E premte, 26 Korrik, 2024

KONRAD CLEWING: JA KU GABOI KOSOVA QË E HUMBI SHANSIN PËR KIE

Kosova nuk ishte në agjendën e Këshillit të Evropës, megjithëse Asambleja Parlamentare e rekomandoi anëtarësimin e saj. Historiani dhe eksperti i Ballkanit, Konrad Clewing, në një intervistë për DW, thotë se problemi qëndron te Kosova.

“Kosova bëri shumë gabime. Së pari, u mbështet në faktin se partnerët perëndimorë të Kosovës, duke parë politikën serbe, do të hapnin rrugën për anëtarësimin në Këshillin e Evropës. Gabimisht mendoi se tri fuqitë e mëdha të BE-së do të ndihmonin në minutën e fundit”, thotë Clewing, përcjell KDP.

Së dyti, thekson ai, “qeveria e tanishme dhe ato të mëparshme nuk zhvilluan një plan për Asociacionin e Komunave pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese të vitit 2015. Të mendosh se kjo çështje do të zgjidhet vetvetiu është naive dhe një gabim i madh politik. Kjo u dha hapësirë aktorëve perëndimorë – nga Lajčak deri te liderët në Berlin, Paris dhe Romë – për të ndërhyrë. Parakushti për të paraqitur planin e Lajčak pa negociata të mëtejshme me dhe në Kosovë në Gjykatën Kushtetuese ishte një ndërhyrje që meriton kritikë. Letra e tre liderëve drejtuar Kurtit më 15 maj ishte gjithashtu shumë e ashpër. Megjithatë: Nëse qeveria do të kishte vepruar më herët, kjo mund të ishte shmangur”.

Së treti, thotë Clewing, “veprimet e javës së kaluar nga Ministria e Jashtme erdhën shumë vonë dhe pa shumë përmbajtje. Është e pakuptueshme se si mund të besohej se në minutën e fundit Gjermania, Franca ose Italia dhe gjithë QUINT do të ndryshonin mendjen dhe të pranonin një plan ende të papërfunduar si ai i Fondacionit FES”.

Sipas Clewing, qeveria e Albin Kurtit dhe ministrja e jashtme Donika Gërvalla-Schwartz duhet të mbajnë përgjegjësi për këtë dështim.

“Në Kushtetutën e Kosovës thuhet: presidenti udhëheq politikën e jashtme të vendit; qeveria propozon dhe zbaton politikën e jashtme të vendit; kuvendi mbikëqyr politikën e jashtme dhe të sigurisë. Është një shenjë e keqe që presidentja, sipas deklaratës së saj, nuk u konsultua për hapin e rëndësishëm të ministres së Jashtme. Është gjithashtu një shenjë e keqe që shumica qeverisëse në parlament ka pak ekspertizë ndërkombëtare. Por është e qartë: Përgjegjësia kryesore për mungesën e përgatitjes së një plani për Asociacionin e Komunave dhe për prezantimin e dobët të qëndrimeve te partnerët është e qeverisë. Pra, te Ministria e Jashtme dhe kryeministri. Nëse kanë kontribuar këshilltarë të jashtëm, mund të thuhet se nuk bënë një punë të mirë. Por përgjegjësia kryesore për rezultatin e dobët është te qeveria”, thotë Clewing.

Ai nuk ka dashur të komentojë deklaratën e ish të ngarkuarit të ish-presidentit amerikan Donald Trump për dialogun Kosovë-Serbi, Richard Grenell, i cili ka falënderuar sidomos Melonin në një postim në X për letrën që krerët e qeverive dërguan Kurtit. 

“Nuk dua të komentoj motivet e z. Grenell. Por pyetja na bën të mendojmë se sa e rrezikshme është për qeveritë evropiane dhe për ato të vendeve të vogla që të mos shqetësohen për turbullirat dhe paparashikueshmërinë që mund të sjellë fitorja e mundshme e Trump-it në vjeshtë në marrëdhëniet ndërkombëtare”, thotë Clewing.

Sipas tij, qeveria e Kurtit në planin e brendshëm, qeveria ka pak suksese – në luftën kundër korrupsionit, zhvillimin ekonomik dhe përmirësimin e kushteve të përditshme të jetesës, performanca është e dobët. Në politikën e jashtme, Clewing thotë se “ai mund të spekulojë se partnerët perëndimorë do të zbusin kritikat e tyre nëse rizgjidhet dhe mbetet partneri kryesor në Kosovë”.

“Ka gjasa që partnerët perëndimorë të shpresojnë për zgjedhje të reja për të gjetur një partner më të përshtatshëm. Qeveria aktuale ka shkaktuar shumë zemërim te aleatët me qasjen e saj jo diplomatike”, nënvizon Clewing.

Ndryshe, Dr. Konrad Clewing ka studiuar histori dhe ekonomi në Mynih, ku mësoi edhe shqipen nga Martin Camaj, në Vjenë dhe Zagreb. Ai punon si studiues në Institutin e Evropës Lindore dhe Juglindore Leibniz në Regensburg.

Të fundit