Romës “La Repubblica”, ka shkruar një libër mbi punëtorët italianë në Zvicër, një libër mbi historinë e një komuniteti që dikur nuk pranohej, ndërsa sot shihet si komunitet i integruar për mrekulli. Libri është një përzierje mes autobiografisë dhe historisë. “Jagt sie weg!”, dëboni, kështu quhet libri i Vecchio.

Titulli i referohet një fushate të një politikani zviceran për dëbimin e të huajve. Më 1968 deputeti James Schwarzenbach ndërmori një nismë për të përzënë nga Zvicra mbi 300 mijë punëtorë kryesisht italianë. Nisma populliste dhe raciste e Schwarzenbachut për pak dështoi në referendum. Një shumicë minimale e zviceranëve e hodhi poshtë. Duhet theksuar: zviceranëve, pra burrave, sepse më 1970, kur u mbajt referendumi, gratë në Zvicër nuk kishin të drejtë vote. Schwarzenbach, një militant antikomunist, besonte se në mesin e mërgimtarëve italianë ka shumë komunistë. Kishte restorante zvicerane që vendosnin mbishkrimin: “E ndaluar për qenë dhe italianë”. Në qershor mbushen 50 vjet nga iniciativa e Schwarzenbachut.

Vecchio përshkruan fatet e italianëve që erdhën nga fshatrat apo qytezat e Italisë jugore për t’i dhënë hov përparimit ekonomik të Zvicrës. Ata punuan në fabrika, në ndërtimtari, në hoteleri, në restorante. Vetëm në vitin 1961 nga Italia në Zvicër erdhën 152 mijë njerëz. Ata ishin punëtorë stinorë: punonin 9 muaj në Zvicër, pastaj për 3 muaj ktheheshin te familjet e tyre. Nuk kishin të drejtë të merrnin familjet me vete.

Kështu u ndanë shumë familje. Disa italianë i vendosën fëmijët në qendra banimi afër kufirit me Zvicrën, të tjerët i lanë fëmijët nën kujdesin e gjyshërve. Kishte familje italiane që nuk respektonin ligjin dhe merrnin me vete fëmijët, të cilët i fshihnin nën kulm. Autori Vincenzo Tadisco ka shkruar një roman tronditës për një fëmijë që nuk duhej të ekzistonte sipas ligjeve zvicerane, romani quhet “Fëmija hardhucë”. Për fatin e mërgimtarëve italianë në Zvicër ka shkruar edhe autori Francesco Micieli, arbëresh i lindur në Santa Sofia d’Epiro të Kalabrisë. Micieli jeton në Bernë.

Një arsye përse zviceranët u frikësoheshin italianëve ishte se ata punonin për rroga më të ulëta dhe shpeshherë ishin më të motivuar për punë. “Kush mërgon, ka një motivim të madh”, i tha së fundi një gazete zvicerane Concetto Vecchio.

Për shumë zviceranë, italianët përveç se ishin konkurrentë në tregun e punës, ata ishin rivalë edhe në “tregun” e dashurisë: italianët e shkathtë dhe gojëmprehtë ishin shpesh më të suksesshëm në artin e joshjes së vajzave. Fushata kundër të huajve e shtyri shkrimtarin e madh zviceran Max Frisch të shkruajë: “Një popull padronësh po e ndien veten të rrezikuar: kërkuam punëtorë, por erdhën njerëz”. Kjo është një ndër fjalitë më emblematike të historisë së mërgimit të të huajve në Zvicër.

Historia e punëtorëve italianë në shumë aspekte i përngjan asaj të mërgimtarëve nga viset shqiptare në ish-Jugosllavi. Edhe ata nisën të vijnë në Zvicër në vitet 60-të. Jugosllavia ishte e kënaqur që mund të zbuste papunësinë duke eksportuar fuqi punonjëse. Për të mashtruar opinionin udhëheqësit komunistë dhe mediat e asaj kohe flisnin për “punëtorë të punësuar përkohësisht në botën e jashtme”. Ata do të ktheheshin një ditë, sapo socializmi ta bekonte popullin me krejt të mirat e mundshme.

Por parajsa socialiste jugosllave nuk u bë kurrë realitet. Shqiptarët e mërguar shumë shpejt hoqën dorë nga ëndrra që pas dy-tri vitesh punë në Zvicër të kthehen në fshatrat e tyre me mjaft para në xhep sa për të ndërtuar një jetë të re.

Pas presionit të italianëve për të lejuar bashkimin familjar, autoritetet zvicerane lëshuan pe. Kjo u ndihmoi edhe shqiptarëve që të sjellin familjet në Zvicër. Shumica nuk e bënë këtë menjëherë për shkak se nuk dëshironin të çrrënjoseshin dhe asimiloheshin në një botë që e konsideronin të huaj. Bashkimi i familjeve mori hov si proces tek në fund të viteve 80-të, kur tashmë ishte e qartë se Jugosllavia e zhytur në borxhe dhe e kërcënuar mbi të gjitha nga nacionalizimi serbomadh po shkonte drejt fundosjes. Për këtë kapitull të rëndësishëm të historisë së mërgimit të shqiptarëve, fatkeqësisht, nuk ka ende ndonjë punim apo vepër serioze.

Concetto Vecchio është një gazetar tejet mendjehollë. Ai nuk e ka shkruar librin e tij për të atakuar vetëm Zvicrën e dikurshme agresive ndaj të huajve. Libri i Vecchios i drejtohet edhe Italisë, ku popullistë si Matteo Salvini zhvillojnë fushatë të përhershme kundër të huajve, sidomos afrikanëve.

Vecchio thekson se në vitet 60-të punëtorët italianë në Zvicër janë trajtuar siç po trajtohen sot afrikanët në Itali. Në vitin 1968 dhe 1971 në Zvicër ka pasur dy sulme vdekjeprurëse kundër italianëve. Viteve të fundit në Itali ka pasur disa sulme kundër të huajve.

Nëna e Vecchios sot është 79-vjeçare. Ajo e kishte porositur të birin të mos shkruajë keq për Zvicrën. Megjithatë, në Zvicër ajo kishte gjetur një vend pune dhe sot gëzon një pension, i cili i mundëson asaj një jetë me dinjitet.

Të fundit