Autore: Erisa Zykaj / Bruksel
Përpara samitit të Zagrebit, grupimi i partive popullore në Parlamentin Europian (EPP) tërheq vêmendjen se nuk duhen harruar pasojat gjeopolitike të pandemisë COVID-19.
Eurodeputeti i këtij grupimi, Michael Gahler ka deklaruar se Ballkani Perëndimor nuk duhet të bjerë në grackën e dezinformatave ruse.
Sipas tij, evropianët duhet ta kthejnë këtë krizë në një mundësi për të luftuar ndikimin e pandemisë së bashku përmes paketës prej 3.3 miliardë euro për rajonin.
Grupimi i partive popullore nënvizon faktin, se është e rëndësishme që udhëheqësit e Bashkimit Europian të konfirmojnë perspektivën e zgjerimit me vendet e Ballkanit Perëndimor.
Sipas këtij grupimi, vendimi për hapjen e negociatave të anëtarësimit me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut është një hap në drejtimin e duhur.
Lidhur me këtë, eurodeputeti Gahler ështê shprehur, se është koha për bashkim dhe për fillimin e negociatave të anëtarësimit me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut.
“Fillimi i bisedimeve zyrtare të anëtarësimit në BE nuk ka të bëjë me asgjë më pak sesa mbrojtjen e mënyrës sonë të jetuarit dhe ndikimit tonë në botë. BE është një partner i besueshëm dhe transparent ”, është shprehur Gahler.
Autorja është korrespondente e Tv Klan Maqedonia nga Brukseli